4

83 16 76
                                    

Si filloi, ne nuk ditëm të ndaleshim, e na dukej sikur nën krahë mbanim botën, pa e ditur që kjo botë mund të rrëshqiste me një të kërcitur të gishtërinjëve.

Dy ditë të nxehta fund-pranvere më vonë, Brendon shtroi si pa të keq idenë e të kërkuarit të nënës time. Ajo nuk ishte e humbur, thjesht kishte zgjedhur të largohej, e të na linte ne të mbyteshim në të shkuarën. Qe një mallkim ajo erë e fortë vjeshte kapërthyer me gjethet e rëna.

Pellgjet anash rrugicës qenë mbushur me ujë shiu, dhe pasqyronin përmbi do re të errëta pas fytyrës time të trishtë. Në shkollë nuk është se kishte ndodhur diçka, përveç përpjekjes sime të vazhdueshme për të krijuar ndonjë pëlqim për djemtë e këtuhit... dhe dështimit të përditshëm. Mu në mes të gjoksit më dukej sikur ishte mbledhur diçka dhe e kishte gufuar keqazi. Nuk mbushesha dot me frymë dhe hapat lëkundës po më përgjumnin.

Me të mbërritur në shtëpi, kuptova që diçka me të vërtetë nuk shkonte. Im atë ishte ulur në karrigen në mes të ballkonit dhe lëkundej së bashku me një letër, e cila qëndronte në mes të gishtërinjve të tij.

"Jot ëmë është larguar.- dëftoi me zë të mekur, duke u munduar të fshihte lotët dhe zemrën e thyer pas fasadës së zemërimit.

Atë letër unë e lexova vetëm një javë më pas, fshehurazi nën krevatin tim me hekura të ndryshkur. E rrëmbeva prej nënkresë së babait ndërkohë që ai ishte ende në punë (ose bënte sikur shkonte) veç për të konfirmuar dyshimet e mia. Ajo thjesht ishte larguar në një tjetër qytet, sepse shpirti i saj ishte aq i lirë sa dashuria jonë për të nuk mund ta burgoste tek ne. Kishte ikur duke qeshur dhe nuk kishte lënë asnjë letër pas. (Tek e fundit, letrat e lamtumirës janë gjërat më të shëmtuara që mund ti falësh dikujt kur vendos të mos qëndrosh më. Lamtumirat në heshtje janë për frikacakët. Ndërsa përqafimet, ah përqafimet janë lamtumira më e ëmbël.)

Që në fjalinë e parë arrita të dalloja ftohtësinë e tim ati. 'Mos më kërkoni! Po largohem duke ju uruar një jetë të qetë.'
Ai ishte tërësisht patetik. Letrën e kish shkruar veç prej egos që i qëndronte përtej flluskës së ekzistencës, e fjalët e pakta me shkronjat e dredhura prej trishtimi ishin të tmerrshme njëlloj siç e kisha imagjinuar.

Edhe unë ndër të tjerë qeshë trishtuar prej largimit. Një pjesë e imja kërkonte të rebelohesha e të inatosesha me mamanë por po ajo pjesë ishte e ekzaltuar që nuk ishte më një barrë për lumturinë e saj.

"Më ka marrë mallli por kanë kaluar kaq shumë vite Bri. Po sikur ajo të mos dojë të më shohë? Ose më keq, të hiqet sikur jam një askushi për të."

"Ti je krejt e marrë Ema. Ç'i ke këto që thua? Ajo është nëna jote dhe jo ndonjë ish psikopat."

"Pra ti e ke gjetur se ku banon dhe do që unë ti bëhem barrë për ca kohë?"

"Ti je një vajzë e rritur tani Ema. Pastaj unë nuk do të të lë vetëm për asgjë në botë. Qëndrojmë bashkë për pak kohë në Middelburg dhe më pas shohim e bëjmë."

Doja të bëja sikur isha e surprizuar, ama duke e ditur sa shumë e adhuronte ajo Hollandën, nuk më goditi aspak emri i qytezës ku strehohej. Isha veç e lodhur. Brendon më vendosi dorën mbi faqe dhe më buzëqeshi shumë ëmbël. Çunak mendova dhe i dhurova edhe unë një buzëqeshje veçse të zvarritur.

"Bri, ime më mbante gjithnjë në çantë një bllok ku shënonte mendimet. Unë normal që fshehurazi i kam hedhur një sy. Çdo fletë kishte nga një lule të ndryshme të vizatuar e nën të emrin e saj."

"Domethënë për nga çmenduritë i ke ngjarë tët ëme."

"Jo, idiot. Po mundohem të them që ndoshta prej atyre luleve u largua."

Pasqyrë Mbi Liqen |✔|Where stories live. Discover now