Kohë e çuar dëm

74 24 18
                                    

IX

Tre viktima. Ajo ditë shënoi për herë të tretë një familje të zhytur në gjak, një fëmijë të vdekur, një jetë të marrë mizorisht. Ajo ditë vërtetoi për herë të tretë se sa i ligë dhe i paparashikueshëm mund të jetë shpirti njerëzor; i njëjti shpirt që qesh, qan, dëfrehet, punon, gëzon dhe dashuron. I njëjti shpirt që mund të sakrifikohet për të shpëtuar jetë, i merr ato si të ishte gjëja më e thjeshtë në botë.

Në rrugë nuk kishte asnjë njeri. Asnjë kafshë nuk denjonte të kalonte rrotull, asnjë gjethe nuk denjonte të rrëzohej përdhe. Sikur koha të kishte ndalur posaçërisht për të mbajtur zi për vajzat e vogla fatkeqe. Qyteti s'kishte qenë kurrë më parë aq i qetë. Kurrë më parë, vdekja s'kishte qenë më pranë nesh se jeta. Rrugët kishin vdekur, qyteti kishte vdekur, në njëfarë mënyre, një pjesë e të gjithëve ne kishte vdekur bashkë me tre engjëjt e pafajshëm. Kushdo të ishte shkaktari i gjithë kësaj tragjedie, i uroja me gjithë qenien time vdekjen më të ngadaltë dhe më të vuajtshme. Megjithatë, asnjë dënim nuk do të ishte i mjaftueshëm për një krim të tillë.

Kishin kaluar dy ditë që nga ngjarja e fundit por në të vërtetë dukeshin si dy shekuj. Gjendja ime psikologjike ishte përkeqësuar edhe më shumë dhe gjithçka rëndonte më tepër se kurrë. Nuk më linte të qetë mendimi se nëse do të kisha bërë diçka atë ditë të mallkuar në shkollë, ndoshta Elia Tantler do të ishte e vetmja viktimë.

Kisha kaq shumë për të bërë dhe aspak kohë. Brenda këtyre dy ditëve gjithçka kishim mundur të zbulonim, ishte se profesor Parkeri nuk kishte qenë në vendngjarje ditën e vrasjes. Mesa dukej, ai kishte qenë në Romë për një udhëtim javor dhe ende nuk ishte kthyer në shkollë. Kjo e përjashtonte menjëherë dyshimin e hedhur se ai mund të kishte qenë vrasësi, por edhe kjo nuk na çonte asgjëkundi. Vajza e tij Megani nuk kishte udhëtuar së fundmi këtë fundjavë. Megjithatë, as Hedeni dhe as Izi nuk e kishin parë në park atë ditë, edhe pse askush nuk do ta vinte re ekzistencën e saj rreth e rrotull.

Nuk ndihesha mirë. Megani ka qenë gjithmonë disi e çuditshme, por një vrasëse? Të njihje një vrasëse potenciale nga afër tingëllonte shumë surreale, aspak e vërtetë. Por nga ana tjetër, kështu tingëllonte edhe vrasja e fëmijëve të vegjël. Duhet të ishim përgatitur për gjithçka, dhe në fakt, kështu bëmë. Kishte ardhur momenti të luanim me zjarrin, dhe edhe pse ndoshta me vonesë, zgjodhëm të hidheshim në veprim.

Këto ditë orët e mësimit më dukeshin më të gjata se kurrë pasi isha e përqëndruar në ajo çfarë do të bënim kur mësimi të mbaronte. Ndaj, si asnjëherë më parë, zilja që lajmëronte mbylljen e mësimeve më lehtësonte jashtë mase. Ishte ky tingull dhe pak a shumë zëri i Izit që më nxorri nga mendimet e shumta në të cilat kisha rënë sërish.

-Ro', a do të ikim të bëjmë atë që the? - vura re se ishim të vetmet që kishim ngelur në klasë. Ndoshta duhet të kërkoja një terapiste për zhvendosjen nga realiteti që po përjetoja së fundmi, por tani për tani nuk ishte ky prioriteti im. Për momentin, shpresoja vetëm që gjendja ime të ishte e qëndrueshme mjaftueshëm derisa vrasësi të gjendej. Pohova me kokë dhe bëra gati çantën për të dalë. Në korridor u ndesha me Hedenin.

Rohana! - u sul drejt meje i shqetësuar dhe më përqafoi fort. -A ka mundësi t'u përgjigjesh mesazheve të mia? A e di se sa i shqetësuar kam qenë për ty? Si ndihesh? -bënte pyetje por nuk më linte vend për përgjigje. As unë nuk dija ç't'i thoja. Më mbetej vetëm të prisja të më kuptonte siç kishte bërë gjithmonë.

-Eja, -më kapi krahun dhe bëri të ecte përpara, -do që të dalim për një shëtitje? Me atë rast edhe flasim.

-Më vjen keq, Heden, -largova me ngadalë krahun nga dora e tij. -Unë dhe Izi do të takojmë Meganin në kantinë. Ajo është e vetmja e dyshuar tashmë dhe do të përpiqemi të nxjerrim ndonjë të dhënë prej saj. Nëse ajo është vrasësja, Roberti është duke pritur për konfirmim nga momenti në moment. Do të arrestohet dhe çështja do të marrë fund, -kisha krijuar në kokën time një skenar të tërë, edhe pse nuk isha e sigurt për asgjë që mund të ndodhte.

Melodi errësireWhere stories live. Discover now