Të dhëna që s'i shohim

103 30 58
                                    

IV

Ndodhesha në drejtori. Jo sepse lashë orën e psikologjisë. Profesor Parkeri nuk kishte thënë asgjë, dhe mesa më thanë, gjithçka ishte mbyllur aty. Por pavarësisht kësaj, ndodhesha në drejtori. Me dëshirën dhe vullnetin tim të plotë, dhe me Hedenin në krah i cili nuk mund të më linte vetëm kurrsesi. Qetësia në të cilën zyra kishte rënë ishte e vetmja gjë për të cilën kisha nevojë në ato momente, plus ca kohë shtesë ose ndonjë gjë që do ta vononte drejtoreshën të vinte aty.

-Ro', -priti sa të mund ta shihja në sy, -je e sigurt? -Hedeni asnjëherë nuk do të ishte i sigurt, por nëse nuk nisja që aty, nuk mund të nisja askund tjetër. Nuk kisha zgjidhje tjetër, dhe këtë i thashë edhe atij.

-Videoja e ditëlindjes së Elias nuk më solli asgjë, Heden. Është shumë errësirë për të nxjerrë qoftë edhe një të dhënë. Duke qenë se kjo nuk funksionoi, shpresat nuk i kam askund tjetër veçse te regjistrimet e kamerave për vrasjen e dytë. Të cilat ndodhen vetëm këtu, -ai thjesht tundi kokën. Hapat që dëgjoheshin jashtë në korridor, shpeshherë më frikësonin. Do të kisha dashur ta dija zhurmën e hapave të drejtoreshës, por të gjithë hapat më dukeshin njësoj. Njësoj të frikshëm dhe njësoj të zhurmshëm.

Fillova të kontrolloja sa të mundja nëpër sirtare, por nuk nxitoja dot shumë, pasi po përpiqesha të mos bëja zhurmë. Edhe Hedeni po më ndihmonte. Aty kishte me mijëra fletë të pakuptimta, dokumente të cilat kishin vite e vite të tëra atje, dhe që me siguri nuk hynin më në punë, dokumente të ngjashme, dokumente të njëjta, dokumente në dukje të pavlera. E të gjitha s'bënë gjë tjetër veçse më ngatërruan mendjen më keq. Çfarëdo profesioni të kisha në të ardhmen, e dija që nuk do të ishte asgjë që do të kishte lidhje me shkollën apo institucione të tjera.

Disqet me imazhet e ruajtura i gjeta vetëm në sirtarin e fundit në të djathtë, poshtë disa dosjeve boshe. Shpresoja që ta gjeja atje sa më shpejt çfarë më duhej. Sa më shumë qëndronim atje, aq më shumë shqetësohesha. Derisa dera u hap papritur. Aq papritur sa nuk kisha mundur të dëgjoja as hapat, as lëvizjen e bravës. Në ankth mbylla sirtarin dhe sytë për të mos u përballur me shikimin e drejtoreshës, apo kujtdo që qëndronte pas asaj dere. Shpresoja shumë të mos ishte ajo. Por kush tjetër përveç saj dhe disa të çmendurish si unë dhe Hedeni do të hynin atje?

-Çfarë bëni ju këtu? -zëri i vrazhdë mu duk shumë i njohur, por arrita ta kuptoja kush ishte vetëm pasi hapa sytë. Shasta Otego, nxënëse e një klase paralele, por që e kisha në disa lëndë me zgjedhje. Të them të drejtën, asnjëherë nuk e kisha pëlqyer atë njeri. Zihej kot së koti me këdo dhe e dija se së shpejti do të zihej edhe me mua. Vetëm shpresoja që ajo së shpejti të mos vinte në atë moment.

-Po presim drejtoreshën, -i tha Hedeni shkurt. Por mund ta shihja nga vështrimi i saj që të jepte përshtypjen se urrente këdo që shihte, se biseda nuk do të mbaronte aty.

-Po prisni mësuesen, duke kontrolluar në gjërat e saj? -nuk e di se me çfarë parimi jetonte ai lloj njeriu, por kishte një qëndrim që më bënte të mendoja se ishte vërtet shumë më e madhe se unë në moshë dhe se ishte në fakt një mësuese, e jo një nxënëse.

-Drejtoreshën, -korigjoi Hedeni. -Po, në këtë mënyrë po e presim, -ai dukej mjaft i qetë, ndërkohë që unë heshtja pasi kisha frikë se ajo do të na prishte punë. Hedeni nuk e njihte Shastën, as unë nuk i kisha folur ndonjëherë për të. Ishte njeri vërtet i lig, që kënaqej vetëm duke iu prishur punët të tjerëve.

-Po bukur shumë, -tha ironikisht me një ton që mu duk sikur do të largohej së shpejti. -Rohana, ta ka ngrënë macja gjuhën? -por largimi i saj sa më shpejt nga ai vend nuk ishte gjë tjetër veçse fantazi e imja. Nuk doja fare të flisja. Shasta po më stresonte jashtë mase dhe po më humbiste gjithë kohën që e kisha kërkuar me aq ngulm. Doja vetëm t'i shmangesha.

Melodi errësireOnde histórias criam vida. Descubra agora