♡8♡

412 58 139
                                    

Ora shënonte shtatë kur këmbana ra. Mëngjesi i saj i parë në shkollën e re nisi kështu. Shkollë... A mund të quhet shkollë një vend ku vetëm arsim dhe edukim nuk ka? Ndoshta ishte shkollë për ata që e vizitonin nga jashtë, por nga brenda, të gjithë e mësonin me vonesë se ç'i priste. Pra kështu zgjoheshin nxënësit atje.

U ngrit e bezdisur nga zhurmat. Ishte me fat që ndodhej në fund të dhomës, ishte vendi më i largët nga këmbana shurdhuese, por sërish zhurma që bënte ishte e padurueshme. Hodhi mbulesat e krevatit më tutje. Përtonte shumë ta rregullonte.

-Në rresht për dy për në mensë. Numri 58, 92, 146, 173 të dënuar, -dëgjuan sërish zërin e shëmtuar.

-Na thuaj ndonjë gjë që s'e dimë, -tha Kaideni dhe Ezekieli nisi të qeshte. Ishin mësuar me dënimin e lënies pa ushqim dhe s'u bënte më përshtypje. Për më tepër, dënime të tilla nuk do të merrnin edhe për shumë kohë. Të paktën, kështu shpresonin.

Sapo dera u mbyll, Anahera nuk nxitoi t'u afrohej.

-Mirëmëngjes kolegë! -tha teksa buzëqeshte.

-Mirëmëngjes dymbëdhjetë vjeçare! -i tha Ezekieli. Mesa duket, nuk e kishte harruar.

-Shumë në humor dukesh sot, mbretëreshë e dramës, -Kaideni nuk do të hiqte kurrë dorë nga ironia në fjalët që i thoshte asaj. Por ajo nuk lodhej t'ia kthente me po të njëjtën monedhë.

-Siç thonë të vjetrit, ditë e re, fat i ri. Gjithsesi, duhet t'u tregoj planin, kështu që më ndiqni në fund të dhomës.

-Prit, prit! Të na tregosh planin? Më duket se disa gjëra nuk i kam bërë të qarta. Unë nuk marr urdhra nga askush. Askush nuk tha që do të jesh ti në krye të kësaj pune.

-Të lutem! Unë isha në krye që me dhënien e idesë. Gjithçka nisi nga unë, -hodhi sytë nga Ezekieli.

-Je e vogël për të qenë lider, -i tha ai.

-Jam vetëm një vit më e vogël prej teje! -i ngrinte nervat sa herë që e quante të vogël.

-Një vit më parë unë isha i vogël për të qenë lider, -Kaideni qeshi. I pëlqente rikthimi i Ezekielit që ishte më parë.

-Ju as që keni një plan. Më dëgjoni në fillim, pastaj vendosni liderin. Nuk më intereson më shumë kjo seç më intereson të dal nga këtu, -u nis për te krevati i saj dhe ata e ndoqën.

-Kjo është planimetria e shkollës, -vuri para tyre vizatimin e bërë në pecetë.

-Kreative, -tha Ezekieli.

-Njohim tetëmbëdhjetë kamera në katër pjesët e saj. Nuk dimë gjë për pjesën e pestë. Por nuk mendoj që është kjo ajo që ka rëndësi. Çfarë ka rëndësi është kjo! -vuri gishtin mbi vizatimin katror që shënonte numrin "katër".

-Dënimet? -Semi gjithmonë do të mbetej konfuz. Dhe gjithmonë do të bënte pyetje të tilla.

-Mos më ndërprit. Dënimet. Gjithçka do të fillojë nga dënimet. Më lejoni ta marr situatën në këtë këndvështrim. Që të kemi një plan të qëndrueshëm, duhet të mos dyshojnë te asgjë. Pra nëse dalim, e para, nuk duhet të na kapë kamera, dhe e dyta, nuk duhet ta kuptojnë si dolëm. Te dënimet nuk ka kamera, kështu që në mënyrë që të arratisemi, duhet të hyjmë atje. Nga atje, drejt lirisë.

-Është pak e ngatërruar, por më pëlqen, -e dinte që me Ezekielin do ta kishte të thjeshtë.

-Nuk do të funksionojë, -e dinte gjithashtu që me Kaidenin do ta kishte të vështirë. -Si ke ndërmend të dalësh nga aty nëse hyn aty për tu dënuar për diçka?

