69• Dashuri toksike.

156 15 14
                                    

    Anila lexoi frikën dhe lëndimin në sytë e Sidorelit, si dhe shqetësimin në vështrimin e burrit majtas tij, që, nga pamja e përafërt fizike me të, ajo dyshoi, se ishte i vëllai, Leonardi.

    Do kishin qenë duke diskutuar për ndonjë temë personale, menduar se ajo i kishte dëgjuar prapa dere prej kohësh dhe, po të mos kishin dalë nga zyra, nuk do ta kishin zbuluar kurrë, veç nëse do iu kishte treguar vetë Anila.

    - Tani erdha, - tha të vërtetën, për t'i qetësuar. E kuptonte më së miri rëndësinë e të pasurit privatësi, për të folur me dikë dhe e respektonte atë kufi të vendosur nga ai person. - Nuk e pashë sekretaren te recepsioni, prandaj s'të lajmëroi njeri, që po vija. Sapo do trokisja.

    Leonardi kërkoi për prova shtirjeje në fytyrën e saj, por nuk dalloi gjë, kurse Sidoreli e besoi menjëherë. Ajo nuk i kishte dëgjuar, kur kishin folur për Amarildon.

    - Si je? - Anila përshëndeti Leonardin dhe mendimi, t'i jepte dorën, qëndroi vetëm i tillë, si një ëndërr e brishtë e mbetur në sirtar për shkak të vetëbesimit të ulët, për t'u bërë realitet. Meqë nuk kishte më asnjë lidhje me Sidorelin, nuk i dukej e përshtatshme, për t'u sjellë joformalisht me një anëtar të familjes së tij.

    - Mirë, - tha i qetë në dukje ai, ndërsa shikonte atë dhe imagjinonte veten në vendin e saj; një vëlla të vrarë, vrasësi akoma i pagjetur dhe një motër të vogël, për të mbrojtur.

    Sa rëndë kishte gabuar! Ai, që ishte vëlla i madh vetë dhe kishte ndierë gjithmonë përgjegjësi për vëllezërit më të vegjël edhe motrën, duhej ta kishte kuptuar më shumë se kushdo tjetër, se sa i vështirë ishte ai rol dhe t'i kishte treguar Anilës të vërtetën për Amarildon, ta kishte shpëtuar nga ankthi, se ishte në rrezik bashkë me familjen dhe mund t'i bënin keq motrës së saj, duke e siguruar, që e gjithat kishte qenë rastësi dhe nuk kishin pasur asnjëherë qëllim, që Amarildo të vdiste.

    Sidoreli kishte dashur të shkonte në polici, por Leonardi e kishte ndaluar me argumentin se ligji mund të ishte në anën e tij, por jo familja e Amarildos. E motra mund të kërkonte të merrte hak, duke ia kthyer me të njëjtën monedhë, me anë të vrasjes së familjarëve të tyre dhe, përderisa nuk kishte asnjë provë kundër tij, Sidoreli duhej të rrinte në heshtje edhe ai e kishte pranuar këshillën e të vëllait.

    Tani Leonardi ishte vonë. Sado leukoplastë të vendoseshin te thyerjet e copave të gotës, shenjat e atye thyerjeve nuk do zhdukeshin kurrë, dhe, sado gëzim të hidhej në atë gotë, asnjëherë nuk do mbahej plotësisht e gjithë sasia për shkak të atyre thyerjeve. Anila do krijonte dyshime, se pse ata nuk i kishin treguar më përpara, nuk kishin dëshmuar në polici dhe vërtet do mendonte të hakmerrej ndaj tyre.

    Po pse kishte ardhur në kompani?

    - Mund të flasim pak tani? - Anila iu drejtua Sidorelit.

    - Jo, sot nuk kam kohë. - tha akullt ai, duke fituar edhe vëmendjen e çuditur të Leonardit mbi të. - Lër një adresë kontakti te recepsioni dhe të lajmëroj vetë, se kur mund të më takosh!

    Ajo përpiloi mendimin, për të mbytur në ujë të Drinit edhe etikën dhe t'i hakërrehej atij, që të mos dukej vetja i fortë, ngaqë po jepte urdhra në sy të vëllait, i cili po e shikonte qortues Sidorelin, se pse po i fliste ashtu asaj.

    - Në rregull, - pranoi, pa u ankuar Anila dhe ai u largua në heshtje.

    - Mirupafshim! - e përshëndeti Leonardi, para se të largohej.

Rrënoja prej VjeshteWhere stories live. Discover now