Vrasësi është midis nesh

96 27 33
                                    

VI

Roçester Hills nuk kishte qenë kurrë më parë aq i zhurmshëm. Një provincë e heshtur ku asgjë interesante nuk ndodhte asnjëherë, vendlindja ime shpesh ngatërrohej me qytetin e Roçesterit në Nju Jork. Ndërsa tani, brenda pak ditësh gjithçka kishte marrë tjetër kuptim. Rrugët e heshtura të qytezës kishin marrë një pamje drithëruese, një vrasës endej i lirë tashmë në to.

Nuk mund të mendoja gjë tjetër. Ditën e vrasjes së shtatë vjeçares asnjë person nuk kishte hyrë në shkollë, përveç stafit dhe studentëve. Sipas Robertit, logjikisht kjo të çonte vetëm në një përfundim. Vrasësi ishte midis nesh; mund të ishte madje dikush që e kemi parë dhjetëra herë në korridoret e shkollës, duke mos menduar kurrë se duart e tij mbanin gjakun e fëmijëve të pafajshëm. Vrasësi ndodhej midis nesh. Kjo gjë më tmerronte, aq sa nuk më linte të qetë asnjë sekondë. Kisha parë shumë filma, por kjo ishte ndryshe. Ndihej ndryshe. Ishte një ndjenjë që kërkonte të të mbyste me doemos, pavarësisht se sa shumë përpiqeshe të shpëtoje.

-Rohana Grifin! -e njihja mirë zërin e ashpër që u përpoq të më kthente me këmbë në tokë. Ajo çfarë më çudiste, ishte fakti që ishte aty. Kishte ardhur në punë. -Nuk e di se si shpëtove nga dënimi për krimin tënd, por nuk kam për ta lënë me kaq. Ti dhe ai djali tjetër i gjatë do ta paguani për hyrjen në atë mënyrë në shtëpinë time. Do t'jua nxij jetën, keni për ta parë.

Pa pritur që unë të reagoja, nxitoi para me hapat e saj karakteristikë dhe zhurmën e rëndë të këpucëve. Nuk kisha patur kurrë të bëja me drejtoreshën, por sa vjen e më dukej njeri i çuditshëm. Shumë i çuditshëm. Por nga ana tjetër nuk mund t'i vija faj. Kishte përjetuar një humbje të madhe dhe natyrisht që pasojat do të ishin shumë të rënda.

Vazhdova të ecja në korridoret e heshtura të shkollës, ku çdo gjë, përfshirë edhe pikturat në mur, dukej e frikshme dhe e pasigurt. Vrasësi ndodhet midis nesh, mund të jetë kushdo. Kjo ishte fjalia e vetme që më përsëritej pa pushim në mendje, sikur të luhej qëllimisht për të ma bërë më të vështirë situatën. Ndihesha vetëm.

U përpoqa të kaloja orët e mësimit duke u fokusuar në ndonjë fjalë në libër, por ishte e kotë. Duhet të takoja sa më parë Robertin dhe të shihja diskun me filmimet e kamerave. Shpresoja të gjeja diçka, diçka që të më krijonte një shteg dyshimi. Kisha folur me Hedenin për të shkuar pas mësimit në komisariat. Orët po më dukeshin më të gjata se kurrë dhe mezi po prisja të mbaroja. Izi e vuri re gjendjen time dhe më foli me pëshpërimë.

-Rohana, a je mirë? -tunda kokën konfuze. Nuk dija çfarë supozohet t'i thoja. Ajo ende nuk dinte asgjë. Nëse merrte vesh se vrasësi me shumë siguri ndodhej në shkollën tonë, e mund të ishte dikush që e njihnim, do të shkatërrohej.

-Po përpiqem, Izi. Por nuk jam aspak e qetë. Nuk rri dot pa menduar për atë ditë. Ndihem fajtore, -sytë e saj nuk më kishin parë asnjëherë me një keqardhje të tillë. Ndoshta dukesha vërtet keq.

-Mundohu sadopak ta mbash trurin larg këtyre mendimeve. Larg kësaj çështjeje. Le të bëjmë diçka bashkë, si thua? Eja pas mësimit në shtëpinë time, të bëjmë punime dore, -e vlerësoja shqetësimin e saj, por ishte e pamundur për mua të dilja nga ajo çështje.

-Më fal, Izi. Pasdite do të shkoj me Hedenin në komisariat. Do të shohim filmimet e asaj dite, -ajo tundi kokën në shenjë mirëkuptimi, edhe pse hija e shqetësimit ishte ende e dukshme në sytë e saj të fshehur pas syzeve me skelet të trashë.

-Po i bën dëm vetes, Ro', kam frikë se do të të ndodhë ndonjë gjë e keqe, -vetë mendimi e trembi dhe më përqafoi menjëherë.

-Nuk më gjen gjë, jam e kujdesshme, -u mundova ta qetësoja pa u shkëputur nga përqafimi. Ajo u mundua të shtirte një buzëqeshje për të fshehur gjithë shqetësimin dhe më kërkoi të bëja kujdes.

Melodi errësireWhere stories live. Discover now