Prolog

289 39 170
                                    

Ishte një mbrëmje e ngrohtë tetori. Netët e ngrohta në atë muaj në qytezën e vogël të Roçester Hills ishin të rralla, por të bukura. Për herë të parë në kushedi sesa javë qielli nuk kishte asnjë re, dhe dukej qartazi Rruga e Qumështit dhe yjet e tjera përreth. Ndoshta ishte një mbrëmje që natyra e kishte përgatitur posaçërisht për atë natë. Era frynte lehtë sa për të rikujtuar stinën e vjeshtës. Asaj gjithmonë i pëlqente atmosfera që krijohej atje; fëshfërimat e gjetheve të thata dhe ajri që të mbushte mushkëritë. Nuk shkonte shpesh në Roçester Hills të takonte gjyshërit, dhe jeta e mbyllur në mes të katër mureve në një nga qindra pallatet e Detroitit i kishte ardhur në majë të hundës.

Përgatitjet sapo kishin nisur. Torta nuk kishte ardhur ende, megjithatë vendi ishte dekoruar dhe anë e mbanë era merrte tullumbacet ngjyra-ngjyra që sapo ishin vënë.

-Kjo erë paralajmëron stuhi, -ktheu kokën dhe pa të atin që qëndronte mbrapa saj.

-E pamundur babi, qielli është kaq i kthjellët saqë duken të gjitha yjet, -tha pa i shkëputur sytë nga kupa qiellore. Ndoshta asaj i dukej ashtu sepse Detroiti ishte mjaft i ndotur nga tymi i makinave dhe industrive, aq sa çdo natë atje dukej e vrenjtur. Ndërsa Roçester Hills nuk kishte as zhurma makinash, as trafik, dhe as ndotje. Kishte vetëm qetësi dhe ajër të pastër. Gjithçka që i duhej asaj në ato ditë stresi që po kalonte në shkollë.

-Do të ta kujtoj kur të ndodhë, -i tha ai dhe buzëqeshi lehtë. -Eja tani, është thuajse mesnatë. Edhe torta erdhi.

Ajo pohoi me kokë dhe ndoqi të atin. Motra e saj e vogël atë natë kishte ditëlindjen. Si një familje e pasur dhe e njohur për bizneset e tyre, Tantlerët mund ta festonin ditëlindjen e së bijës në vendet më të shtrenjta e përrallore, por zgjodhën ta kalonin këtë kohë të mrekullueshme me të afërmit e tyre në Roçester Hills.

-Enrika, si vazhdon me shkollën? -e dinte që do ia bënin atë pyetje herët a vonë, por gjithmonë e urrente.

-Mirë, -u përgjigj me gjysëm zëri pa dashur të fliste më tepër.

-Është nxënëse e shkëlqyer, -gënjeu e ëma. -Të gjitha mësueset e lavdërojnë dhe e duan shumë. Edhe ne si prindër jemi krenarë për të, -e vërteta qëndronte shumë më ndryshe. Enrika i kishte lënë me dhjetra herë orët e mësimit dhe mësueset nuk i përfillnin të tilla gjëra vetëm për faktin se vinte nga një familje e pasur. Asaj nuk i pëlqente kjo gjë, nuk i pëlqente shkolla dhe as jeta që kishte. Vetëm motra e saj e vogël i zbukuronte ditët e saj, dhe vetëm atë donte më shumë se gjithçka tjetër.

-Epo është mbesa ime ajo, normalisht që do të jetë më e mira, -gjyshja e saj nisi të mburret me diçka që nuk ekzistonte. Enrika vendosi të heshtte për pjesën e mbetur të asaj bisede, duke shpresuar se vëmendja e tyre do të largohej nga ajo dhe do të përqendrohej diku tjetër.

-Mami, dua tortë! -tha vajza e ditëlindjes, Elia e vogël duke përplasur këmbët në dysheme.

-Prit, zemër, kur akrepat të shënojnë dymbëdhjetë, do të të urojmë ditëlindjen dhe pastaj do e ndajmë tortën, -i tha e ëma. Ajo hodhi pirunin tutje dhe vari buzët e mërzitur. Enrika shfryu e bezdisur dhe iu kthye.

-Është e vogël, nuk i kupton këto fjalët e tua intelektuale. Elia, do e presësh motrën ta hamë tortën bashkë? Se pastaj mua nuk më ngelet gjë, -e motra buzëqeshi sërish dhe pohoi me kokë.

-Mirë, -i tha dhe e mori sërish pirunin në dorë, dhe nguli një patate nga pjata.

Ndërkohë era që më parë ishte e ngrohtë nisi të bëhej më e fortë dhe temperaturat nisën të uleshin. Ushqimet në tryezën e shtruar jashtë po i merrte era dhe nuk po i linte qirinjtë të rrinin të ndezur.

Melodi errësireWhere stories live. Discover now