-Ah, e urrej kur më ndërpresin. Të gjitha paqartësitë lindin kur dikush që supozohet të jetë dëgjuesi, nuk e lë folësin të flasë. Më lini të përfundoj dhe do ta shihni që nuk do të keni asnjë pyetje në fund. Në rregull? -priti pak sekonda për të vazhduar më tej. -Vazhdojmë. Do të na duhet t'i vizitojmë dënimet disa herë. Për të qenë më e saktë, pesë herë. Secili nga ne do të dënohet nga një herë, ndërsa herën e fundit, do të dënohemi të gjithë bashkë përfundimisht.

-Dhe hera e fundit do të jetë momenti që do të arratisemi!

-Po, dhe, Ezekiel, e urrej kur më ndërpresin siç të thashë. Katër herët e mëparshme do të shërbejnë për të studiuar vendin. Është kaq misterioz dhe i bukur apo jo? Kushedi se sa mijëra mundësi mund të na krijohen që të arratisemi nga atje.

-Po pra, ëndërro me krahë hapur. Dënimet është vendi i fundit i cili mund të krijojë mundësi për arratisje. Kot që mundohesh. Ky plan është i dështuar.

-Mund të mos më ndërpresësh më? -duhet ta pranonte që Kaideni ia ngrinte nervat edhe më shumë se profesorja e letërsisë te shkolla e mëparshme.

-Po të paraqes fakte Rei! Po mendon pa logjikë. Erdhe dje dhe s'e njeh fare këtë vend. Të duket gjë vetja personazhi kryesor nëpër filma me heronj? -disa gjëra në fjalët që thoshte ishin të vërteta.

-Por ju e njihni! Sidomos ti Kaiden. Etiketa që ke ngjitur tregon shumë qartë sa shumë kohë ke këtu! Është pikërisht ideja se askush nuk arratiset dot që nga dënimet ajo që do të na ndihmojë. S'kanë për të dyshuar kurrë. Dhe kur të kuptohet që ne kemi ikur, do të jetë vonë. Është e vërtetë që erdha dje, por kam fiksuar mjaftueshëm vende dhe detaje të shkollës që mund të më hyjnë në punë. Dhe besoj që edhe ti ke bërë të njëjtën gjë gjatë qëndrimit tënd këtu. Ne do të bëjmë pikërisht të kundërtën e asaj që mendohet të bëhet nga dikush që do të arratiset. Nëse arratisjet parashikohen natën, ne do të arratisemi ditën. Nëse arratisjet parashikohen te vendi më pak i rrezikshëm, ne do të arratisemi nga vendi më i rrezikshëm. Nuk na mungon asgjë. Kemi një rus gjaknxehtë që plagos njerëz, një gur pa ndjenja, një djalosh të pafajshëm, dhe një vajzë, -buzëqeshte kur përmendte veten. Ndoshta ishte narciste.

-Çfarë ka kaq të veçantë një vajzë? Që qan kot? -dukej që Kaideni e nënvlerësonte shumë atë. Por aq i bënte.

-Nuk ka asgjë të veçantë një vajzë Kaiden Dalton, -rregullonte mëngët e xhaketës si të donte të fshinte pluhurin, -por unë? Kam lindur e veçantë, dhe ti e di, -padyshim ishte narciste, ose thjesht i dinte vlerat vetes.

-Ky vetëbesim do të të fundosë, -i tha.

-Dyshoj, por sa e rëndësishme mund të jetë kjo? Jo aq sa ajo për të cilën jemi mbledhur besoj. Kohën e kemi të limituar, -ishte e mirë në ndërrimin e temës. -Pra shkurt, deri tani ajo që na duhet të bëjmë është kjo: do të studiojmë mirë çdo cep të dënimeve, për këtë duhet që çdo telash që të hapim, të jetë i ndryshëm nga tjetri, kështu do të marrim dënime të ndryshme. Më pas, do të vizatojmë një plan më të qartë vetëm të kësaj pjese, mbi të cilën do të thuret më pas plani i rradhës. Të vjetrit thonë : "Oreksi vjen duke ngrënë", dhe seriozisht, nuk mund të bija më shumë dakort. Nëse keni pyetje jeni të mirëpritur kolegët e mi, kaq ishte gjithçka që doja t'ju thosha.

-Gjithçka më duket mirë, -foli rusi duke rregulluar kapelën. -Vetëm se ka një problem. Unë nuk dal që këtu pa marrë biçakun tim.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now