71• Përqafim i dy kohëve.

119 17 12
                                    

    Anila ishte përpjekur të largohej nga beteja e luftës, ku e kishin kredhur me pa të drejtë, sapo ishte plagosur, Sidoreli ishte ofruar ta ndihmonte, ajo kishte kuptuar, që ai kishte qenë një nga arsyet se pse ajo ishte ndodhur në atë fushëbetejë dhe tepër vonë kishte zbuluar edhe diçka tjetër; që pjesë e asaj lufte paskësh qenë bërë pa dëshirën e vet edhe motra e saj!

    E përqendruar vetëm në dhimbjen e plagëve të veta, nuk e kishte parë Visarën, duke vuajtur. Me siguri kishte qenë pesha e fajit, ajo që do ta kishte motivuar shpesh, për t'u dukur e fortë, kur të tjerët nuk ishin, nga akuza e heshur, se për shkak të saj kishin rënë në atë gjendje.

    - Nuk desha t'i bëja keq! - u betua mes ngashërimave Visara. - Vetëm i thashë që, meqë kishte kohë, pa ardhur, të rrinte gjithë nëntorin në Shqipëri dhe në dhjetor të largohej, përderisa nuk i dihej se kur do vinte sërish. Edhe mami dhe babi do gëzoheshin nga ajo surprizë dhe Ildo pranoi. Nuk e dija, që i kishin ngritur kurth.

    - Mjaft, - mërmëriti e pafuqishme Anila, për të dëgjuar më tepër. - Mos fol më!

    Mbylli sytë, për të mbledhur veten dhe heshtja absolute për disa çaste i erdhi në ndihmë, që të qetësohej, por u habit nga ndjesia sikur po binte në hapësirën boshe të errësirës së pavetëdijes dhe nuk mundi të mbahej askund, për të ardhur në vete.

    - Ania!

    Zëri i Visarës e tërhoqi drejt sipërfaqes dhe Anila hapi sytë ngadalë, për t'u përballur me imazhin e turbullt në vagëllimë të saj. Vështrimi iu bë më i qartë dhe atëherë mundi të dallonte zemërimin, që kishte ajo në sy.

    "A merr vesh ti, moj?" - lexoi fjalët në fytyrën e saj.

    Mos ishte zënë me të dhe nuk po i kujtohej për momentin?

    E besonte. Nuk kishte fare dyshime, që kishte ndodhur ashtu, por për momentin nuk e mbante dot mend. E njihte veten shumë mirë. Gjithmonë kishte preferuar t'i zgjidhte gjërat me komunikim të qetë dhe paqësor, ama, kur e kuptonte se kundërshtari donte patjetër dhunë, atëherë sigurohej, që të mos e përfundonte një debat, pa e traumatizuar psikologjikisht armikun.

    Visara do ishte lënduar prej saj dhe ishte përpjekur ta mundte në të njëjtën mënyrë, Anila kishte mbyllur sytë, për t'u qetësuar pak, por truri nuk e kishte ruajtur si kujtim në kohë atë konflikt.

    Përgatiti fjalë ndjese dhe fytyrë të trishtë, për t'i kërkuar falje Visarës edhe betuar se nuk kishte pasur për qëllim, ta mërziste. Vetëm për një moment e kishte humbur toruan padashje, por do ta shlyente.

    Fjalët iu shtjelluan të gjitha vetëm në mendje, pasi dy duar të forta të vendosura në bark, nuk e lanë t'i thoshte me zë; e tërhoqën drejt divaneve në sallon, për ta ulur aty.

    - Sidorel, - iu kujtua menjëherë, që e donte, kur shikoi në të majtë, për të parë se kush po e mbante dhe ai dukej tejet i shqetësuar.

    E kishte parë dhe ai, duke debatuar? Sa keq do ishte ndierë nga energjia negative e dhënë prej saj! Ajo hipotezë ia shtoi helmin urrejtjës ndaj vetes.

    Sidoreli e ndihmoi, të ulej mbi divan.

    - Silli një gotë ujë! - i kërkoi Visarës dhe ajo iu bind menjëherë.

Rrënoja prej VjeshteWhere stories live. Discover now