♡PROLOG♡

1.2K 79 151
                                    

Qetësi... Rrezet e diellit që hynin nga dritarja gjysmë e hapur tashmë kishin nxehur gjithë dhomën. Dukej sikur kornizat e shkrimtarëve që mbulonin gjithë pjesën e djathtë do të bëheshin të gjalla nga çasti në çast, ose të paktën, kështu do të ishte më qejf. Duhet të ishte e mërzitshme të shpenzoje orë të tëra duke dhënë mësim në një kabinet të tillë, ku veç fotove të mbytura nga pluhuri dhe asaj pikturës murale shekullore, s'të zinte syri asgjë tjetër. Asnjëherë nuk e kishte kuptuar pse mësuesit zgjidhnin pikërisht këtë profesion por diçka e dinte me siguri, ata e adhuronin t'u nxinin jetën nxënësve. Por gjërat janë reciproke, apo jo?

Shënonte dymbëdhjetë kur atletet e saj hynë për të prishur qetësinë. Dikush duhet ta rregullonte atë pikturë në mur, ishte vjetëruar shumë. Me dorën e majtë mbante shishet me bojë, duke menduar se cila ngjyrë i shkonte më shumë emrit të saj. Për mësuesit atje, po aq shekullorë sa piktura, prishja e kryeveprës franceze "Liria i prin popullit" konsiderohej krim, por me siguri ata thjesht nuk e dinin ç'do të thotë art. Dhe ajo ishte atje për t'ua treguar.

-Më besoni zonjushë Mabel, nuk do të doja kurrë t'ia bëja këtë gjë kabinetit tuaj të bukur, por e kisha seriozisht kur ju thashë se do të pendoheshit që nuk më kaluat në letërsi. Megjithatë, mendoj se do ju pëlqejë, -tha nën zë dhe spërkati murin me bojë. Do të dilte diçka e këndshme, nëse do ta linin ta përfundonte.

-Anahera! -ktheu kokën dhe pa mësuesen e letërsisë përballë. -Në drejtori!

-Dreqin, -mendoi, -s'më lanë ta përfundoj. -Lëshoi shishen nga dora dhe u nis për në drejtori. Rrugën tashmë e dinte përmendsh.

-Sërish ti? -i tha drejtori sapo e pa që hyri në derë.

-Ju e dini që më merr malli shpejt për ju,-i tha ajo dhe u ul në karrige, -më pëlqen t'ju vizitoj shpesh. Mendoj që dhe ju mërziteni gjithë ditën i mbyllur në këtë zyrë, pak shoqëri nuk do ju bënte keq, -në fytyrë ruante një buzëqeshje të përhershme. Asnjëherë nuk e merrte seriozisht shkollën.

-E kapa duke shkatërruar pikturën në kabinetin tim! -bërtiti zonjusha Mabel me një ton të ekzagjeruar. Dukej e tronditur.

-Duke shkatërruar? Të lutem, unë vetëm po i jepja pak ritëm dhe ngjyra. Nëse do të më linit ta mbaroja, do të mahniteshit.

-Anahera! -e ndërpreu drejtori, -si munde?!

-Epo, e thjeshtë. Në fillim zgjodha disa ngjyra të ndezura, është shumë zbehtë atje në kabinet. Më pas mendova çfarë të ndryshoj dhe sytë më vajtën në piktura. Por nëse ju doni të ndryshojmë diçka tjetër, jam e gatshme, ju e dini. -qetësia me të cilën fliste po ja shkatërronte edhe nervat e fundit që i kishin mbetur.

-Anahera! Po tani ç'ka bërë kjo vajzë? -ktheu kokën dhe pa të ëmën teksa qëndronte në derë e shqetësuar. Të rriturit e bënin qimen tra.

-Oh, mirëseerdhët zonja Barbara. Vajza juaj sot ka tentuar të prishë një pikturë në kabinetin e letërsisë. U mbush kupa! -ngriti zërin, në mënyrë që mos i rrëzohej poshtë asnjë copë autoriteti.

-Ç'më gjeti me këtë vajzë! -psherëtiu e lodhur.

-Në kaq vite që punoj në këtë shkollë, s'më ka parë syri asnjë nxënës kaq problematik. Një muaj më parë theu të gjithë xhamat e pjesës së përparme të shkollës, dhe javën e kaluar i vuri flakën palestrës.

-Kjo e dyta ndodhi gabimisht, -tha nën zë. Nuk donte t'i vinte flakën palestrës, thjesht donte të hakmerrej ndaj trajnerit që nuk e futi në skuadrën e basketbollit, me pretekstin që ishte shumë problematike. Por zjarri që supozohej të digjte vetëm uniformën e tij, u përhap pak më shumë seç duhej.

