Hyrja

21 0 0
                                    

UILLIAM SHEKSPIR (1564-1616)

  Krijimet e katër shekujve të mëparshëm të tragjedive, kronikave historike dhe komedive të Shekspirit që jetojnë deri më sot, prekin dhe tronditin imagjinatën e shikuesve. Teatrot më të mira të botës dhe aktorët më të shquar gjer tani përmenden me nderim për shfaqjet e këtyre veprave dhe aktorët e ndiejnë veten të lumtur kur luajnë dramat shekspiriane.  

  Po të shihni shfaqje të tilla ose thjesht të lexoni pjesë të Shekspirit, sigurisht që do të kërkoni të dini sa më shumë për to, të dhënat dhe rrethanat që bënë të krijoheshin këto vepra. Por kjo nuk është aq e thjeshtë.  

  Mbi jetën e dramaturgut të madh ka pak të dhëna. Shekspiri nuk shkroi kujtime, nuk mbajti ditar. Asgjë nuk la për ne dhe nuk pati letërkëmbim me bashkëkohësit e vet, madje nuk kanë mbetur as edhe dorëshkrimet e pjesëve të tij. Deri te ne mbërritën gjithsej vetëm disa dokumente, në të cilat përmenden rrethana të ndryshme të jetës së tij. Çdo njëri nga këto dokumente, na jep vetëm disa fjalë mbi Shekspirin, të studiuara dhe të interpretuara. Ndër vlerësimet historike të rralla përmenden disa copëza letrash, në të cilat dora e Shekspirit ka    shkruar ca radhë ose thjesht nënshkrimin e tij.  

  Shumë breza dijetarësh, të palodhur dhe të vendosur, pak nga pak e fjalëz pas fjalëze mblodhën të dhëna mbi jetën e Shekspirit, i krahasuan ato, i sheshuan, ngritën hamendje dhe i kontrolluan, duke mbushur boshllëqet e biografisë së tij. Lindi kështu shkenca e veçantë - shekspiriane, - mbi studimin e jetës dhe të krijimtarisë së Shekspirit.

  Duhej t'i hyhej një pune shumë të madhe, që ne të mundnim të lexonim tani mbi Shekspirin, çka duhet të dimë mbi çdo njeri të kulturuar.  

  Poeti dramatik anglez Uilliam Shekspir u lind më 23 prill 1564 në qytetin e vogël anglez Stratford, pranë lumit Ejvon. Ishte i biri iXhon Shekspirit, zejtar dhe tregtar i pasur që u bë më pas pronar dhe që arriti të marrë në qytetin e tij funksione të larta të gjykatësit, dhe i Meri Ardenit e cila rridhte nga një familje e vjetër dhe e pasur katolike. Ka të ngjarë që Shekspiri të jetë edukuar në këtë fe, me vëllezërit Edmund e Zhilbert dhe motrën e tij Xhoana. Tregimet mbi fëmijërinë dhe rininë e tij janë me plot hollësira të bukura, megjithatë studiuesit nuk mundin t'i pranojnë ato plotësisht si të vërteta, arsyeja është se asnjë dokument nuk tregon se në cilën shkollë të komunës i ka kryer ai studimet dhe as se cilën mjeshtëri ka ushtruar, sidomos pas falimentimit që pësoi i ati. Nuk dihet, pra, asgjë për këto vite të stërvitjes dhe të mësimit, megjithatë, studiuesit pohojnë se Shekspiri e kaloi fëmijërinë dhe rininë në Stratford. Ai pati mundësi të shijojë bukuritë e natyrës me shëtitjet nëpër fushat dhe pyjet madhështore që kishin rrethinat e qytetit të lindjes, të vëzhgojë e të njohë mirë jetën e zakonet e krahinës angleze, të dëgjojë prej gojës së fshatarëve gojëdhënat popullore plot poezi, të njihet mirë me gjuhën e gjallë popullore. Në shkollën që ndoqi në vendlindje, mësoi latinisht, pak greqisht, logjikë e retorikë.  

  Në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare, për shkak të keqësimit të gjendjes ekonomike të familjes, i ati kishte tetë fëmijë, Shekspiri u shtrëngua të fitojë vetë mjetet e jetesës. U mor me punë të ndryshme. Ndërkaq, teatri kishte ardhur ndoshta deri tek ai nën aspektin e trupave udhëtuese të autorizuara që nga viti 1572 për t'u organizuar në shoqëri në shërbim të funksionarëve të mbretërisë, dhe nën formën më popullore, të grupeve të amatorëve që interpretonin, me një shpirt ende të afërt me atë të mesjetës, mistere dhe moralitete. 

  Dihet mirë se në moshën tetëmbëdhjetë vjeç (1582), Shekspiri u martua me Eni Heteuejnin, tetë vjet më e madhe se ai, me të cilën pati tri fëmijë. I zhgënjyer nga kjo martesë që e bëri pas pak fatkeq, ai më 1586 e la qytetin e tij të lindjes dhe u nis e shkoi në Londër për të kërkuar punë. Në qytetin e madh u gjend pa mjete jetese, pa miq dhe pa të njohur, ai, siç thotë gojëdhëna e përhapur, siguronte në kohët e para jetesën e tij, si kujdestar i kuajve të aristokratëve amatorë të teatrit, në të cilin vinin zotërinjtë e shquar. Më pas, kjo dihet tashmë që është e saktë, Shekspiri filloi të shërbejë në atë teatër. Ai kujdesej që aktorët të dilnin në skenë në kohën e duhur dhe ndodhte të përsëriste rolet kur zëvendësonte suflerin. Me një fjalë, ai njohu jetën e vështirë të prapaskenës teatrore. Që prej vitit 1588, emri i tij filloi të dëgjohet, nisën ta ngarkonin me role të vogla në atë teatër, që u quajt më vonë "Globus", teatër ky, që me shfaqjet që jepte në Londër pati suksese të mëdha. Aktori i madh Shekspir nuk mbeti në vend, sepse formulimi i tij mbi artin e aktrimit, e kryesisht, mjeshtëria madhështore në pjesët që krijoi më vonë, dëshmojnë mbi njohuritë e tij mahnitëse të ligjit të skenës.  

William Shakespeare-ROMEO DHE XHULIETAWhere stories live. Discover now