2• Një vazhdim ndryshe.

132 29 13
                                    

    Nuk mund të mos mendonte gjatë kohës, që ecte nëpër rrugë dhe ndeshej me njerëz të panjohur, që sa e sa prej tyre mund të ishin në të njëjtën situatë si ajo; nuk ishin aty, ku donin të ishin, kishin frikë, për të hedhur një hap drejt të panjohurës së rrezikshme, kishin ëndrra të mbetura në sirtar.

    E merrte me mend, se çfarë po kalonin; i kuptonte, sepse kishte vetë një ndjesi të tillë agonie. Rraskapitja dhe përpëlitja e shpirtit, për t'i treguar, që të ngrihej dhe të luftonte për veten, nuk mjaftonin, për ta bindur mjaftueshëm, që të vepronte ashtu.

    - Motër, - vendosja e dorës së Eglës në krahun e saj të djathtë e nxori nga rrjedha e rrëmbyeshme e mendimeve të zymta. - Hyjmë këtu dhe hamë diçka?

    Ajo shikoi fast-food-in djathtas tyre, kushërirën nëntëmbëdhjetë vjeçare, që e kishte ftuar të dilnin bashkë atë pasdite dhe miratoi në heshtje me kokë.

    Siç e kishte zakon, nuk vërejti përreth, nëse kishte ndonjë të njohur aty. Ndoqi me shikim kushërirën e saj, ndërsa bënte porosinë dhe vetëm kur Egla i sugjeroi të uleshin në tavolinën ngjitur murit në të djathtë, shtangu në vend nga hutimi, kur pa Jerinin të ulur pak më tutje me një vajzë me flokët e verdha të shkurtra me shpinë nga ajo.

    Deshi të dilte menjëherë nga aty, por ato e kishin bërë porosinë dhe mendimi se tashmë nuk kishte pse t'i shmangej, ngaqë asgjë nuk e lidhte më me të, e bindi të qëndronte. Jetonin në të njëjtin qytet. Ishte e qartë dhe normale, që do gjendeshin rastësisht në të njëjtin vend ndonjëherë dhe kështu duhej t'i konsideronte edhe ajo takimet rastësore midis tyre, tejet normale dhe jo shenjë, që duhej të mendonte, se, pa i thënë të gjitha të vërtetat, ata do vazhdonin të ndesheshin me njëri-tjetrin.

    U ul e ndierë me zemrën e vendosur mbi gjemba përballë Eglës, i buzëqeshi dhe sytë gjetën vetë rrugën e tyre drejt tij.

    Jerini kishte vënë duart mbi tavolinën e drunjtë dhe po dëgjonte me shikimin e ngulur mbi duart e veta vajzën përballë.

    Xhoana vështroi hetueshëm këtë të fundit, e veshur me kostum klasik ngjyrë rozë sportiv. Duhej të ishte ndonjë nga koleget në punën e tij.

    Dhe ajo duhej të ndalonte së u ndieri xheloze për të. Kishte përshtypjen se Jerini e kishte vënë re, kur kishte hyrë brenda dhe tani po shmangte vështrimin me të.

    Ai ishte dorëzuar.

    Xhoana e kishte imagjinuar, se sa do t'i dhimbte ajo lloj humbjeje, por jo që do vuante kaq shumë. As argumenti, se kështu duhej të ndodhte dhe tani mund të ishte vërtet e lirë, duke mos mbajtur shpresa për ta, se ai e donte, nuk e ngushëllonte më.

    Nuk vlente më tani as fajësimi i vetes, pasi gjithçka kishte marrë fund, por as nuk reshte dot së menduari, se gjërat mund të kishin shkuar ndryshe, nëse ajo do kishte luftuar për një tjetër të ardhme për ta.

    Frika, se ai luftim nuk do mjaftonte dhe, megjithatë, Jerini do ndahej prej saj, e kishte mbajtur të kapluar në burgim për tërë atë kohë dhe ajo nuk kishte guxuar ta hapte derën, për të dalë nga ai burg.

    Ishte bindur se të qëndruarit aty do ta mbante të sigurt. Tani po e kuptonte vonë se zona e rehatisë, ku kishte zgjedhur të qëndronte, kishte qenë shkaku për atë lloj fundi, që ajo ishte përpjekur vazhdimisht, ta shmangte.

    - Ke folur me Rezartën? - zgjodhi të përqendrohej në problemet e dikujt tjetër, për të arritur, që të linte mënjanë të sajst.

    - Jo, - u përgjigj disi vrazhdë Egla.

Jepi fund!Where stories live. Discover now