7

71 16 23
                                    

Ajo copëz letre më nxehu të gjithë trupin e për një moment ndjeva stomakun të më trazohej. I ftohti i fustanit të qullur në shi më shtrëngonte t'i rikthehesha dhomës sime, por mendja më dërgoi në ballo ku mbaja kokën mbështetur në përqafim të tij duke dëgjuar rrahjet e një zemre që udhëtonin për mua.

Ajo copëz letre nuk më shqitej as kur vendosa të shkoj të bëj një banjo me ujë të nxehtë në banjon turke të qytezës. Isha mësuar me vajzat e reja bardhoshe që ngjisnin letra me mjaltë në këmbët e tyre apo gra gjysëm të veshura që mbulonin gojën me dorë e flisnin për të tërë qytetin. I pata dëgjuar të flisnin njëherë për njëfarë Bela të cilën më vonë e kuptova që ish pastruesja e xhaxha Gordit.

"Përvidhet dritareve natën e ngjitet në krevate martese, për tu dashuruar me burra për të rrëmbyer më vonë para, bizhuteri e rroba të grave të tyre të cilat gatuajnë në katin e poshtëm."

Më kullonin bulëza djerse teksa bëja sikur nuk arrija të dëgjoja ç'flitej përqark. Letra e Z. Tommas më përvlonte kraharoin nga ana tjetër. Të tilla letra nuk i kisha marrë asnjëherë, prandaj edhe nuk dija ç'të bëja përveçse ta lija veten të më reagonte kaq hutuar.

Pasi fërkova flokët e shkurtër dhe i shpërlava me ujë të nxehtë u mbështolla me peshqirin e hollë dhe dola nga aty.

Qyteti në qendër mbështillej nga ndërtesa jo fort të larta por të ndërtuara bukur. Nuk kisha zbritur shpesh herë në qendër, nuk më pëlqente boshllëku që më falte qyteti, prandaj edhe kur ngjitesha në kodër i qëndroja me kurriz dhe vështroja malet përqafuese dhe horizontet e lakuara.

Kur dola e veshur me fustanin nën gjunjë të verdhë, me kraharorin tërësisht të hapur e një kapele me lule të bardha tërë sytë e grave të qytetit më vështronin vëngër. Disa fustane pasi i blija i qepja nga fillimi, ndërsa kapelet i bëja me copëzat që më tepronin. Nuk kisha luksin të blija fustane të qepura shtrenjtë me fije argjendi në belin e hollë, por kursi i qëndisjes që kujdestarja na bënte pas leksioneve të leximit gjithmonë më kishte vlejtur.

"Një veshje asnjëherë nuk e bën dikë një zonjë. Janë sjelljet ato që të veshin bukurinë, vajza. Një mashkull nuk marroset asnjëherë pas fustanit por pas lëkurës që prek ajo cohë. Një zonjë e vërtetë e ndërton vetë realitetin ku do të shkelë,e nuk bie kurrë në zimxhirët e shoqërisë."

Në atë kohë ne ishim thellë në zinxhirët e shoqërisë. Jetonim me kafshatat që na falte kisha, një herë në tri javë e fustanet i qepnim me coha të djegura nga dielli. Ishim aq thellë në zinxhirë të shoqrisë sa liria na dukej bari përballë jetimores që Znj. Smith nuk na lejonte të shkelnim.

Përballë këmbëve të mia ndali një makinë Adami. Kur ngrita sytë një buzëqeshje më shpoi zemrën. Grija mbiu krahë e fluturoi së bashku me qytetin, ku nuk doja të isha. Gjunjët mu drodhën lehtë e duart sikur filluan të humbnin kontrollin.

"Znj, Uendi. Ç'kënaqësi të të shoh rrugëve të qytetit, larg dritës së zymtë të bibliotekës."

Ai hoqi kapelen duke treguar flokët e tij të zinj ndërsa unë isha tepër e mpirë për tu përkulur, apo për të dalluar personin që qëndronte ngjitur tij.

