1• Një mbarim i padrejtë.

143 30 21
                                    

    Kuçova nuk i ishte dukur ndonjëherë aq e vogël, sa ato ditë. Jona shikonte vazhdimisht nga të gjitha anët, ndërsa ecte nëpër qytet, se mos rastësisht ai do ta vinte re dhe nuk do t'i ndahej, derisa të sqarohej me të.

    Kishte ndërruar numrin e saj dhe ishte kthyer në vendlindje, për t'i qëndruar pranë të atit, i cili ishte shtruar në spital që prej një muaji.

    Duhej të priste deri në dhjetor. Pastaj, kur të largohej nga Shqipëria, çdo gjë do ishte më e lehtë. Largësia do ta bindte se tashmë gjithçka kishte mbaruar dhe nuk duhej të shpresonte më për ndryshe. Ishte vetë ajo, që kishte zgjedhur të bënte një rrugë të tillë, për të mbërritur deri në fund dhe tani duhej të pranonte fatin, që i kishte caktuar vetes.

    Ishte i gabuari. E dinte nga thellësia e shpirtit, se duhej të ndryshonte vendim, por kishte frikë. Nuk ishte aq e lehtë, sa dukej, që mjaftonte të thoshte se duhej të merrte guximin, për ta hedhur atë hap dhe çdo gjë do rregullohej.

    Pasiguria e stepte tutje dhe ia veniste kurajon brenda vetes. Po sikur të mos rregullohej asgjë, por të shkatërrohej edhe ajo, që kishte mbetur? Ç'do të bënte atëherë? Si do jetonte me atë peshë të rëndë mbi shpinë?

    Ndihej aq e lodhur nga jeta, sa ndonjëherë vetëm donte të uronte sikur të vdiste dhe të shpëtonte, por një mendim i tillë asnjëherë nuk i thuhej plotësisht brenda vetes.

    Ishte gjithmonë diçka, që e ndalonte dhe e bënte të mendonte, se nuk duhej të dorëzohej. Duhej të luftonte. Zgjidhja ishte duke e pritur diku në të ardhmen me krahët e hapur.

    Motër Jona e shikonte zgjidhjen, por kishte frikë se në të vërtetë ishte shkatërrimi i maskuar si i tillë; një zgjidhje e çdo problemi të saj.

    Rregulloi fustanin e bardhë deri te fundi i këmbëve, vuri çantën e zezë mbi shpinë, vërejti, që veli ngjyrë gri mbi kokë ishte në rregull dhe doli nga shtëpia, për të shkuar në spital.

    Po zbriste shkallët ngadalë dhe po mendonte, se ndoshta ajo po shqetësohej më kot. Jerini do ta kishte kuptuar vendimin e saj dhe kishte hequr dorë me kohë. Mbase ai ishte njohur me dikë tjetër dhe atë kishte filluar ta harronte.

    Edhe ishte vonuar, madje. Kishte mbi pesë vite, që kur ishin ndarë, që ai ende vazhdonte të fliste me të dhe i ishte shprehur qindra herë, se akoma e donte.

    Jona nuk i kishte thënë asnjëherë gjë, ndaj asaj fjalie. Fajësonte veten, që pranonte të ishte në një situatë të tillë, kur e dinte se ishte e ndaluar; që nëse donte të ishte me Jerinin, duhej të hiqte dorë nga të qenit Motër. Por nuk e bënte dot diçka të tillë, kur mendonte se ç'pasoja do kishte më pas ai veprim.

    Jerini kishte ndjenja për gruan, që ai mendonte, se ishte ashtu si para se të ishin ndarë. Kur të zbulonte arsyen e vërtetë, se pse ajo ishte ndarë prej tij, ai me siguri nuk do pranonte, që të ishte më me të dhe në fund do ishte ajo, e cila do vuante.

    Jona ngushëlloi veten me hamendësimin, se ishte në rrugën e duhur. Ajo thjesht kishte nevojë për pak kohë dhe më pas do përshtatej edhe vetë plotësisht me jetën, që kishte zgjedhur të bënte.

    Kur të tjerët t'i thonin, se mendonin që ajo ishte perfekte, sepse ishte Motër, i lutej Zotit, u bënte mirë njerëzve dhe nuk i thyente ligjet, nuk do ndihej tmerrësisht keq dhe mëkatare si në ato çaste dhe në çdo moment, që kur kishte vendosur të bëhej Motër, megjithëse jo me dëshirën e saj të plotë.

    E kishte parë një rol të tillë në jetë si shpëtim për të, pavarësisht paralajmërimit të një zëri të brendshëm, që ishte duke vepruar shumë gabim.

Jepi fund!Where stories live. Discover now