♡20♡

327 54 53
                                    

Ajo rrinte shtrirë dhe sytë i mbante të fiksuar në tavan, si të donte të gjente aty diçka që i mungonte.

-Mund të ulem?-dëgjoi zërin e Ezekielit. Pohoi me kokë dhe ktheu sërish shikimin në tavan.

-A ke menduar ndonjëherë pse të thërras Hera? -ajo ktheu kokën nga ai dhe puliti disa herë sytë për t'u menduar.

-Sepse është emër më i shkurtër se Anahera, -u përgjigj ajo dhe ai qeshi.

-Ke dëgjuar për mitologjinë greke? -e pyeti sërish ai.

-Pak, -tha duke ngritur supet për t'i lënë të nënkuptuar se nuk dinte mjaftueshëm.

-Hera është gruaja e Zeusit, babait të gjithë perëndive të tjera greke. Ai është mbreti i perëndive, në Greqinë e lashtë besohej të ishte i plotfuqishëm dhe të sundonte mbi gjithë botën nga maja e malit Olimp. Ai mund të vendoste fatin e të gjithë njerëzve të vdekshëm dhe perëndive të pavdekshme. Në luftërat që zhvilloheshin, ishte ai që e vendoste kush do të ishte fituesi. Ishte ai që merrte vendimin për dënimin e mëkatarëve apo të atyre që thyenin ligjin. Të gjithë frikësoheshin nga ai dhe të gjithë i përuleshin. Epo, pothuajse. E gjen dot kush ishte e vetmja që arrinte ta nënshtronte atë?

-Hera, -buzëqeshi teksa e mendoi.

-Pikërisht. Sado i plotfuqishëm dhe i pamposhtur të ishte Zeusi, ishte Hera ajo që fshihej pas çdo vendimi apo veprimi të tij. Ishte ajo që nuk i përulej askujt, madje as krijesës që kishte në dorë fatin dhe botën.

Ajo buzëqeshi sërish kur kuptoi se Ezekieli gjatë gjithë kësaj kohe e kishte krahasuar atë me Herën, gruan e Zeusit.

-Ashtu je edhe ti Hera, -vazhdoi ai. -Pas çdo të reje, të bukur apo jo, fshihesh ti. Dhe ashtu si ajo, edhe ti je e plotfuqishme dhe nuk i përulesh askujt. Nuk të intereson edhe nëse futesh në telashe të mëdha, gjithmonë e gjen rrugën për të dalë nga ato. Dhe nëse ndonjëherë mendon se je njeri i veçantë, besoji vetes. Sepse je vërtet njeri i veçantë, të paktën për mua, -tashmë ishin duke e parë njëri-tjetrin në sy pa e shkëputur kontaktin për asnjë moment. -Shiko Hera, -i kapi dorën. Ajo deshi të stepej, por nuk e bëri, -unë nuk jam ndonjë filozof i madh apo poet për fjalë të bukura. Jam një njeri që më shumë veproj sesa mendoj apo flas. Por thjesht desha të të vë në dijeni që më ke bërë shumë përshtypje. Ndoshta në fillim të kam paragjykuar, dhe për këtë nuk të kërkoj falje,  sepse ende dukesh si dymbëdhjetë, -ajo qeshi dhe e goditi lehtë në shpatull, -por sa më shumë të njoh, aq më shumë kuptoj se je shumë më ndryshe nga ç'e kisha menduar. Edhe Kaideni ashtu mendon, më beso. Thjesht krenaria e tepërt që ka nuk e lejon ta shprehë me zë të lartë.

-Mos u shqetëso Ezekiel, e dija që në fillim që nuk do ta kisha të lehtë, -hodhi sytë nga Kaideni dhe vazhdoi, -sepse Kaideni më ngjan mua. As unë nuk do të pranoja kurrë të isha nën udhëheqjen e dikujt tjetër. Madje kur isha në shkollë, gjithmonë më pëlqente të sabotoja projektet që kishim në grup. Natyrisht, mua s'më vendosnin asnjëherë lider, kështu që sigurohesha t'ua bëja jetën ferr liderave të tjerë, -më pas bëri një buzëqeshje të shtirur engjëllore.

-E kam thënë unë, je e çmendur.

-Edhe unë e kam thënë, e marr si kompliment, -ia ktheu ajo. -Njerëzit e çmendur ndryshojnë botën. Fatmirësisht unë nuk merrem me botën, -të dy filluan të qeshnin.