"Ky është miku im i fëmijërisë Fred. Sapo ka mbaruar studimet në Oksford dhe ka ardhur për një vizitë të shkurtër në qytezën ku është rritur."

Flokët kaf paska të gjatë i kishte të ngjitur në kokë, sytë blu deti e bënin të dukej mjaft tërheqës ndërsa duart e bardha tepër joshës. Pasi më përshëndeti zbriti nga makina dhe u largua pa thënë asgjë më tepër.

"Po e shoqëroja për të takuar disa të afërm të tij këtu në Trelander. Nëse je nisur për në shtëpi mund të të shoqëroj. Z. Williams më ka thirrur sërish për çështje biznesi."

Ishte i çuditshëm fakti që kohët e fundit Tommas po e shihte aq shpesh në bibliotekën e Gordit. Ai asnjëherë nuk kishte pritur aq shumë vizita në një vit, ndërsa zoti avokat ia kishte bërë surprizë brenda muajit.

Unë pranova të ngjitesha në makinë për arsyen e thjeshtë, që rruga ishte tejet e gjatë dhe do më duhej ta bëja në këmbë, e nuk doja të prishja këpucët me vija blu. Por, një pjesë e nënshtruar e imja donte fort ta takonte, prandaj edhe harxhuam dy monedhat e fundit për tu larë në banjon turke në qendër të qytetit, me shpresën se sytë e tij të natës do më puthnin lëkurën në fshehtësi. Këto mendime i mbysja nën krenari dhe me duar të mpirë mbi gjunjë hidhja vështrimin mbi pemët lëvizëse teksa Tommas ngiste makinën.

Ai nuk më pyeti në e kisha lexuar letrën e tij. Madje gjatë gjithë rrugës mbajti një qëndrim krekosës, që nuk i përngjante aspak personit që kishte shkruar ato soje fjalësh. Qëndruam në heshtje deri në hyrje të pjesës më të errët të qytezës me sekretet më të pathëna që groposeshin në varre e funde pusesh. Para se të zbrisnim nuk e di ku e mora atë guxim të rrëshqisja dorën më rripin e mesit e të tërhiqja një letër për t'ia drejtuar. Ai e rrëmbeu mendueshëm dhe e vendosi në xhepin e brendshëm të astarit të xhaketës, mu pranë xhepit të orës, më shpejt se ç'më udhëtuan sytë.

Letra që kisha shkruar mbrëmë në delire tregonte sa të lumtur më kishin bërë fjalët e tij. Një letër të cilën u pendova që ia dorëzova aq shpejt e pamenduar. Frika se ai do më quante të marrë, ose më keq s'do më shkruante më bënte të shtypja thonjtë me dhëmbë e unë e urreja këtë gjë.

Vrapova për tu fshehur pas raftit të librave duke mërmëritur fjalët që kisha qëndisur mbi letër.

I dashur Tommas,

Si mund të më dërgoje një të tillë letër e ti jipje të tilla shqetësime zemrës sime? Prej ditësh rreh si e çmendur kur të kujtoj sytë e zinj e frymën të më prekë lëkurën e qafës.
Me ç'guxim më prish gjumin e më bën shoqëri në netët vetmitare Tommas?
Pse më gënjen kaq ëmbël?
Të lutem mos më vish me iluzione sepse jam e gatshme të kapem fort pas tyre!

E jotja Uendi Kejn.

Kisha dreqosur një letër me frikëra e fjalë të pathëna e më duhej të duroja veten të lemerisesha duke pritur për një përgjigje.
Që prej asaj dite netët i kaloja në prag të dritares duke ëndërruar për një botë me tokë të shkelur në vallëzim. Aty nuk kishte vend për gri, as për Truron e jetimoren. Një vend i mbushur me lule e poezi e Tommas përkrah meje.



An: paskam harru krejt me postu bre

Hajt urime ju 4 vajzat qe ma lexoni për hater xp

Rrugëtirë |✔|Where stories live. Discover now