♡4♡

451 63 194
                                    

Hynë në mensë. Ishte po aq madhështore sa pjesët e tjera të ndërtesës, ndoshta edhe më shumë. Në një tavolinë mund të uleshin deri në katër persona, por disa preferonin të qëndronin vetëm, ndërsa të tjerë mblidheshin në grupe të mëdha. Semi bënte pjesë në kategorinë e parë, por nuk mund ta linte vetëm Anaherën, kështu që të dy u ulën në një nga tavolinat që ishin sa më larg qendrës; kishte fituar vëmendje të mjaftueshme deri tani, të gjithë e shihnin si të ishte aliene dhe kjo e bënte situatën shumë të çuditshme.

-A ke një plan? -Semi mori tabakanë e tij, shtrembëroi fytyrën kur pa ushqimin mbi të, dhe ndoqi Anaherën që e kishte marrë më parë racionin e saj.

-Tani po fillon të më pëlqesh, -ai uli sytë dhe u skuq pak. Nuk ishte mësuar me komplimente. -Sigurisht që e kam një plan, -tha ajo më pas. -Kishe të drejtë ushqimi është i neveritshëm, -nuk e preku më pjatën.

-Do të rrish pa ngrënë? -e ngriti zërin nga shqetësimi.

-Mos u shqetëso Sem, nuk do të rri pa ngrënë. Do të gjej diçka, -kërkonte me sy Ezekielin dhe Kaidenin, por nuk po i shihte gjëkundi.

-Pra cili është plani? -Semi ishte pak i paduruar, ndërkohë që asaj i pëlqente t'i linte gjërat në suspancë.

-Cili është telashi më i madh në të cilin mund të futesh? -pyeti më pas. -Dua të them, dënimin më të rëndë, si mund ta marrësh?

-Ka shumë, dënimet e rënda mbeten gjithsesi. Por nëse i afrohesh drejtorit ose drejtorisë...

-Drejtori! -e ndërpreu ajo. I ra tavolinës me grusht, aq sa syzet e tij u spërkatën me purenë që kishte në pjatë. Tashmë kishte zgjeruar buzëqeshjen e saj. Mbylli sytë që të kujtonte çdo detaj të zyrës së tij, karriget prej lëkure të shtrenjtë, dritaret e mëdha me perdet gjysmë transparente të mbyllura, tavolina e drunjtë, dollapi i madh me libra të pluhurosur, llampadari gjigand prej xhami. Hapi sytë. Mezi e priste momentin e aksidentit të llampadarit, por nuk mendonte se do të vinte kaq shpejt.

-Çfarë je duke menduar? -pyeti sërish. Kureshtja po e hante përbrenda.

-Zyra e bukur e drejtorit tonë do të vizitohet së shpejti, -ai shqeu sytë nga ajo që dëgjoi.

-Do të shkojmë atje? Por është shumë e rrezikshme! -sado trim të dukej Semi, kishte një zemër lepuri.

-Jo nga ne Sem. Jo nga ne, -fytyra e saj pasqyronte krenarinë që ndiente për atë që sapo mendoi.

-Nga ata të dy! -më në fund po tregohej i zgjuar. Duhet ta pranonte, edhe atij i pëlqente ky plan.

Kthente herë pas here kokën andej-këndej që të sigurohej se asnjë nuk po i dëgjonte. Duhet të tregohej e kujdesshme që asnjë gjë të mos e pengonte. Prandaj, para se të hidhej në veprim, duhet të ishte e informuar mirë në lidhje me çdo gjë. Ishte ende e re atje, por të paktën kishte Semin. Ai do ta ndihmonte në çfarëdolloj situate, të paktën kështu shpresonte. Kishte besim te ai.

-Sa kamera ndodhen këtu dhe ku? -ishte pak pyetje e vështirë kjo, por e domosdoshme.

-Më duhet një laps dhe një letër. Nuk ta shpjegoj dot ndryshe.

Pasi u mendua për pak sekonda, ajo u ngrit dhe shkoi në banakun ku pak më parë mori ushqimin.

-A mund të më jepni një pecetë? -pyeti me mirësjellje. Asnjëherë nuk e bënte këtë, por duhet ta bënte për të mirën e saj. Kishte arritur aty ku duhet të bënte gjëra që i urrente, por do të vinte koha kur të gjithë do të merrnin atë që meritonin.

Një nga kuzhinieret e pa vrazhdë, dhe i zgjati një pecetë me një shikim të ftohtë si i ndonjë vrasësi serial. Të ishte pak më e sjellshme nuk do ishte keq. E mori pecetën dhe iku pa e falenderuar. Nuk e meritonte.

U ul sërish në tavolinë dhe e përplasi pecetën mbi të.