-Po të isha drejtor i shkollës tënde të mëparshme, nuk do të të kisha përjashtuar.

-Jo, jo, -korigjoi ajo, -po të ishe drejtor i shkollës sime të mëparshme, do më urreje. Nuk jam natyra e nxënësve shembullorë, asnjëherë s'më ka pëlqyer të jem. Një fat ky shumë i keq për njerëzit që më rrethojnë dhe shumë i mirë për mua. Sepse jetoj siç dua të jetoj, dhe jam ajo që jam. Nuk më pëlqen të shtirem vetëm për të qenë vajza dhe nxënësja perfekte. Dhe për këtë arsye, besoje ose jo, nuk më intereson nëse ka njerëz që më duan apo jo. Sepse, zgjedh më mirë të jem vetvetja dhe të mos më dojë askush, sesa të shtirem si dikush që nuk jam dhe të më duan të gjithë. Nëse askush nuk më do, unë e dua veten dhe kaq më mjafton, -përfundoi ajo.

-Prandaj nuk do të të përjashtoja po të isha drejtor, -shtoi ai.

-Më pëlqeu historia që më tregove pak më parë. Duhet të filloj të lexoj më shumë për mitologjinë greke, ndoshta kur të dal që këtu. Duket interesante.

-Edhe ti ashtu dukesh, -ajo nuk e fshehu dot buzëqeshjen në fytyrën e saj.

-S'ta kam thënë ndonjëherë, sepse nuk e kam në natyrë që të lavdëroj të tjerët, por edhe ti më ke bërë përshtypje, djali rus. Jo si Hera, por ndoshta si Zeusi.

Mbylli sytë në shenjë pendimi sapo i tha ato fjalë. E kuptoi pak me vonesë këndvështrimin në të cilin do ta merrte Ezekieli. Ai buzëqeshi dhe i tha :

-Po e marr si kompliment.

Hodhi sytë në drejtim të Kaidenit dhe vuri re që ai po i shihte, por menjëherë largoi shikimin nga ata.

-Është e vështirë që dy njerëz me një ego të lartë të punojnë bashkë, por jo e pamundur. Ne duhet të shkojmë në shtëpi Hera! Por duhet të shkojmë së bashku. Ai do të vazhdojë të flasë njësoj. Sepse kështu është ai. E di? Unë dhe Kaideni e urrenim njëri-tjetrin në fillim. Sepse unë i kam patur gjithmonë halë në sy tipat si ai. Ishim shumë të kundërt. Por polet e kundërta tërhiqen, apo jo?

-Ti duhet të kesh qenë i mirë në mësime, -i tha ajo.

-Jo në të gjitha lëndët. Më shumë më ka pëlqyer fizika, -ajo shtrembëroi fytyrën në shenjë neverie.

-Fizika? Si mund të të pëlqejë fizika? Unë as që e kuptoj atë, e jo më ta pëlqej.

-Ata që nuk e kuptojnë nuk kanë si ta pëlqejnë. Nuk mund të pëlqesh diçka që nuk e kupton, apo jo? Është njësoj si me gjuhët e huaja. Njeriu është i çuditshëm. Ka një krenari shumë të lartë për ta pranuar se nuk e kupton diçka, prandaj zgjedh të thotë se nuk e pëlqen.

-Ç'rëndësi ka kjo? -asaj nuk i pëlqenin bisedat e gjata që s'të çonin asgjëkundi. Edhe në shkollë nuk merrte kurrë pjesë në debatet që zhvilloheshin, dhe nëse i duhet të jepte mendimin e saj për një çështje, zgjidhte midis frazave "E mbështes mendimin që u tha më parë", "Nuk jam e informuar mjaftueshëm për të dhënë një mendim në lidhje me këtë çështje", ose "Liria e shprehjes së mendimit është njëkohësisht edhe liria e mosshprehjes së mendimit, prandaj askush nuk duhet të detyrohet të flasë".
-Ajo që ka rëndësi është se si do të bëjmë të mundur shkëputjen e energjisë elektrike, -shtoi më pas.

Të dy nisën të hidhnin sytë sa në një cep të dhomës në tjetrin, duke kërkuar një përgjigje.

-Duhet të gjejmë se nga buron energjia kryesore që furnizon gjithë ndërtesën, dhe më pas ta shkëputim atë.

-Jo Ezekiel, -kundërshtoi ajo, -nuk duhet ta shkëputim ne atë. Ne thjesht do të shfrytëzojmë rastin që do të na jepet.

-Ç'do të thuash?

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now