♡26♡

289 50 19
                                    

Në pak sekonda, gjithçka i ishte shkatërruar para syve. Mbyllte sytë dhe shpresonte të ishte thjesht një ëndërr, por ata nuk ndodheshin aty kur i hapte sytë, ndërsa ajo ishte po në të njëjtin vend. Ishte po në atë vend që e urrente aq shumë, po në atë vend që e kishte ndarë nga gjithçka që kishte në jetën e saj të mëparshme. Ishte e shokuar. Ngadalë uli dorën që e kishte zgjatur për ndihmë dhe u kthye në anën tjetër. Trokitjet ndaluan. Dera u hap. Ishin rojet.

-Kapeni dhe çojeni në izolim! -dëgjoi të thoshte njëri prej tyre, por nuk e kishte mendjen. Truri i saj ende po mundohej të procesonte atë që kishte ndodhur në pak minuta më parë. 

Ndjeu dy duar t'i kapnin krahët por nuk reagoi, ndërkohë që këmbët pa kundërshtuar ndiqnin rrugën për në dhomën e izolimit. Dëgjonte gjithçka, por nuk përgjigjej, nuk fliste, si të shpresonte ende që gjithçka që po ndodhte ishte pjesë e imagjinatës së saj. Por ndodhej përballë realitetit, dhe për herë të parë nuk donte ta pranonte.

-Çfarë do të bëjmë me të? -foli sërish njëri prej tyre.

-Do ta lëmë në izolim deri në datë katërmbëdhjetë, derisa drejtori të kthehet. Më pas, ai do të marrë vendimin për dënimin.

-Ku janë dy të tjerët? -ishte kjo pyetja që e zgjoi atë nga mendimet. Ku ishin ata? A ia kishin dalë të arratiseshin? Mos ndoshta ishin kapur nga roje të tjera? Mos ndoshta kishin ngecur diku dhe kërkonin ndihmë? Ku ishin ata?

-Përdorën tubacionet për të dalë nga këtu në liqen, -foli thatë. -Do t'i arrini nëse nuk vonoheni më tepër, -e kishte vendosur. Nëse ajo nuk do të dilte që aty, asnjë tjetër s'do të mundej. Sepse ishte plani i saj, ideja e saj. Egoja e saj nuk do të lejonte asnjë tjetër të dilte para saj.

Ata kthyen kokën dhe panë kapakun e tubës të hedhur tutje, krevatin e pozicionuar poshtë tubës,dhe vidhat e shpërndara nëpër dysheme. Menjëherë dy roje të tjera u njoftuan për të ardhur dhe për ta shoqëruar Anaherën në izolim, ndërsa të parët u munduan të futeshin në tuba.

-Njoftoni roje të tjera të patrullojnë pjesën e liqenit!

Sërish nuk kundërshtoi, dhe as u mundua t'iu shpëtonte nga duart. Vetëm ndoqi ata. Sepse ishte e kotë të vepronte ndryshe.

-Menduat se do të arratiseshit, ah të shkretët ju! Nuk e besonit se që këtu nuk del askush. Sa keq më vjen, kur të vijë drejtori dhe ta mësojë për këtë gjë, do të inatoset keq. Të mjerët ju çfarë dënimi mund të merrni, -nuk e dinte nëse ata po i thoshin këto fjalë për të treguar rreptësinë e shkollës, apo për të ngushëlluar veten që për fatin e tyre të mirë, tre nxënës nuk u shpëtuan nga duart. Epo, deri tani, të paktën njëri prej tyre. Më shumë dukej të ishte kjo e dyta.

Nuk kishte shkuar asnjëherë në dhomën e izolimit më parë. Nuk e dinte ku ishte, apo çfarë pamje kishte. Megjithatë, nuk dukej të ishte shumë e interesuar për këtë gjë. Nëse më parë do të vinte re çdo detaj, tashmë po shmangte çdo detaj. Fizikisht ishte aty, por vetëm fizikisht. Asgjë tjetër e saj nuk ndodhej aty.

Dëgjoi zhurmën e lartë që bëri hapja e portës kryesore të pjesës së katërt të Clarkenwellit, dënimet. Për të kishte dëgjuar si vend, Semi i kishte folur shumë dhe ende e kishte skicën e vizatuar nga ai në një nga xhepat e xhaketës. Por ishte hera e parë që hynte atje.

