72• Libër dhe akull.

120 16 2
                                    

    - Anila, do ta marrësh, apo jo?

    - Dua, - u përgjigj ajo akoma me ngurrim.

    - Po pse nuk e merr, pra?

    - Sepse... - Anilës iu pre fryma, sapo shtriu duart përpara. - Nuk mundem. - u dorëzua.

    - Në rregull. Lëre, ta marrë dikush tjetër!

    - Jo, jo! - e ndaloi Sidorelin, kur ai u përpoq, të largohej. - E dua vetëm unë.

    - Atëherë merre!

    Anila kafshoi buzën e poshtme, akoma në mëdyshje.

    - Ti the vetë, se e do. Tani pse po mendohesh? - u habit ai me të.

    - A ka mundësi, të respektosh pavendosmërinë time? - kërkoi e prekur ajo. - Ky libër është super. - bëri me shenjë nga libri në duart e tij. - Por ka një personazh të mirë, që vdes në fund. - Anila mblodhi buzët dhe sytë iu dukën më të qelqtë nga shtresa delikate e lotëve si zemra e një foshnjeje.

    - Nuk ka më tepër rëndësi, sa vite jetë bën, sesa çfarë bën në ato vite, që jeton. - i zgjati librin Sidoreli dhe ajo buzëqeshi ëmbëlsisht e ndierë më e motivuar prej asaj shprehjes, që ta lexonte historinë.

    Mori librin në dorë, pa refleksionet e të dyve pasqyrën drejtkëndore të vendosur majtas saj në njërën nga kolonat në librari, shikoi flokët e saj të lidhur bisht në fillim, pantallonat e gjera rozë aguliçeje, bluzën ngjyrë trëndafili rozë të jargavantë dhe atletet ngjyrë luledielli, që ajo kishte veshur, bluzën e tij të gjelbër pasteli, xhinset gri të hapur të kombinuara me atletet e bardha dhe nën përqafimin e tij iu drejtuan kasës, për të paguar.

    Të nesërmen ai kishte ditëlindjen dhe Anila kishte pranuar ftesën e tij, për të shkuar në festën, që ai do organizonte me familjen.

    Do takonte të gjithë familjarët e Sidorelit, si e dashura e tij dhe po plaste nga emocionet. Akoma ishte në mëdyshje, nëse duhej të ndryshonte veshje, apo të merrte rrobat, që kishte zgjedhur para dy ditësh.

    - Kemi të gjithë ditën të lirë sot. Si dëshiron ta kalosh? - e pyeti ai me të dalë nga libraria në rrugën kryesore.

    - Unë sugjeroj...

    Imazhi në mendje i rrëshqitjes së këmbëve të saj mbi akull i uli vështrimin mbi udhën e shtruar me tulla të kuçërremta dhe ngjyrë gri tymi. E kishte marrë malli, të bënte patinazh dhe tani donte të rifillonte e të krijonte kujtime të bukura me gjërat, që dikur i sillnin në mendje ngjarjet e rënda, që kishte përjetuar.

    - Të shkojmë te patinazhi. - dëshiroi ajo.

    - Në rregull, - pranoi menjëherë Sidoreli. - Ikim!

    Jetës sapo iu shtua më tepër gjallëria e freskët, me të imagjinuar veten duke patinuar dhe shtrëngoi fort e lumtur krahun e Sidorelit, i cili buzëqeshi i ndierë plot energji të mirë nga entuziazmi i saj.

    - Patinon ti, Sidorel? - e pyeti Anila.

    - Jo, - buzëqeshi ai. - Luaj shah dhe më pëlqen basketbolli.

    - Shahu më tërheq edhe mua. Por unë nuk e kuptoj se si humbas. - parashtroi problemin ajo. - I kam gurët e mi dhe të kundërshtarit para syve, e, megjithatë, bëj lëvizje të gabuara.

