Një herë më shumë

161 35 156
                                    

I

Ora shënonte gjashtë, por isha zgjuar. Isha mësuar të zgjohesha shpejt, kështu që as ditët pushim nuk më bënin përshtypje. Qëndroja në dritaren time duke parë se si pikat e shiut përplaseshin në xham duke bërë garë se kush ishte më e shpejtë për të arritur fundin. Ditët me shi ishin bërë të njëpasnjëshme dhe vende-vende kishte përmbytje, që pak nga pak po zinin vendin e vrasjes së vajzës së familjes së pasur në lajmet e televizionit. Kishte kaluar më shumë se një javë që nga tragjedia që ndodhi, dhe ende policia nuk kishte gjetur asnjë gjurmë dhe s'kishte asnjë të dyshuar. Hamendësimi më i besuar ishte se vrasja ishte kryer për hakmarrje ndaj familjes; besohej se ishin ngatërruar në biznese të huaja duke vjedhur tendera me kompani fantazma. Çfarëdo që të ishte shkaku, nuk më dukej aspak me vend që kërkimeve t'u jepej fund. Tek e fundit, nuk besoj se do të vritej një fëmijë i pafajshëm për gabimet e prindërve të saj. Është shumë mizore dhe çnjerëzore, por nga ana tjetër mendoj se ekzistojnë lloj lloj njerëzish dhe kur kujtoj terroristët, vrasësit serialë dhe kriminelët, mendoj se s'ka asgjë që qenia njerëzore nuk mund ta bëjë. Pavarësisht se nuk e kisha njohur kurrë familjen Tantler, më erdhi shumë keq kur mësova për vdekjen e vogëlushes Elia, sidomos për motrën e saj. Duhet ta kishte shumë të vështirë ta përballonte humbjen e saj. Nuk e imagjinoja dot çfarë mund të bëja nëse ndonjë person i rëndësishëm për mua do të vdiste në atë mënyrë.

U ngrita me të shpejtë dhe shpëlava sytë për të larguar ato mendime negative nga mendja. Ndoshta isha duke e ekzagjeruar shumë këtë situatë duke qenë se jam e apasionuar pas kriminalistikës, ose ndoshta nuk kisha asgjë më të mirë për të bërë se shkollat kishin një javë që ishin mbyllur; gjë që më dukej budallallëk. Shkollat do ishin gjëja e fundit që mund të kishte të bënte me atë çështje. Por gjithsesi, isha e lumtur që sot do të rihapeshin. Jo se isha ndonjë adhuruese e madhe e shkollës, por mbyllja në shtëpi për ditë të tëra po më mbyste dhe kisha nevojë të ndërroja ambient.

-Rohana, sërish qenke zgjuar më parë se unë, -dëgjova zërin e mamit dhe hapat e saj për në dhomën time. I buzëqesha që të mos lija dyshime se diçka më shqetësonte dhe nisa të bëhem gati për në shkollë, kështu do të shpërqendrohesha. -Mëngjesi është gati.

-Mami, ti e di që unë nuk ha mëngjes, -i thashë paksa e lodhur nga fakti se duhej t'ia përsëritja të njëjtën gjë çdo ditë.

-Në rregull, -ajo nuk këmbënguli. -Bëhu gati dhe dil jashtë, babi po të pret.

Ktheva kokën pak e bezdisur nga fjala e fundit. Isha thuajse tetëmbëdhjetë dhe nuk kisha nevojë të më shoqëronte babi për shkollën që e kisha më pak se dhjetë minuta larg.

-Mos më shiko fare ashtu, e keqja njëherë bëhet, -më tha sikur të më kishte lexuar mendjen. Nuk këmbëngula shumë dhe, edhe pse pak me mospëlqim, rashë dakord me vendimin e tyre. Megjithatë, nuk arrija ta kuptoja dot logjikën e tyre. Nëse dikush do të donte të më vriste, do e gjente mënyrën dhe më e pakta që babi mund të bënte do ishte të sillte në shtëpi trupin tim të vdekur. Shkunda kokën për t'u kthjelluar sërish. Kisha parë shumë filma thriller dhe kjo ngjarja e fundit i kishte vënë kapakun.

-Mami, vërtet mendon se vrasja e Elias ishte për hakmarrje? -mami tundi kokën dhe ngriti supet.

-Nuk e di, por s'ka ç'na duhet neve. Ne të jemi mirë vetë, kaq na mjafton. Të pasurit jetë të tillë bëjnë, -nuk e kuptoja se si ishte shumë e qetë në ato që thoshte. Ndonjëherë mendoja se thjesht njerëzit ishin shumë egoistë.

U vesha me të shpejtë dhe dola për të përfituar nga rasti që shiu kishte pushuar; kështu nuk do të lagesha kur të shkoja në shkollë. Babi ishte jashtë duke më pritur, ashtu siç tha mami.

Melodi errësireحيث تعيش القصص. اكتشف الآن