Nuk u çudit kur vuri re se ishte me shumë mundësi pjesa më e lënë pasdore e gjithë ndërtesës. Ishte vend i errët, dritaret ishin të vogla dhe ndodheshin shumë lart për t'u arritur nga një njeri me gjatësi mesatare. Ndoshta ishte lënë pasdore sepse ishte pjesa me sipërfaqen më të vogël të Clarkenwellit. Ose ndoshta sepse i gjithë funksioni i saj ishte vendqëndrimi i nxënësve të dënuar.

Të katërta pjesët e njohura të asaj shkolle misterioze ishin shumë ndryshe nga njëra-tjetra, edhe pse nga jashtë kishin një arkitekturë të përbashkët. Nëse e gjithë shkolla do të përfshihej vetëm në pjesën e parë, askush nuk do ta kishte problem të qëndronte aty.

Pjesa e parë ishte gjithçka që përmbante fletëpalosja, madje edhe si ndërtesë ndodhej shumë më e veçuar nga katër të tjerat, dhe dukej shumë herë më e mirëmbajtur. Dukej e çuditshme se si gjithë ajo ndërtesë nuk kishte asnjë funksion tjetër, përveç fotove nëpër fletëpalosje dhe zyrës së drejtorit.

Pjesa e dytë njihej tashmë si dhoma e qëndrimit. Krevatet e vëna rresht nga të dyja anët dhe rojet që prisnin te dera e bënin atë ndërtesën më të ngjashme me dhomat e burgut.

Pjesa e tretë ishte mensa, edhe ajo e madhe mjaftueshëm për ti nxënë të gjithë. Dukej sikur e kishin planifikuar që kur ishte ndërtuar, sa nxënës do të mbante brenda, aq mirë përshtatej sipërfaqja e madhe e saj me numrin e nxënësve.

Tashmë ndodhej në pjesën e katërt. Një vend i pazbuluar për të më parë. Megjithatë, ishte shumë i ngjashëm me versionin në imagjinatën e saj, ndoshta edhe dhoma e izolimit kështu do të ishte. Një dhomë e vogël e errët me asgjë të veçantë brenda saj.

-Këtu, -dëgjoi njërin nga rojet dhe më pas vuri re se ata ndaluan. Hapën derën që ndodhej përbri saj dhe e shtynë për tu futur atje.

-Anahera! -dëgjoi zërin e Semit. Qëndronte i ulur me gjunjët e mbledhur pas trupit dhe kokën e mbështetur në mur, por sapo pa atë që hyri në dhomë, u ngrit menjëherë në këmbë dhe sytë i ndritnin nga një gëzim i papërshkrueshëm që ajo ndodhej aty. Pra, nuk kishte përfunduar gjithçka siç e mendoi ai. Ndoshta kishte ende shpresë.

-Anahera, por, si ka mundësi që nuk je jashtë? -mendoi se tashmë ajo do të ishte larguar bashkë me Kaidenin dhe Ezekielin, madje ishte i sigurt se asgjë nuk do të dështonte.

Ajo nuk foli. Pa asnjë reagim në mimikën e fytyrës, u ul në një nga cepat e asaj dhome të vogël dhe mbylli sytë si të donte të çlodhej nga gjithçka.

-Anahera, të lutem mos fli, -i foli sërish ai. Ktheu sytë nga hapësira e vogël e çarë e derës që i lejonte të shihte rojet. Ata nuk ishin aty. Që kur e kishin futur në izolim, nuk vinin të mbikqyrnin dhomën, dhe ai nuk e kuptonte pse. Ishte hera e parë që e bënin këtë gjë. -Kam diçka shumë të rëndësishme për të thënë, -i tha pasi u sigurua që rojet nuk ishin aty dhe askush nuk do të dëgjonte gjë.

Ajo sërish nuk foli. Sytë i mbante mbyllur dhe Semit i la përshtypjen se po flinte.

-Anahera, po fle? -provoi sërish. Sërish asnjë përgjigje.

-Anahera, të lutem, duhet të më dëgjosh. Unë e di se çfarë ndodh me nxënësit që zgjidhen për të dalë.

-Çfarë?? -ajo hapi sytë dhe u ngrit menjëherë. Harroi gjithçka; harroi tradhëtinë e Ezekielit dhe Kaidenit, harroi planin e saj të dështuar dhe harroi mërinë që kishte vendosur t'i mbante Semit. Ai kishte zbuluar misterin e Clarkenwellit, dhe ajo duhet ta dinte.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now