Bashkëpunëtorë të rinj

98 27 32
                                    

V

Asnjëherë nuk do të më shkonte në mendje që një ditë do ta gjeja veten në një pozitë të tillë, duke hyrë fshehurazi si të jem një kriminele, në shtëpinë e drejtoreshës së shkollës ku studioja, për të vjedhur diçka prej aty. Por të paktën kisha Hedenin. E vetme, e shumta që do arrija, do ishte të bëja zhurmë duke rrëzuar diçka e të përfundoja duke u ballafaquar me sytë e drejtoreshës. Gjithmonë kam zgurdulluar sytë para dokumentarëve të vrasësve serialë, duke ëndërruar të merresha me çështje të tilla. Megjithatë, nuk e kisha menduar se do të isha në atë pozitë me të vërtetë. Kjo gjë për mua ishte sa emocionuese, aq edhe drithëruese. Dhe vendi ku ndodhesha më bënte më shumë ta besoja këtë të fundit.

Kishte diçka të çuditshme dhe të frikshme me atë shtëpi, që hera-herës të zhyste në vetmi totale, e të tjera herë të bënte të ndiheshe se nuk ishe aspak vetëm. Ndoshta ishte errësira në të cilën unë dhe Hedeni ndodheshim, ndoshta zhurma e tmerrshme e grilave që i godiste si e çmendur era, ndoshta paniku që na kishte kapur se po bënim diçka të gabuar. Megjithatë, shtëpia duhet të ishte tejet e vjetër, duke qenë se si për dreq çdo dërrasë e mundshme do të kërciste, nëse ne nuk do të qëndronim mbi dysheme si të ishim pupla. Natyrisht që çdo gjë do të ecte kundër nesh, vetëm shpresoja të mos shkonte deri aty ku plani ynë të dështonte. Ose ndoshta në fund të fundit, isha duke ekzagjeruar gjithçka nga frika.

Kishim hyrë tashmë në një nga dhomat e drejtoreshës, ku sipas Izit, ajo duhet të ishte zyra ku drejtoresha punonte nga shtëpia. Izi kishte qenë disa herë atje, në mbledhjet që drejtoresha kishte organizuar. Kjo na çonte të mendonim se ndoshta aty do të gjenim diskun që na duhej. Po mundohesha të mos bëja zhurmë me dosjet që i kaloja nga një tavolinë në tjetrën, por as kjo nuk ishte në anën time, pasi drejtoresha që duket aq e rregullt dhe korrekte, kishte bërë një rrëmujë të tillë në të cilën mund të humbisja edhe vetë. Ishte e çuditshme se si mund të gjeje aq shumë dokumente, kur të njëjtën sasi e kisha parë edhe më parë në zyrën e saj në shkollë. Kurrë nuk do të më shkonte në mendje se një ditë do t'u kushtoja aq rëndësi një grumbulli me letra, mirëpo nuk thonë kot se asnjëherë nuk mund ta dish se me çfarë të përball jeta.

Hoqa dorë nga kërkimet e kota. Nëse ai disk ekzistonte, nuk mund të ishte aty. Me shumë mundësi do të ishte ruajtur mirë në një vend që nuk do të na shkonte në mendje as mua, as Hedenit. Gjithmonë, nëse ekzistonte. Shfryva dhe hoqa duart nga grumbulli me letra për të lënë të qartë se isha dorëzuar. Hedeni disi u lehtësua nga kjo.

Ktheva kokën në rrotullim thuajse të plotë, për të parë edhe një herë përciptazi gjithë dhomën. Në sekondën tjetër, më ndali zemra nga frika, si të kisha parë një fantazmë. Të them të drejtën, do të isha më e qetë nëse do të ishte e tillë.

-Rohana Grifin, dyshoj të jesh në gjendje të shpjegosh arsyen pse ndodhesh në shtëpinë time. Në zyrën time. Duke kontrolluar gjërat e mia. Vjedhurazi. Nën shoqërinë e ... -ndaloi për disa sekonda dhe hodhi sytë drejt Hedenit, i cili qëndronte pas meje.

-Heden. Heden Uajat, -u përgjigj duke kruar fytin.

Edhe një herë kisha dështuar. Kudo të ndodhej ai disk, nuk do ta merrja dot kurrë. Përveç kësaj, ndodhesha në telashe të mëdha.

Ndoqa drejtoreshën e cila doli nga dhoma duke ruajtur qëndrimin e akullt, që me shumë mundësi ishte arsyeja e ruajtjes së vendit të punës gjatë gjithë këtyre viteve në gjimnazin e Roçester Hills. Nuk dija ç'të bëja tjetër. Ndërkohë po shpresoja të humbiste sa më shumë kohë duke u sorrollatur, kështu do të kisha mundësi të gjeja një gënjeshtër të besueshme. Nëse jo unë, të paktën Hedeni do e bënte. Kaluam nëpër korridorin e errët dhe u pengova disa herë. Kjo e bëri drejtoreshën të më shihte me përçmim, por në ato momente nuk ishte problemi më i madh që kisha.

Melodi errësireWhere stories live. Discover now