-Duhet ta kem diku këtu, -zbërtheu xhaketën e madhe që mbante veshur. Trupin e kishte shumë më të bukur nga ç'i dukej. Në brendësi të xhaketës ndodheshin një mori xhepash të llojeve nga më të ndryshmet. Disa dukeshin që ishin të qepur vetë. Nisi t'i kontrollonte një nga një, ndërkohë që Semi thjesht vështronte, i habitur por njëkohësisht i mahnitur nga ajo xhaketë.
-E gjeta! -nxorri nga një xhep një lapustil blu të errët. Nuk i kishte dorëzuar të gjitha bojërat në drejtori ditën e përjashtimit.

-Vajzës së re i pëlqeka arti, -ktheu kokën. Fytyra i dukej e njohur. Iu desh vetëm pak për ta kuptuar se ishte po i njëjti që në mëngjes i kishte marrë syzet Semit.

-Nuk flas me njerëz pa vlerë, kështu që mos më shpif ditën, -i tha. Ai ishte nga ata lloj njerëzish që thjesht ta shpifnin. Besoj të gjithë njohim të tillë në jetën tonë të përditshme. Por dukej se ishte kokëfortë.

-E di, në fillim ndoshta mund të mos e kemi nisur mirë bashkë, por kjo s'do të thotë se duhet të vazhdojë njësoj, apo jo? -po i afrohej më shumë duke ngushtuar distancën midis tyre.

-Zhduku! -e shtyu por ai i kapi kyçet.

-Je kryeneçe, njësoj si unë. Vras mendjen sa të përbashkëta të tjera kemi, -vazhdoi duke ardhur më afër. Ajo mundohej të lëshonte kyçet nga duart e tij, por ishte e vështirë.

Askush nuk po reagonte. Disa vazhdonin të hanin atë që kishin para, të tjerë brohorisnin, të tjerëve nuk iu interesonte fare ç'po bëhej, e disa të tjerë, përfshirë dhe Semin, kishin frikë nga ai.

-Shpifësirë, mu hiq sysh, -e goditi me këmbë. Ai e shtyu pas murit dhe tentoi t'i hapte xhaketën.

Një goditje u dëgjua pas kokës së tij. Më pas, u duk një dorë me biçak.

-Mos iu afro më asaj nëse nuk do që ky të bëjë shoshë stomakun tënd, -në një dorë mbante biçakun, ndërsa me dorën tjetër shtrëngonte fytin e tij pas murit. Fytyra iu skuq e tëra, do të kishte përfunduar keq nëse Anahera nuk do t'i kishte thënë të ndalonte.

-Zhduku tani, -e lëshoi dhe ai duke u kollitur vrapoi për te shokët e tij. Ndërkohë, rusi ende turfullonte e sytë i digjnin nga zemërimi. Me një lëvizje të shpejtë fshehu biçakun nëpër xhepat e tij, dhe fërkoi fytyrën për t'u qetësuar.

-Je mirë? -i vuri dorën mbi sup. Ajo ngriti sytë për të parë të tijët. Ishte disa herë më i gjatë se ajo. Për çudi, kur qëndronte përballë saj, dukej njeri tjetër, ndryshe nga ai që vetëm pak sekonda më parë, pothuajse vrau një njeri.

-Mirë jam, -u përgjigj. Nuk dinte si të reagonte. Të lumturohej që ishte mirë, apo të ndihej keq që e shpëtoi ai? Tani do të ndihej në borxh.

Ai i buzëqeshi lehtë, rregulloi kapelën që i mbulonte flokët e gjatë të çregullt, dhe nisi të largohej.

-Prit! -i thirri dhe ai u kthye sërish nga ajo. -Faleminderit... Ezekiel!

-Çdo kohë! -uli kokën për t'i parë këmbët që ende i dridheshin. -Mos hezito të më kërkosh ndihmë kur të kesh nevojë. Përveç punës së arratisjes, -të dy nisën të qeshnin. -Për çdo gjë tjetër, më thuaj, -por ajo nuk do t'i thoshte. E urrente të kërkonte ndihmë, sidomos atij që vetëm disa orë më parë e bëri objekt tallje me shokun e tij.

-Nuk do të kem nevojë, -u përgjigj.

-Kështu shpresoj, -i tha ai. -Ke emër të bukur, Anahera.

Ishte hera e parë që e thërriste në emër dhe theksi i tij rus e bënte të dukej më lezetshëm. E pa teksa largohej dhe do të vazhdonte ta shihte, nëse Semi nuk do të kërciste gishtat para fytyrës së saj.

-Besoj se nuk do ta bësh atë të vuajë dënimin që më the pak më parë, apo jo? Ai të shpëtoi.

Vërtet e shpëtoi, por nuk mund të rrinte kurrsesi atje. Nuk kishte zgjidhje tjetër.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now