♡1♡

585 71 147
                                    

Ndoshta për herë të parë në jetën e saj, këmbët po e çonin pa dëshirë në një vend të huaj. Gjaku ende i vlonte nga inati, por nga jashtë dukej sikur ishte shumë e lumtur për shkollën e re. Tashmë kishte filluar të luante lojën e saj, duke i bërë të gjithë ta besonin lumturinë e shtirur. Ia donin të mirën, por sa e mirë mund të jetë ajo, emri i dytë i së cilës ishte telash?

Në fytyrë i kishte hije ajo buzëqeshja e saj e përhershme, dukej si personi më moskokëçarës në botë dhe sikur asgjë nuk mund ta shqetësonte. Por mendja e saj bluante telashin e rradhës. Shumë telashe për një pesëmbëdhjetë vjeçare.

Ndaluan para portës së madhe të hekurt; që aty dukej çfarë e priste brenda. Shkolla i përngjante më shumë një ndërtese gjigande që dukej sikur shekuj më parë i përkiste një mbretërie tashmë të rrënuar. Me siguri tavanet pikonin gjatë ditëve me shi. Edhe arkitektura dukej shumë e vjetër. Ndërtesa shtrihej përgjatë gjithë zonës duke patur zgjatime dhe përdredhje që e bënin të dukej si labirint. Megjithatë, nuk mungonin hapësirat e gjelbra të mëdha. Edhe pse të pesëmbëdhjeta vitet kishte jetuar në Londër, asnjëherë nuk i kishte rënë rasti të dëgjonte për atë vend. Para derës kryesore, në një nga oborret e ndërtesës, bënte hije një statujë e madhe e një burri misterioz, nuk shënohej emri i tij. Më tutje sytë i lexuan: "Clarkenwell, 1852". Pra kjo do të thoshte se shkolla vërtet ishte shumë e vjetër. Në pjesën e mbrapme të shkollës ndodhej një liqen artificial i madh. Ishte e vetmja pjesë e saj pa asnjë roje. Çdo cep tjetër i asaj ndërtese rrethohej nga njerëz me uniforma të zymta dhe fytyra serioze, që i përngjanin asaj me gardianët e burgut. Gjithmonë do ta krahasonte atë shkollë me një burg, edhe nëse nuk dinte asgjë për të.

-Ambienti është mjaft i madh, -foli e ëma duke e nxjerrë nga mendimet, -me siguri do të kesh dhomën tënde personale.

-Mrekulli, -mërmëriti ndër dhëmbë. Mos vallë mendonte e ëma që do ta gënjente me gjëra të tilla si të ishte fëmijë? Për çfarë i duhej një dhomë e tërë, kur nuk do të kishte lirinë?

Iu desh të prisnin disa minuta për të hyrë në shkollë. Drejtori i shkollës ishte një burrë i gjatë dhe i mbajtur, duhet të ishte rreth të pesëdhjetave, s'kishte shumë flokë dhe ato që kishte kishin filluar t'i thinjeshin. Një vetull e kishte të prerë disa herë, ndoshta ishte shenjë e mbetur nga ndonjë aksident që mund të kishte bërë më parë. Ishte i veshur me një kostum gri dhe kollarja ishte në po atë ngjyrë. Kishte dhe një pallto të madhe që i shkonte deri poshtë gjurit, në ngjyrë kafe të errët, që ndoshta e kombinonte me beretën kafe që herë e mbante në kokë, e herë në dorë. Me përtesë thithte një llullë të madhe, këpucët i kishte me majë dhe të lustruara mirë. Dukej sikur ashtu si shkolla, edhe ai po qëndronte me të vjetrën, klasiken.

Pa folur fare ua bëri me shenjë të uleshin. Mesa dukej, ishte nga ata njerëz që flisnin rrallë. Pavarësisht se ishte e vjetër, shkolla ishte e mirëmbajtur, ambienti nga brenda nuk kishte asnjë të çarë apo plasaritje. Karriget në zyrën e drejtorit duhej të ishin prej lëkure të shtrenjtë, megjithatë ruanin stilin klasik. Dy dritare të mëdha ndriçonin të gjithë zyrën, duke futur dritën përmes perdeve gjysmë transparente që qëndronin të mbyllura. Në tavan ndodhej një llampadar gjigand me dymbëdhjetë llampa, por që me shumë mundësi nuk funksiononin të gjitha. Anahera çonte nëpër mend faktin se, nëse ai llampadar rrëzohej aksidentalisht, pasojat do të ishin fatale. Çdo pjesë e tij përbëhej nga xhami, që në rast të një aksidenti do të përhapeshin në gjithë dhomën.