-Nuk mund t'i numëroj dot të gjitha rastet kur kjo nxënëse na ka shkaktuar telashe. Po ul jo vetëm reputacionin e vetes, por edhe të shkollës. Nuk mund të vazhdojë më kështu.

-Ç'doni të thoni me 'Nuk mund të vazhdojë më kështu'? -zonja Barbara nisi të shqetësohej.

Vazhdonte të luante me lapsin, dhe kjo gjë e acaronte tej mase. Nuk mund të thoshte ç'kishte për të thënë dhe më pas t'i linte të shkonin?

-Nuk mund të lejojmë që vajza juaj të vazhdojë të arsimohet në shkollën tonë. U mbush kupa, -tha duke i ngulur një shikim serioz si të donte ta hiqte qafe nga momenti në moment.

-Ju lutem drejtor, është hera e fundit. Nuk do të përsëritet më.

-E sata herë është që po e dëgjoj këtë? E pesta? E shtata?

-E shtatëmbëdhjeta? -imitoi duke u munduar ta bënte zërin si ai, por mori një shikim qortues nga e ëma.

-Do të pendoheni për këto sjellje një ditë zonjushë Anahera, ndoshta pasi të regjistroheni në një shkollë riedukimi, -tha dhe përplasi një fletëpalosje në tavolinë. Anahera vështroi të ëmën. Nuk mund ta kishte seriozisht.

-Çfarë shkolle riedukimi? Vajza ime nuk ka nevojë për shkollë riedukimi? -të paktën njëherë të vetme po mbante anën e të bijës.

-Oh, ashtu? -hodhi sytë nga ajo dhe qeshi ironikisht, -mendojeni edhe njëherë. "Clarkenwell", të gjithë nxënësit problematikë që edukohen atje, bëhen njerëz të denjë për shoqërinë.

-Po me ata që s'duan të bëhen të denjë, si i bëhet?

-Anahera pusho! -i bërtiti e ëma.

-Pse të pushoj? Faleminderit, por nuk jemi të interesuar për këtë shkollë, -tha ajo.

-Mos flisni me siguri, -vazhdonte të qeshte në një mënyrë të djallëzuar, -nuk besoj të të marrë përsipër asnjë shkollë tjetër, të paktën jo me historinë e këtushme. E kanë provuar të tjerë para teje dhe, atje kanë përfunduar. Plus që do të sigurohem mirë të mos të të marrë përsipër shkollë tjetër.

-Ju nuk mund ta keni seriozisht. Nuk e keni seriozisht, apo jo?

-Përkundrazi, e kam shumë seriozisht. Kështu që mendohuni mirë zonjë, "Clarkenwell" ose e paarsimuar, -i zgjati fletëpalosjen dhe ajo e tërhoqi.

Gjatë gjithë rrugës nuk i foli fare. Në mendje bluante fjalët e tij. A duhet ta regjistronte vajzën në atë shkollë?

-Ma', mos më thuaj që do të më çosh atje, -i tha duke e ndjekur nëpër shkallët e pallatit, por Barbara s'po i kthente përgjigje.

-Ma'! -përsëriti edhe disa herë ajo, duke u munduar të fitonte vëmendjen e s'ëmës.

-Pse ma bën këtë? -iu kthye ajo. -Kaq e vështirë është të jesh një vajzë normale?

-Nuk do të bëj më të tilla gjëra, ta premtoj, -i tha edhe pse e dinte që ishte e vështirë të hiqte dorë nga telashet.

Për një moment qetësia kaploi dhomën. Barbara shihte herë të bijën e herë fletëpalosjen, dhe në kokë vazhdonin t'i buçisnin fjalët e drejtorit. Heshtjen e thyen fjalët e saj.

-Do të shkosh. Nuk kam zgjidhje tjetër. Nuk besoj të jetë shumë shkollë e rreptë.

-Ti... Ti po tallesh apo jo? -iu përgjigj ajo duke u lutur që të ishte vetëm shaka. -Është shkollë riedukimi për një arsye! Si mund të mos jetë e rreptë? Ata ndoshta nuk të lënë as telefonin atje.

-Do të jesh mirë, të premtoj. Do ta shohësh se ky ndryshim do të na bëjë mirë të dyjave. Në konvikt do t'ju ushqejnë mirë, kështu thotë në fletëpalosje. Dhe dita është e mbushur plot aktivitete.

-Mos vazhdo më, të lutem! -e ndërpreu. -Ti e di që unë nuk shkoj atje.

-Do të shkosh! Do të aplikoj për regjistrimin tënd që tani. S'më le zgjidhje tjetër Anahera. Më beso, as unë nuk doja të ndodhte kështu.

-Të urrej! -i tha dhe vrapoi në dhomën e saj duke qarë. -Do ta shohësh që asgjë dhe asnjë nuk mund të më ndryshojë mua ma'. Do ta shohësh, -mendonte me vete.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now