20

757 65 63
                                    

Në vazhdim s'bëri gjë tjetër veçse të qëndronte e përqafuar me Brajanin, ulur të dy te stoli përballë derës së dhomës ku gjendej Ema. E kishte marrë malli të qëndronte ashtu me të, t'ia shprehte dashurinë me vepra, të qëndronte në krahët e tij, ta puthte. E sikur ai përqafim të zgjaste sa vetë përjetësia, ajo ankime nuk do të kishte kurrë.

Por pendimi e gërryente. Kur mendonte se ai kishte jetuar plot pesë vite duke shkuar pas idesë se ishte vëllai i saj dhe asaj i mjaftoi vetëm një çerek ore për t'u çmendur nga ai fakt, kuptonte se sa pa të drejtë e kishte gjykuar. E kishte urryer aq shumë për diçka ku fajtori s'ishte ai, ishte thjesht një viktimë e padijes së të tjerëve, që e kishin hedhur sa në një vorbull në tjetrën pa shumë mund.

I kishte kërkuar falje gjithë ato herë, edhe pse e dinte se fjalët e saj asgjë s'do ndreqnin, se kurrë s'do ishin të afta të kthenin të shkuarën e ta ndryshonin.

-Kanë marrë vesh ndonjë gjë të re për Julianin? - u përpoq të ndryshonte temë e të hiqte pak mendjen nga gjithë ai pendim.

-Akoma jo. Vëllai i Alesios, Dionisi, po punon vërtet fort për të gjetur Adin. Por kemi shpresë. Nuk mund të ketë shkuar larg, sidomos tani që të gjitha njësitë e forcave të armatosura janë në dijeni të atij krimineli.

Mbushi mushkëritë plot me ajër, si të gjente qetësi dhe siguri në fjalët e tij. Diçka brenda vetes e bënte të besonte fort se kësaj gjendjeje do t'i vinte fundi së shpejti. Kishte duruar shumë, tashmë ishte koha të merrte atë që meritonte, të korrte të mirat e atij durimi.

-Më thanë se Stivi kishte një mal me para për t'i paguar Adit, - i tha ai pas pak ndërkohë që e ledhatonte butë në flokë. - I kishte marrë hua atij vetëm që të shkonte të luante kumar e të dehej. S'e dinte që kishte policinë mbrapa. Ashtu i dehur siç ishte, ishte ngatërruar me një shitës droge. Këtë të fundit e kapën për faj të tij, ndërsa vetë Stivi kishte arritur të ikte. Dhe doli që personi që u burgos ishte një mik i Adit. Merrej me mend se Adi diçka të tillë do ta bënte: të rrëmbente Julianin e ta kërcënonte Stivin me vrasjen e tij nëse ai nuk i kthente paratë dhe të gjente një mënyrë për të nxjerrë nga burgu mikun që kishte. Por mesa duket është dikush tjetër që e largoi Julianin prej Adit. Dhe polici që e shpalli djalin të humbur s'ishte më tepër se një tjetër mik i Stivit.

Psherëtiu e lodhur. Ngjarja i dukej shumë e koklavitur e donte të fokusohej thjesht te përfundimi në mënyrë që procesi të mos i dhimbte aq.

-Ema duhet ta dijë me patjetër se kush është në këtë mes. Ndaj e qëlluan, për të mos treguar të vërtetën.

-Gjithçka do rregullohet, më beso.

Ai i la një puthje të ngrohtë në ballë, siç po i pëlqente të bënte shpesh këto kohë. Mbylli sytë dhe i la buzët të krijonin një lakim të vogël, ndërkohë që lëvizi pak trupin që të rehatohej më shumë mbështetur në kraharorin e tij.

Sa do fliste kur dera përballë u hap e që aty doli e njëjta infermiere që kishte hasur jo shumë kohë më parë.

-Pacientja u zgjua. Nëse dëshironi, mund të hyni ta shihni.

U largua menjëherë nga përqafimi i Brajanit kur dëgjoi ato fjalë. E ndjeu trupin e lehtë, si të kishte hequr një peshë të padëshirueshme e të rëndë gur. Ndihej e gatshme për të zbuluar të vërtetën, edhe pse gjysma e saj e dinte mirë se do zhgënjehej.

Emën e gjeti duke vështruar tavanin e menduar, pastaj deshi të lëvizte menjëherë kur i pa ata të dy, ama ndryshoi mendje në momentin që dhimbja therëse në bark iu shfaq sërish.

-Mos lëviz, nuk do qëndrojmë shumë, - i tha ftohtë tek i afrohej. S'mund ta falte aq lehtë, sidomos kur mendonte se ajo e kishte ditur të vërtetën e largimit të Brajanit dhe kishte heshtur. - Çfarë deshe të më tregoje para se të plagoseshe?

Ema mori frymë thellë para se të përgjigjej me një zë të mekur e sy të lodhur.

-Stivi po diskutonte për vendin ku ndodhet Juliani. Po fliste me Etienin...

Kafaz dashurieWhere stories live. Discover now