    - Vërtet, - qeshi Sidoreli. - E humbas dhe unë fillin ndonjëherë.

••••
    Anila u ndie menjëherë si në shtëpi, me të parë pistën e akullt disa metra larg saj dhe njerëzit, që po patinonin, ata që po shikonin të njohurit e tyre nga jashtë pistës edhe me sytë plot energji adrenaline, për të hyrë sa më parë në pistë, mori patinat dhe u përgatit.

    - Je i sigurt, që nuk do vish? - ajo ngriti kokën, të shikonte Sidorelin, i cili po shijonte çdo sekondë të gëzimit të saj si të një fëmije plot me ëndrra dhe dashuri për jetën.

    - Po ta lë të gjithë skenën ty këtë herë.

    Përgjigjia e tij i mori një të nënqeshur dhe shkundje koke.

    - Çfarë justifikimi! - Anila u ngrit në këmbë dhe shikoi veten, se si i rrinin. - Më kishte marrë malli shumë. - eci ngadalë nëpër dyshemenë shin dhe shkoi drejt pistës.

    Sidoreli e shoqëroi deri te hyrja. I mbajti dorën, kur ajo i zgjati të sajën të djathtë dhe i ndenji pranë, ndërsa Anila marshonte ngadalë mbi akull, duke u përpjekur të kujtonte, se si të mbante ekuilibër. Shikoi vazhdimisht nga ai krenar për të, që po e lumturonte veten kështu dhe shumë shpejt vijoi të patinonte pa problem.

    Akulli e mirëpriti vizitoren e paharruar dhe i dhuroi ndjesi të reja gjallërie.

    Ajo përshkoi pistën me shpejtësi dhe ndaloi, kur shqoi të dashurin e saj të mbështetur te muri ngjitur pistës, duke vështruar thellë atë, si të ishte duke i prekur të gjithë trupin me shikim pasionant, që Anilës i përçoi të dridhura nëpër vena, i ngriu rrahjet e zemrës dhe fill më pas përshpejtoi, pa lajmëruar vrullin e tyre, edhe ajo i ktheu Sidorelit po atë vështrim sfidues, që po mendonte në të njëjtën mënyrë intime për të dhe ai vuri buzën në gaz i grishur, për t'u larguar sa më parë nga patinazhi dhe mbërritur të dy në shtëpinë e tij.

    Anila bëri disa manovra në akull dhe me veten të lirë nga prangat, që kishte lejuar, ta mbanin në të shkuarën, mori frymë thellë e ngazëllyer dhe gati, për ta jetuar me gjithë entuziazëm jetën përsëri, u nis drejt daljes së pistës, për të shkuar te Sidoreli.

    Ishte e lumtur, që i ishte dhënë mundësia, të vriste metaforikisht dhe nuk kishte qenë tepër vonë si shumë njerëz të pafajshëm, të cilëve u kishte mbetur si alternativë shpëtimi, vetëm të vrisnin njerëz në kuptimin e plotë të fjalës, për të mos humbur përfundimisht.

    Tashmë e kishte kuptuar dhe ishte betuar, që nuk do stepej kurrë nga e vërteta. Kur t'i duhej, ta vriste diçka, sepse rrezikonte ajo gjë, t'i jepte Anilës fundin përfundimtar, nuk do ta sakrifikonte veten; do merrte vendimin e duhur. Do ta shpërfillte atë mundësi, largonte atë njeri toksik nga jeta e saj dhe hiqte dorë nga një ves, që donte ta shkatërronte.

    Sepse nuk ka rrugë tjetër, për t'ia dalë mbanë vërtet për veten dhe ata, që duam e na duan. Ndonjëherë duke bërë shumë zhurmë e ndonjëherë në heshtje, si një pikë, kur vendoset në fund të një fjalie, duhet të vrasim, para se koha të mbarojë dhe fundi i saj të na vrasë neve.

Rrënoja prej VjeshteWhere stories live. Discover now