38

940 85 37
                                    

- Si është fëmija? - qe pyetja e parë që bëri pasi piu pak ujë për të njomur fytin e tharë.

  - E vendosën në inkubator. Do ta mbajnë për disa kohë atje për t'u siguruar që gjërat do t'i kenë në vijë.

Gabi i buzëqeshi përzemërsisht. I dukej sikur tashmë në zemrën e saj s'kishte vend për ankthe dhe shqetësime.

  - Ti si ndihesh?

  - Pak çuditshëm.

Dëgjoi hapa nga mbrapa derës e në ato momente dera u hap duke hyrë brenda Xhoi, Analisa dhe Xhorxhi. Dukej që Kevini po gjente punët e alfës si një shpëtim nga njerëzit e tjerë. Preferonte të qëndronte në zonat e tij me hije sesa të përzihej me ngjyrat e të tjerëve.

  - Si është gjendja? Nga shprehjet e fytyrave tuaja mirë duket, po unë gjithsesi kam qejf të pyes për të kaluar kohën, - si gjithmonë do ishte Xhoi ajo që i niste bisedat në këtë farë mënyre. Ky ishte stili i saj.

  - Ti pyet dhe përgjigjesh vetë. Nuk dua të lodhem duke folur, - ia ktheu Xhejdëni në qejf.

  - S'po ta prish sot qejfin se u bëre baba. Po pres që të vijë e nesërmja. Ama s'mund të rri pa folur për faktin që ke shënjuar Gabrielën. Bëre mirë.

Ajo vështroi njëherë në sytë e habitur të Gabit, më pas nga Xhejdëni e përsëri te Gabi. Kjo e fundit vendosi njëherë dorën në qafë e vetëm kur dora i ra në kontakt me lëkurën, arriti të ndiente një dhimbje të lehtë.

  - Më mirë të dalim, - dëgjoi përnjëherësh zërin e ulët të Analisës që po i pëshpëriste Xhoit.

  - Jo, - i tha ajo po me të ulët, - s'dua ta lë vetëm çiftin. Më pëlqen kur i acaroj, janë të lezetshëm. Sidomos Xhejdëni.

  - Seriozisht e ke ti? S'e shikon që ata duan të kalojnë kohë së bashku?

  - E pse më the të vinim kur ata gjithsesi do donin të rrinin të dy?

Aty e zuri mat. Analisa s'iu përgjigj. Kryqëzoi njëherë krahët e më pas ktheu shikimin drejt murit, pa i dhënë ndonjë përgjigje Xhoit.

Gabi buzëqeshi njëherë e gëzuar e vështroi Xhejdënin. Ndjeu lidhjen e tyre më të fortë se kurrë.

  - E nejse, - ia bëri papritur Xhoi. -Çfarë gjinie ka fëmija?

Ata vështruan njëherë njëri-tjetrin duke e lëvizur shikimin me ngadalë e vetëm në atë moment u kujtuan që as që kishin pyetur mjekun për gjininë e foshnjës.
Qeshën njëherë të dy në siklet e s'thanë as edhe një fjalë.

  - Kam një përshtypje se do jetë djalë, - foli pas pak Analisa kur e kuptoi se ata as që ia kishin idenë.

  -Me gjithë djalë. Më mirë vajzë, ku ma gjen. Ja, rritet e bëhet si puna ime, goxha çupë, - bëri shaka Xhoi e doli nga dhoma duke u hedhur e lumtur për të shkuar te doktori.

Fjala e saj u dëgjua. Fëmija ishte vajzë, një vajzë tepër e vogël dhe e brishtë, si një copë xhami që mund të thyhej lehtë nëse e hidhje.

Gabriela donta ta shihte, ta merrte në krahë, ta përqafonte vajzën e saj të vogël. Donte t'ia prekte duart e vogla, të çikte lehtë me buzë faqet e njoma e të buta, të ndiente kënaqësi teksa ndiente shikimin e ëmbël të fëmijës mbi të.

  - Mund ta shoh? - pyeti në mënyrë lutëse duke vështruar në sytë e Xhejdënit.

Ai pohoi lehtë me kokë, i la një puthje të butë ndër flokë dhe e ndihmoi të ngrihej. Të tjerët dolën të prisnin në korridor ndërkohë që ai e ndihmonte të vishte disa nga veshjet që i kishte sjellë Xhoi.

Lëvizjet e tij ishin të kujdesshme. Shikonte shpesh fytyrën e saj për të parë nëse ndiente diçka, e prekte si të kishte frikë se mos edhe prekja e tij asaj i shkaktonte dhimbje e ajo buzëqeshte pas çdo hezitimi të tij, pas çdo mbledhje vetullash që ai bënte kur mendonte se po ia vendoste tepër me shpejtësi bluzën në trup, pas asaj psherëtimës së lehtësimit që nxorri kur kishte mbaruar së veshuri atë.

I kapi dorën e dolën në korridor ku panë të tjerët. E dinte që mjeku s'kishte ndonjë kundërshtim ndaj ngritjes së Gabit prej shtratit, se ajo fillonte të fitonte fuqi edhe pas çdo minute që kalonte, prandaj edhe ecnin pa pasur ndonjë shqetësim nëse ndokush i shihte.

Mbërritën te dhoma ku kishin vendosur fëmijën në inkubator. Preku njëherë xhamin e ngrohtë e sytë iu përlotën. Ajo ishte aq e vogël, sa Gabi rrinte e mendohej se sa kohë do të merrte derisa ajo të rritej normalisht, të mund të qëndronte jashtë atij inkubatori pa frikën se mos ndoshta do të vdiste nga vogëlsia e trupit.

  - Kur do të mund ta marrim?

  - Doktori tha që duhet të qëndrojë këtu edhe dy muaj të tjerë, sa të mbushet nëntë muajshi.

Ndenji edhe për një kohë të gjatë duke e vështruar së bashku me të tjerët. S'do të ngopej duke parë atë trup vocërrak, ato duart e imta që hapeshin e mbylleshin lezetshëm, ato buzët e vogla që i lëvizte ngadalë.

Kur vendosi të largohej, pa që në prag të derës qëndronte Kevini, i përhumbur drejt një pike të pacaktuar, ndoshta i tretur diku në mendime ashtj siç i pëlqente zakonisht.

Shkoi drejt tij e i buzëqeshi miqësisht. Edhe ai u përpoq të buzëqeshte. Ndonjëherë e gjente tepër të vështirë që të paktën të vendoste në fytyrë edhe një gjysmë të qeshure, të paktën sa për të treguar se s'ishte i pasjellshëm.

I bëri me shenjë Xhejdënit që do bisedonte pak me Kevinin e më pas u largua së bashku me të drejt daljes së spitalit, nën ajrin e freskët të mëngjesit e nën retë e zymta të atij moti të ftohtë.

I detyrohej një falenderim vërtet të madh atij. E ç'do të kishte ndodhur nëse ai s'do t'i ishte gjendur pranë ato ditë, kur gjëja e vetme që ajo ndiente ishte humbja dhe pikëllimi?

I ndaluariWhere stories live. Discover now