-Anahera Rei, -vështroi certifikatën e aplikimit dhe më pas ngriti kokën për të parë atë, -rast interesant le të themi, pasi për shumë vite s'kemi patur asnjë aplikues të gjinisë femër. Jam kurioz të di çfarë ju shtyu të vinit këtu.

-Drejtori i shkollës së mëparshme, -tha.

-Prisni, ju po thoni se Anahera është e vetmja vajzë në gjithë shkollën? -reagoi e ëma. Ai thjesht pohoi me kokë.

-Duhet të ndihesh krenare, po ndryshoj historinë e gjinisë sime, -tha duke qeshur. Por Barbara ishte e shqetësuar.

-Pra ti je përjashtuar nga shkolla e mëparshme. Kam dëgjuar se të pëlqejnë telashet dhe thyerja e rregullave.

-Eh, kanë bërë maksimumin për të më përshkruar. E vlerësoj mundimin e tyre. Por ju premtoj se nuk jam aq e keqe sa thonë. Gjithsesi, ajo shkollë i zmadhonte shumë gjërat, -tashmë ata kishin nisur një luftë shikimesh. Ajo përdorte ironi në çdo fjalë që thoshte; ai arrinte t'a dallonte në sy që nuk do e kishte të lehtë me atë.

-Je vajzë interesante për moshën që ke, -vazhdoi ai.

-Më vjen mirë të di që ju kam lënë të tilla përshtypje, -ia ktheu ajo.

-Do të doja të mos zgjatesha më tepër. I urrej fjalët e tepërta. Kalojmë te rregullat. Nuk lejohet celulari apo çfarëdo lloj pajisje që bën lidhjen me teknologjinë. Dhe kur përmend teknologjinë, dua të them se nuk mund të kontakoni më me vajzën tuaj pasi të regjistrohet këtu.

Barbara i hodhi sytë e shqetësuar.

-Çështje sigurie, -vazhdoi ai. -Le të themi se shkëputja nga bota që i rrethon është një mënyrë e edukimit këtu. Gjithnjë ekziston mundësia të hiqni dorë, besoj ju e dini, -por ishte e pamundur. Nuk kishte zgjidhje tjetër përveç se ai vend. -Mos u shqetësoni, vajza do të trajtohet më së miri. Do të ketë dhomën e saj personale dhe do të lejohet të dalë në oborr 1 orë paradite dhe 3 orë pasdite. Ushqimi është i shëndetshëm dhe i kontrolluar. Dhe me stafin që kemi, nuk keni për ta njohur vajzën tuaj kur ajo të kthehet te ju, më besoni.

Anahera rrotulloi sytë. Ai nuk po bënte asgjë tjetër veçse reklamimin klishe të shkollës.

-Pra, ndonjë kundërshtim? -pyeti ai për herë të fundit.

-Jo, -u dëgjua një përgjigje e zbehtë nga ana e s'ëmës. Nuk do të donte kurrë të ndodhte kështu.

-Bukur! -përplasi një dokument mbi tavolinë. Ajo hezitoi një moment. -Këtu janë të përmbledhura gjithçka thashë. Duhet të firmosni për të rënë dakort. Formalitete, -vazhdoi.

-Dua që ta lexoj në fillim, -i tha ajo.

-Patjetër, koha është tërësisht e juaja, -ishte përgjigja nga ana e tij. Por në atë moment dikush e telefonoi, dhe ajo nxitoi të firmosë dhe doli me vrap nga zyra.

-Më duhet të iki, -ishin fjalët e fundit të saj.

I buzëqeshur ai shikonte atë tek largohej, derisa silueta e saj u zhduk. Më pas ktheu kokën nga Anahera:
-Mirë se vjen zonjushë. Ke të drejtë të vizitosh ambientin nëse dëshiron. Do të kalosh një kohë të gjatë, vërtet të gjatë këtu, -në fjalët që thoshte dukej sikur fshihte diçka.

-Do ta bëj me kënaqësi, -i tha ajo.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now