Viktima e vërtetë

85 26 25
                                    


"Ka vetëm një përfundim - gjërat nuk janë ashtu siç duken"

Xhim Thompson

XIV

-Ro! Rohana? Të lutem zgjohu! Kam nevojë për ty!

Zëri më vinte turbullt, gati i padeshifrueshëm. Ndieja një dhimbje të tmerrshme kryekëput, e cila më turbullonte çdo shqisë dhe e çonte në keqfunksionim. Deri diku më dukej se do villja nga momenti në moment, ndërsa në tjetër çast e ndieja të gjithë trupin e mpirë. Sytë i kisha të mbyllur; nuk doja t'i hapja. Nuk doja të vazhdoja më. Doja të gjeja qetësi në dhimbjen që më kishte kapluar. Doja që ajo mpirje të vazhdonte deri në palcë, të më ndalonte trurin dhe gjakun që rridhte në venat e mia. Por çdo gjë, gjithmonë, punonte kundër meje.

Për të mos iu bindur vullnetit tim, sytë mu hapën ngadalë. Ndjeva diçka të nxehtë dhe të lëngët të pikonte mbi faqet e mia. Përballë, kisha Izin që ngashërehej me zë të lartë. Ishin lotët e saj. Shikimi vrastar që kisha parë pak sekonda më parë - ose më shumë, nuk ia kisha idenë se sa kohë kisha pa ndjenja - nuk ishte më. Në vend të tij, ishte kthyer brishtësia e saj e dikurshme, delikatesa, Izi që njihja. Izi që mendoja se njihja. Sado të përpiqesha, nuk i jepja dot shpjegim asaj që po ndodhte. Do të doja të ishte ëndërr. Kushedi për të disatën herë do të doja të ishte ëndërr.

-Çfarë ka ndodhur? Ku jemi kështu? Çfarë po ndodh! Ro, përgjigju! - ankthi që kishte pushtuar Izin po më tmerronte dhe po më fuste të dridhurat; nuk po kuptoja asgjë. A ishte e gjitha një lojë e saj, një strategji për t'ia hedhur paq me të gjitha çfarë kisha dëshmuar? Ndoshta e tillë ishte. Ndoshta gjatë gjithë kësaj kohe isha gënjyer nga brishtësia dhe ëmbëlsia e saj, pas së cilës fshiheshin duar të përlyera në gjak. Nuk kishte kuptim. Pse Izi? Pse tani? Dhe pse dy versionet e saj ishin plotësisht të ndryshme dhe aq të largëta, sikur të mos ishin mishëruar tek i njëjti trup?

Sytë e saj iu drejtuan të mive, dhe pasqyruan aty frikën që më kishte mbërthyer. Fytyra e saj ngriu në habi: Izi dukej shumë herë më konfuze sesa unë. Pa disa herë përreth, vendi ku na kishte sjellë ishte i ftohtë dhe i errët, dhe ajri i rëndë më digjte fytin. Shtrembëroi fytyrën dhe filloi të merrte frymë me vështirësi, e më pas, me mëdyshje uli sytë për të parë duart që i dridheshin.

-Ro, unë... unë... jam vrasësja? -me të parë gjakun në të cilin ishte përlyer, humbi ndjenjat dhe u plandos mbi trupin tim, duke më bërë të klithja nga frika. Fill pas kësaj, dëgjova sirenat e policisë, që i dhanë fund asaj heshtjeje të kobshme.

Dy ose tre orë më vonë, ndodheshim në komisariat. Deri atëherë më kishte rënë të fikët disa herë rradhazi dhe nuk mbaja mend asgjë nga momenti që dëgjova policinë të vinte. Më kujtoheshin mjegullt shikimet e frikësuara të Hedenit dhe Robertit, shiritat e verdhë, ekspertët mjekoligjorë, zhurma, britma, rrëmujë. Asgjë tjetër.

Ishim në pritje. Roberti po merrte në pyetje Izin në një nga dhomat e tjera, ndërkohë që ne e kishim plotësisht të ndaluar ta shihnim. Hedeni, mami dhe babi ndodheshin aty. Babi më kishte thënë se policia do të kishte njoftuar tashmë edhe prindërit e Izit, që jetonin ende në Nju Orleans. Nuk e imagjinoja dot dhimbjen që do të kalonin ata.

Një pjesë e imja ende dëshironte të shihte Izin. Sillja nëpër mend shikimin e saj të fundit, në çastin që kuptoi gjithçka. S'kisha parë asnjëherë aq shumë frikë në sytë e saj, aq shumë terror. E gjithë jeta e saj kishte humbur në atë shikim. Ai moment më përsëritej në mendje me qindra herë. Tani çdo pjesë lidhej me njëra-tjetrën, panorama ishte e plotë. Shtëpia e Tantlerëve ishte dy blloqe larg shtëpisë së Izit. Në ditën që u vra vajza e drejtoreshës, Izi u largua nga aty shumë pak para se të ndodhte vrasja. Dhe Izi ndodhej në park së bashku me Hedenin, ditën kur u vra viktima e tretë. Gjithçka tani kishte kuptim, përveç asaj më kryesores. Pse do ta bënte Izi diçka të tillë? Pse Izi vrau katër vajza të vogla? Një pjesë e imja nuk donte ta besonte këtë gjë. Një pjesë e imja do të zgjidhte të mohonte gjithçka.

Melodi errësireWhere stories live. Discover now