♡33♡

302 52 37
                                    

Mëngjesi i datës katërmbëdhjetë

Ishin të ulur të tre në mensë duke pritur për të marrë tabakanë e tyre. Sërish pa Semin, por kësaj rradhe, me një plan që e përfshinte edhe atë. Helen dukej e buzëqeshur por njëkohësisht në ankth. Askush nuk e dinte si do të shkonte ajo ditë. Por Anahera dukej plot energji.

-Më në fund, erdhi dita e madhe, -tha dhe filloi të qeshte, por dy të tjerët e injoruan duke qëndruar seriozë dhe duke mos i kthyer përgjigje.

-Seriozisht kështu do vazhdojmë ne?-nuk i pëlqente aspak ajo gjendje, dhe donte që ta ndryshonte me patjetër. Supozohej të ishin duke festuar të tre, por në vend të kësaj, ajo po festonte e vetme, ndërsa ata po silleshin sikur ajo nuk ekzistonte.

-Çfarë nënkupton me këtë? -i tha Ezekieli.

-Të lutem Ezekiel, po sillesh si fëmijë, -i tha. -Unë bëra një gabim dhe ju morët hak në mënyrën më të keqe të mundshme. Kjo duhet të përfundojë këtu.

-Me çfarë logjike e thua këtë? Unë të lëndova, ti më lëndove, jemi barazim kështu që eja të mos mbajmë më inat? Këtë thua ti? -e pa në sy për të kuptuar përgjigjen e saj. Ajo hezitoi disa sekonda.

-Po, kështu them, -u përgjigj më pas. Ezekieli nuk e mbajti dot të qeshurën.

-E çmendur mbetesh ti, -i tha pastaj. Edhe Kaideni filloi të qeshte.

-Ti mbete duke më komplimentuar, -ia ktheu ajo dhe u ngrit të merrte ushqimin. Përsëri, shpresonte të ishte hera e fundit që e bënte këtë gjë. Por kësaj rradhe ishte ndryshe. Ishte më e sigurt. Më e përgatitur.

Kaideni u ngrit dhe vizitoi të gjithë mensën për të mësuar nëse çdonjëri nga nxënësit e kishte marrë mesazhin. U kthye sërish në tavolinën e tij me tabakanë në dorë dhe duke buzëqeshur tha: -Gjithçka është gati.

Orët që po kalonin duke pritur për momentin kur gjithçka do të zbulohej iu dukën si orët më të gjata të jetës së tyre. Megjithatë, ishin të duruar. Clarkenwellit do t'i vinte fundi atë ditë.

Ora shënoi dhjetë. Të gjithë u vunë në rresht për të dalë në oborr. Drejtori duhet të kishte ardhur deri atëherë. Për çudinë e rojeve, ishte hera e parë që nxënësit nuk shpërndaheshin nëpër oborrin gjigand të shkollës, por qëndronin shumë afër njëri-tjetrin.

-Ç'ti ketë gjetur sot këta? -Anahera i dëgjoi teksa flisnin.

-Nuk e di, ndoshta do protestojnë për ndonjë gjë. Sa të shkretë janë!

-Nuk e di se kush do të jetë i shkreti në fund, -mendoi ajo dhe buzëqeshi.

Të gjithë ishin duke pritur vetëm për shenjën e Kaidenit që të nisnin revoltën. Ai ktheu kokën njëherë nga Anahera, e më pas nga Semi. Ishte koha që të vepronte.

-Duam të dalim që këtu! Jemi të pakënaqur nga kushtet dhe shkolla! -ngriti zërin dhe ndezi kështu zjarrin e revoltës. Disa roje qeshën, pasi nuk ishte hera e parë që një nxënës tentonte të bënte protestë në mënyrë të tillë, por asnjëherë nuk ia kishte dalë.

-Duam të dalim, duam të dalim! -nisi të thërriste Anahera.

-Duam të dalim, duam të dalim! -iu bashkua Ezekieli. Dy zëra, më pas pesë, dhjetë, njëzet, dhe brenda disa sekondave, njëqind e shtatëdhjetë e tre zëra përsërisnin të njëjtën frazë të mbledhur të gjithë në oborrin e gjelbërt.

-Çfarë po ndodh këtu? -Anahera pa drejtorin që doli nga pjesa e parë. Hodhi sytë nga ora e madhe e instaluar në ndërtesë. Dhjetë e njëzet e shtatë.

-Duam të dalim nga këtu, pasi nuk na plotësohet asnjë e drejtë! -vendosi të fliste. -Duam të çregjistrohemi dhe kërkojmë të takohemi me prindërit tanë. Ata as që e dinë se çfarë ndodh këtu me ne, përndryshe nuk do të ishin dakord.

-Anahera Rei, -tha dhe u afrua, -diçka më thoshte se pas kësaj fshiheshe ti.

