19.The other Wolf

793 81 131
                                    

Rrëmuja e krijuar pas vdekjes së Klark Uollfit nuk ishte shuar ende përpos tentativave të saj për ta larguar vëmendjen e panevojshme nga Kurti, për të cilin e gjithë kjo nuk përbënte asnjë lloj problemi. Ai i injoronte lehtë gazetarët që i ngjiteshin nga pas si rrodhe, i tallte kur ishte në humor ose i bënte akoma edhe më shumë për vete me sjelljen prej kavaljeri që ndryshonte kryekëput nga përbindëshi i boksit. Kishte edhe raste të rralla ku e humbte durimin dhe nevojitej ndërhyrja e menjëhershme e Dokut. Gjithsesi, fytyra e tij vazhdonte të zinte kryefaqet e revistave e kolonat e sportit sikur të qe krijuar enkas për t'u shfaqur në vende të tilla.

Ndryshe nga ai, Skajler nuk ishte ndonjë fanse e madhe e ngjarjeve të pakëndshme të krijuara nga vdekja e një personi që deri para pak javësh as nuk dihej se ekzisonte dhe që tani po i kushtohej një interes gati i dëmshëm. Sipas saj, të vdekurit nuk duheshin ngacmuar e sidomos fytyrat e dyshimta me profil të pakëndshëm si Klark Uollfi.

Me qëllim që të shuante zjarrin e padëshiruar të cilit po i hidhej gjithnjë e më shumë benzinë nga kureshtja e pafund e gazetarëve sportive, ajo vendosi të merrnin pjesë në një nga ato evenimentet e rëndësishme të organizuara për hir të boksierëve më të mirë të vendit. E dinte se do të qe më e vështirë seç e parashikonte për të mundësuar pjesëmarrjen e Kurtit në atë mbrëmje. Një burrë si ai duhet ta kishte kundra parimeve të tij vajtjen në një mbrëmje të përmasave aq të mëdha. Prandaj u surprizua një mëngjes kur ai i vendosi mbi jastëk ftesën e mbrëmjes duke i thënë me një ton që nuk priste kundërshtime:

-Është këtë të shtunë. Pres që të më nderosh me prezencën tënde.

-Vetëm se jo si shoqëruesja jote, - saktësoi ajo.

-Akoma vazhdon me këtë fiksimin tënd ti? Të dukem si një burrë që nuk mund të mbroj gruan që kam përkrah apo çfarë?

-Ti e di shumë mirë që nuk e mendoj këtë, por thjesht mendoj se kaq shumë vëmendje të mjafton, nuk të duhem edhe unë.

-Po bëhesh xheloze? - i shkeli syrin lozonjar dhe u përkul mbi të për t'i thithur buzën.

-Do të doje. Do të ishte mirë të mbaje një si punë deklarate të shkurtër rreth aksidentit të Klarkut, - hodhi më në fund idenë e saj.

-Nuk mendon se do të ishte më mirë po të vije si e dashura, e fejuara, gruaja ime a ç'të duash ti? Do ta largonte vëmendjen nga çështja e Klarkut dhe do ta fokusonte tek ti.

-Më mjafton buja e ringut, s'kam nevojë edhe për atë të gazetave të sportit e të thashethemeve tani.

Dy ditë më vonë, të nisur nga vende të ndryshme e në kohë të ndryshme, lanë pas apartamentet përkatëse për t'u gjendur brenda pak minutave në vilën luksoze të një financuesi të madh ndeshjesh ku do të bëhej edhe mbrëmja e shumëpërfolur. Ajo kishte këmbëngulur që të ruanin distancën nga njëri-tjetri dhe ai s'ia kishte bërë fjalën dysh, e dyta gjë që e kishte surprizuar kohët e fundit nga ana e tij. Diçka bluhej brenda mendjes së tij. Ajo e njihte shumë mirë për t'u gënjyer nga qetësia dhe bindja e shtirë.

Ia la çelësat e makinës rojes dhe eci ngadalë mes turmës së zonjave e zotërinjve që ishte në zmadhim e sipër. Një pjesë e burrave kishin nga një sy të nxirë, buzë të çarë ose duar gjigande të fashuara. Kishte edhe nga ata që përpos mundimit për të mos rënë në sy e për t'u mbajtur të fortë deri në fund, çalonin nga pak. Vetëm ai ecte si ta zotëronte atë vend pa shenjën më të vogël në staturën ideale.

Nuk e kishte parë ndonjëherë me kostum e kravatë. Xhaketa e zezë dhe pantallonat e qepura enkas për trupin e tij të madh, nxirrnin në pah shpatullat e bëshme, parakrahët me muskuj dhe të pasmet e formuara që ajo shpesh ia krahasonte me ato të Devid Bekam-it. Kënaqej nga ideja që trupi i tij ishte krijuar tamam për të joshur, jo për të trembur me muskuj të stimuluar e të fryrë si me pompë nga hormonet dhe palestra e tepërt.

Hades ShqipTahanan ng mga kuwento. Tumuklas ngayon