♡15♡

364 55 70
                                    

"Vetëm nëse kanë një bashkëpunëtor të brendshëm!" Kjo fjali i buçiste në mendje, por zgjodhi të mos pyeste për më tepër. Kështu ata do të fillonin të dyshonin. Prandaj ai do të kalonte në hapin tjetër, do të shtirej sikur e kishte zënë gjumi.

Mori një pozicion shumë afër me derën, në mënyrë që të dëgjonte gjithçka thuhej. Dhe e dinte se diçka do të mësonte kështu, sado e vogël të ishte. Rojet gjithnjë flisnin, kështu e kalonin ditën e tyre të mërzitshme atje.

-E zuri gjumi më duket, -tha njëri prej tyre.

-Më në fund, të pushojmë edhe ne pak, -shtoi tjetri. -Nuk e di si nuk lodhet ndonjëherë ky djalë. Nuk çuditem nëse arsyeja e përjashtimit të tij nga shkolla ku ka qenë, është pikërisht kjo, -ai tjetri qeshi dhe tundi kokën.

-Sikur ta dinin se ç'i pret, nuk do të regjistroheshin kurrë këtu, -i tha tjetri. -Por të paktën shpëtojnë prindërit.

"Të paktën shpëtojnë prindërit." Dikush tjetër sapo vërtetoi mendimin e tij se prindërit thjesht e kishin hequr qafe dhe nuk e donin më. Kaidenin e vjetër do ta kishte lënduar shumë kjo fjali, por tashmë veç inatit, ai nuk ndiente asgjë tjetër.

-Nuk është aq keq, jo, ata dalin një ditë, -vazhdoi tjetri bisedën.

-Po pra, dalin, -tha në mënyrë ironike roja tjetër.

-Ç'do të thuash me këtë? Nuk dalin ndonjëherë nxënësit që këtu?

-Nuk e di, ndoshta dalin. Po çfarë përfitimi ka shkolla nëse dalin?

-Çfarë përfitimi ka shkolla nëse qëndrojnë pra? -as rojet nuk ishin në dijeni të mistereve të asaj shkolle. Ishte e rrezikshme të qëndroje atje, por Kaideni po e kuptonte vetëm tani. Ajo që dinte me siguri ishte se duhet të dilnin sa më parë të ishte e mundur që aty. Dhe sa më pak të dilnin, aq më mirë për të.

*****

Qëndronte ulur në krevatin e tij duke bërë vazhdimisht një lëvizje hap-mbyll të biçakut. Sytë i kishte fokusuar diku dhe kishte humbur nëpër mendime. Aq sa nuk e vuri re praninë e Anaherës që iu afrua.

-Ka ndonjë gjë që nuk shkon? -ai puliti sytë për të ardhur në vete dhe ktheu kokën nga ajo. Qëndronte para tij me një buzëqeshje të tillë në fytyrë, si të kishte lënë pas çdo problem që kishte.

-Jo, -u përgjigj qetë, -duhet të ketë? -ajo u ul afër tij dhe vuri re lëvizjen e vazhdueshme të biçakut.

-Pse është kaq i rëndësishëm ky biçak për ty? -gjithmonë kishte dashur ta pyeste, por asnjëherë s'kishte gjetur rastin.

-Sepse është, -u përgjigj ai. -E kam bezdi kur të tjerët fusin hundët në punët e mia.

Ajo u distancua pak dhe mbajti disa sekonda qetësi.

-Të pyesësh për diçka nuk mendoj se është futje hundësh në punët e të tjerëve, megjithatë ti e di më mirë, -u ngrit dhe u bë gati të ikte.

-Prit, -ndjeu një dorë t'i kapte kyçin. -Nuk jam mirë Hera, -i tha ai.

-Ti sapo më the që çdo gjë ishte mirë, -ajo u ul sërish. E dinte që herët a vonë, dikush nga ata të tre, me më shumë gjasa Semi ose Ezekieli do të kishin ato momentet e tyre që do të ndiheshin të dobët. Por ajo s'duhet ta lejonte këtë gjë t'u prishte punë.

-Ndihem sikur po mundohemi kot, -e urrente kur dikush e nënvlerësonte punën e saj, por duhet të ruante qetësinë. Bëri një shprehi pyetëse në fytyrë, në mënyrë që ai të vazhdonte të fliste. -Asnjë nuk ia ka dalë të arratiset që këtu, si do t'ia dalim ne? Dhe nëse dalim, çfarë do të bëjmë? Me siguri prindërit tanë do të na çojnë sërish atje dhe do t'i kërkojnë të falur drejtorit. Nuk dua të ndodhë sërish e njëjta gjë.