-Më vjen mirë që e menduat këtë mundësi Zoti drejtor, -sërish të dy përballë njëri-tjetrit. Sërish në luftë me buzëqeshjet e tyre dinake. Sërish pa asnjë fitues.

-Jeni për të ardhur keq, -iu tha ai. -Sepse gjëja kryesore që prindërit tuaj nuk dinë, është se do të qëndroni përgjithmonë këtu, -dukej shumë krenar teksa e thoshte.

-Oh, ashtu? -ktheu sytë edhe njëherë nga ora e madhe. Dhjetë e tridhjetë.

-Policia, të gjithë të ngrenë duart dhe të mos bëjnë asnjë veprim! -ktheu kokën i tmerruar nga ajo fjalë dhe pa disa policë që qëndronin para tij. Pas tyre, vuri re njëqind e shtatëdhjetë e tre fytyra të njohura. -Kemi marrë një denoncim se ky vend trafikon organet e fëmijëve.

Prindërit që nuk dinin gjë u shokuan. Disa nisën të qanin me ngashërim, kur kujtuan se shkolla u kishte thënë që fëmijët e tyre ishin arratisur. Tashmë e dinin çfarë kishte ndodhur me ta.

Drejtori shtangu. Shumë të papritura kishin ndodhur para syve të tij vetëm për pak sekonda. Nuk dinte ç'të bënte. Nuk dinte si të mbrohej. Për vite të tëra, shkolla ishte kontrolluar herë pas here nga policia, por vetëm pjesa e parë. Drejtori gjithmonë kishte mohuar se pjesët e tjera i përkisnin asaj shkolle. Prandaj ndërtesa qëndronte më e veçuar dhe kishte një arkitekturë të jashtme më të mirë se katër të tjerat. Gjithmonë ia kishte hedhur paq. Por tani çfarë kishte ndryshuar? Si doli papritur gjithë sekreti që Clarkenwelli fshihte? Fërkoi fytyrën për të mbledhur veten; duhet të thoshte diçka para se të ishte tepër vonë.

-Çfarë janë këto gjepura? Kush ju ka përrallisur? Policia ka bërë kontroll herë pas here në këtë shkollë, dhe e keni parë vetë se sa kushte të mira ka. Ç'po thoni tani?

-Na duhet të kontrollojmë të gjithë hapësirën. Të pesta ndërtesat, menjëherë, -foli njëri nga policët.

-Prit! -e ndaloi Anahera. -Drejtori ka mashtruar prindërit për të firmosur heqjen e kujdestarisë së tyre dhe kalimin e saj mbi Clarkenwellin. Zbuluam se në momentin që dokumenti duhej lexuar, për çdo prind, drejtori ka sajuar telefonata urgjente të rreme në mënyrë që t'i largojë dhe t'i bëjë të firmosin pa lexuar. Kështu, prindërit nuk do të mund të na nxirrnin kurrë nga këtu, dhe ata bënë të mundur që ne të jemi plotësisht në dorën e tyre.

-A ju ka ndodhur të gjithëve e njëjta gjë? -një "po" agresive u dëgjua mes turmës.

-Ju e keni një dokument në dorë. Dokumentet e tjera të firmosura ndodhen në një vendkalim sekret që e ka hyrjen në atë ndërtesën atje, -bëri me shenjë nga dënimet. -Aty nxënësit dënohen rëndë kur futen në telashe. Vendkalimi ka kodin 1852, viti i krijimit të këtij vendi, -Anahera po i paraqiste të gjitha faktet pa iu dridhur qerpiku, por shumica e prindërve ishin shumë të shqetësuar nga ato që po dëgjonin. Disa fajësonin veten dhe disa mallkonin shkollën. Situata ishte shumë e tensionuar.

-Shpejt, shkoni kontrolloni në vendin ku tha vajza, -urdhëroi oficeri.

-Të gjitha janë shpifje, -provoi sërish drejtori, -do ta shihni kur në vendkalimin që po thoni nuk do të ketë asnjë dokument.

-Po ky çfarë thotë kështu? -u frikësua Ezekieli.

-Mos u shqetëso, është thjesht duke mohuar gjithçka sepse nuk ka çfarë thotë, -e qetësoi Kaideni. Gjendja e tyre dukej shumë ndryshe. Ezekieli dukej i frikësuar dhe në ankth, ndërsa Kaideni dukej shumë i qetë, po ashtu edhe Anahera.

Të gjithë po prisnin me padurim kthimin e policëve nga kontrolli i ndërtesës së dënimeve. Të gjithë me kokën e kthyer andej, vunë re ata që po ktheheshin.

-Vendkalimi sekret ishte i vërtetë, -foli njëri nga policat. -Shkallët na çuan në një dhomë të nëndheshme ku kishte një raft gjigand me qindra dosje.

-Ato janë dokumentet! -thirri Anahera e lumtur që më në fund i kishin gjetur.

-Vetëm se ishin bosh, -përfundoi ai.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now