Prolog.

160 24 13
                                    

    Këtë herë e kishte vendosur përfundimisht.

    Kur ai t'i telefononte, nuk do t'i përgjigjej dhe as nuk do t'ia kthente më mesazhet. Në heshtje do të shkëpuste çdo komunikim me të, deri kur të shkonte në Gjermani. Më pas Jerini do ta kuptonte, se ajo kishte hequr dorë prej tij dhe do të dorëzohej edhe vetë në po atë mënyrë.

    Ndieu hamendësimin e tillë për të, t'ia digjte ngadalë e plot dhimbje mesin e kraharorit dhe sytë t'i përloteshin, për të ngashëryer përsëri.

    Atë ditë nuk kishte qarë. Kishte menduar se do duronte deri të nesërmen dhe më pas do mësohej, por mendimet, të cilat ajo i lejonte, që ta kontrollonin, nuk dorëzoheshin aq lehtë kundër saj.

    Kishte thënë me vete, se nuk do përgjigjej, ama nuk kishte dalë akoma nga dhoma e gjumit, për të shkuar në kuzhinë. Priste telefonatën e tij. Me qindra mendime se ishte gabim, se duhej të bënte diçka, për t'i dhënë fund asaj torture, që po i jepte vetes dhe Jerinit, po priste, që të lexonte në ekranin e telefonit emrin e tij.

    Zemra i brofi nga vendi, kur telefoni u dridh mbi komodinën e drunjtë ngjyrë lajthie dhe telefonata e shumëpritur erdhi.

    Mes frymëmarrjeve të shpeshta mori celularin në dorë dhe imagjinoi atë në pritje, që ajo t'i përgjigjej. Kushedi ç'po mendonte; ndoshta që asaj i kishte ndodhur diçka, ose që nuk kishte mundësi, për të folur në ato momente.

    Telefonata u mbyll, sapo Motër Jona mendoi t'i përgjigjej, t'i kërkonte, që të mos flisnin më me njëri-tjetrin. Duhej të gjenin një mënyrë, për t'i dhënë fund ndjenjës midis tyre, të cilën asnjëri nuk kishte mundur ta vriste.

    Ekrani u ndez përsëri dhe ajo lexoi emrin i Jerinit në krye. A po e ndiente ai, se ajo ishte duke luftuar me veten, që të mos i përgjigjej dhe jo që nuk fliste dot në ato çaste?

    Ajo preku ikonën e telefonit të kuq, për të mbyllur telefonatën, por nuk e rrëshqiti dot lart. Dilema, prej së cilës nuk kishte dalë dot që para pesë viteve, e shtrëngonte gjithnjë e më tepër brenda vetes.

    Telefonata kaloi në thirrje të humbur dhe Jona ndieu frymën, tek i mblidhej në grykë. Sapo do lëshonte veten, për të qarë, dëgjoi një të trokitur në derën e zezë të apartamentit të vogël me mure të bardha.

    Shikoi sytë e gjelbër të skuqur në skajet e tyre dhe, megjithëse vajzat dhe Motër Françeska do e kuptonin se diçka nuk shkonte me të, doli nga dhoma e saj e gjumit.

    - Po? - i buzëqeshi biondes me sytë e zinj përballë.

    - Motër, dreka është gati.

    - Ka ardhur Motër Françeska?

    - Po.

    - Në rregull, - mbylli derën pas vetes dhe bashkë me Antigonën iu drejtuan kuzhinës së madhe.

    Gjashtë vajzat e tjera kishin ardhur me kohë dhe ushqimi ishte gati nëpër pjata.

    - Mirëdita!

    - Mirëdita, Motër! - Emanuela, çapkënja e atij konvikti privat në Rrugën e Barrikadave, në Tiranë, i drejtuar nga një murgeshë dhe ku banonin tetë vajza, buzëqeshi plot hare, kur e përshëndeti.

Jepi fund!Where stories live. Discover now