-Të ndodhë sërish? Çfarë do të thuash? -të katërt e njihnin shumë pak njëri-tjetrin, dhe shumë të fshehta ende nuk ishin treguar. Të gjithë kishin shumë për të mësuar.

-Jam arratisur njëherë nga këtu, dhjetë muaj më parë. Në atë kohë siguria ishte shumë më e dobët se ditët e sotme. Numri i rojeve ishte më i vogël dhe drejtori nuk vinte çdo ditë në shkollë. E njihja vendin në pëllëmbë të dorës, ndaj dhe mendova se do ta kisha të lehtë të arratisesha. Nuk kisha asnjë plan në fakt, vetëm se një ditë në orarin e pushimit në oborr vrapova si i çmendur për të dalë, dhe ata nuk më arritën dot. Është e pamundur të bësh të njëjtën gjë sot, siguria është shumë herë më e lartë dhe të gjithë rojet janë vigjilentë. Megjithatë, në atë kohë ia dola të arratisem.

-Çfarë ndodhi më pas? -tashmë kishte ndaluar me lëvizjen e biçakut. Pa Anaherën në sy dhe vazhdoi.

-U ktheva në familjen time. Një gabim që s'duhet ta kisha bërë. Motra u gëzua shumë kur më pa, -buzëqeshi dhe Anahera mund të shihte që në sytë e tij po ndritnin disa pika loti. -Më ka marrë malli për të, është e vetmja që e dua aq shumë dhe do të bëja gjithçka për ta mbrojtur pa u menduar dy herë. Edhe nëse do të më duhej të kaloja gjithë jetën time këtu, për të do t'ia vlente. Por nuk ishte i njëjti reagim nga prindërit e mi. Ata nuk e pritën mirë ardhjen time. Më quajtën të papërgjegjshëm dhe të papjekur. Më thanë se kisha bërë gabim që kisha dalë nga atje, se ata mendonin për të mirën time dhe se unë do të reflektoja më vonë dhe do të pendohesha. Dhe ditën tjetër më çuan përsëri atje. Po nëse kjo ndodh sërish Herë? -i pëlqente se si ai e thërriste Herë. Askush nuk e kishte bërë më parë këtë gjë.

-Nuk do të ndodhë sërish! -ajo i kapi dorën edhe pse e dinte se ishte veprim i gabuar. -Ti duhet ta takosh përsëri motrën tënde Ezekiel. Ajo ka nevojë për ty. A mendon se si ajo ndoshta numëron ditët në pritje të ardhjes tënde? Ndoshta ka dashur të të takojë qindra herë dhe nuk ka mundur për shkak të rregullave këtu. Po nëse ajo ndihet në faj për çdo moment që ti kalon këtu? A nuk e meriton të të takojë sërish ajo?- gjithmonë kishte qenë e mirë me fjalët, pavarësisht se nuk i kishte përdorur kurrë siç duhej në orën e letërsisë.

-Do ta takoj sërish atë. Ia kam premtuar se do të kthehesha. Dhe duhet ta mbaj premtimin që i kam dhënë. Faleminderit Hera! -ai u nis për një përqafim dhe ajo nuk e ndaloi. E dinte se ishte diçka e gabuar, nuk duhet ta lejonte veten të bëhej aq e afërt me të, fundja, pasi të dilnin nga aty, nuk do ta njihnin më njëri-tjetrin. Por e ndjeu se nuk duhet ta refuzonte përqafimin e tij. Ai kishte nevojë. Ndoshta vetëm këtë herë. Ndoshta herët e tjera do ta ndalonte.

-Unë nuk bëra gjë, -i tha dhe bëri një buzëqeshje të shtirur.

Dera u hap. Një nga rojet e pjesës së parë hyri dhe me altoparlantin që ndodhej atje, bëri një njoftim.

-Numri 146 do të dalë në datë katërmbëdhjetë! -ai doli dhe dera u mbyll sërish. Të tre panë nga njëri-tjetri.

-Sa është data sot? -pyeti Semi.

-Gjashtë! -thanë Anahera dhe Ezekieli njëzëri.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now