♡11♡

373 54 84
                                    

Fatkeqësisht nuk mori asnjë përgjigje përveç: "Ti bën shumë pyetje". Vendosi të mos fliste më për pjesën e mbetur të ditës, kështu nuk do të bezdiste asnjë me pyetjet e tij që të gjithë i shihnin si të kota.

Anahera ishte mësuar tashmë me disa gjëra atje. Ngriheshin në mëngjes në orën shtatë, hanin mëngjes nga ora tetë në tetë e gjysëm, dilnin në oborr nga ora dhjetë në njëmbëdhjetë, hanin drekë nga ora një e gjysëm në dy, dilnin mbasdite nga ora tre në shtatë dhe hanin darkë nga ora nëntë në nëntë e gjysëm. Dhe kjo gjë përsëritej sërish. Nuk ishte shkollë, por as shkollë riedukimi. Sepse nuk kishte asnjë proces riedukimi që zhvillohej atje. Ata thjesht qëndronin atje si të burgosur pa afat. Megjithatë, jo për shumë kohë.

Çfarë i bënte përshtypje asaj ishte fakti që ajo shkollë ishte shumë më e çuditshme se kaq. Për çfarë qëndronte rregulli i shkëputjes së kontakteve të nxënësve me familjen? Dhe cili ishte kriteri në bazë të së cilit zgjidheshin nxënësit që do të dilnin? Po nëse ata nuk ktheheshin kurrë pranë familjes së tyre? Dhe nëse nuk ktheheshin, ku shkonin pasi dilnin që aty? Dhe pse nuk i interesonte askujt kjo gjë? Kishte aq shumë pyetje në mendjen e saj. Ndoshta fëmijëria e saj e mbushur me filma mister e bënte të mendonte kështu. Ndoshta nuk kishte asgjë të komplikuar me atë shkollë, ishte thjesht fakti që riedukimi i tillë ishte. Ose ndoshta ata që dilnin ishin ata që kërkoheshin nga prindërit apo familjarët. Ndoshta ishte më e thjeshtë se në mendjen e saj. Ndoshta. Por ndoshta ajo shkollë ishte shumë herë më e rrezikshme sesa thjesht ushqimi i keq, dënimet dhe oraret strikte.

E gjithë kjo e shqetësonte shpirtin e saj aventurier. Ishte në kërkim të lirisë, por nga ana tjetër kurioziteti për të zbuluar nëse kjo shkollë fshihte diçka më shumë nuk e linte të qetë. Por çfarë ishte e rëndësishme për të në ato momente, ishte vetëm që plani i saj i arratisjes të ecte mirë. Dhe ajo nuk shpresonte. E dinte që do t'i ecte mirë. Ishte kujdesur që çdo gjë të shkonte siç donte ajo që në fillim.


*****
6 ditë më parë

-Pra u takuam sërish bashkë Anahera Rei, -zëri i drejtorit i dukej sa i shëmtuar edhe interesant në të njëjtën kohë. -Nuk u surprizova në fakt. Të gjithë nxënësit e rinj tentojnë të vjedhin ushqim, dhe ti s'mund të ishe ndryshe, -shumë pak dinte ai se sa ndryshe ishte në të vërtetë ajo.

-Ushqimi juaj është i neveritshëm. Ku janë kushtet për të cilat i fole sime mëje vetëm një ditë më parë? Dhoma personale? -duhet ta vononte me një bisedë të tillë, ndërkohë që Semi fitonte kohë të sajonte një zënkë midis Ezekielit dhe Kaidenit.

-Nuk po më çuditin fare fjalët e tua, vërtet. Madje i kisha parashikuar, -tha ai duke rrotulluar me njërën dorë një gotë verë të bardhë që e kthente herë pas here. Fëmijët... Të gjithë njësoj janë. Edhe ti kështu qenke, në një vend si ky, kërkon të drejta, -këtë donte ajo pikërisht që ai të mendonte. Që ajo ishte njësoj si të tjerët. Që ajo kërkonte të drejta. Por në të vërtetë asaj nuk i interesonin as të drejtat dhe as ushqimi. Mund të ishte fëmijë në sytë e tij, po jo si fëmijët e tjerë. Buzëqeshte kur imagjinonte reagimin e tij kur të mësonte për arratinë e saj. Do të çmendej nga inati. Apo nuk do t'ia dinte fare? Ishte shumë e sigurt në planin e saj. Aq e sigurt sa mendonte ç'do të ndodhte pasi ajo të largohej.

-Mendoj se kjo ndodh pasi të gjithë zhgënjehemi apo jo? -ia ktheu. -Të gjithë vijmë këtu për të marrë diçka që nuk e gjejmë. Dhe çfarë mendojnë ndërkohë prindërit tanë? Që ne jemi duke u edukuar dhe duke u penduar për gabimet që kemi bërë në të shkuarën. A e mendoni ndonjëherë sa gënjeshtra sajohen dhe besohen çdo ditë? -ajo ishte duke sajuar një gënjeshtër të madhe, dhe ai po e besonte. Po bënte lojë fjalësh, por edhe ai ishte i mirë në të.

-Je vajzë e zgjuar zonjushë Anahera. Ndonjëherë më vjen keq që u regjistrove këtu, -ajo bëri një mimikë ironie sikur ndiente keqardhje, për t'u bashkuar me mendimin e tij. -Megjithatë shoh se mendon shumë gabim. Ke një ego të tepruar. Vetëbesim të tepruar, -ajo hapi gojën me ironi dhe bëri sikur po e zinte gjumi nga fjalët që ai po thoshte. Nuk ishte hera e parë që i dëgjonte këto fjalë. Dhe padyshim, as e fundit.

-Nuk shoh asgjë të gabuar në lidhje me këtë, -iu përgjigj. -Përkundrazi, më duket sikur edhe ju karakterizoheni nga kjo gjë, dhe ndryshe nga ju, unë dua t'ju përgëzoj.

Ai qeshi lehtë dhe piu një gllënjkë verë.

-

Do të ndryshosh shpejt mendje, -i tha. -Sa herë vjen një nxënës i ri dhe përsërit fjalët e një nxënësi paraardhës më qeshet me nxënësin paraardhës dhe mënyrën se si është nënshtruar ai tashmë. Të gjithë nënshtrohen herët a vonë. Të rinjtë janë gjithmonë ata që hapin telashe dhe dënohen në fillim. Sepse nuk janë mësuar. Por njeriu është krijuar në mënyrë të tillë që të mësohet me gjithçka. Gjeje çfarë. Edhe ti do të nënshtrohesh si ata.

-Fjalët tuaja më frikësuan thellë deri në palcë, -e ironizoi dhe ai e kuptoi. -Mezi po pres të jem e nënshtruar dhe ta bëjmë sërish këtë bisedë. Dua aq shumë që t'ju them që kishit të drejtë, dhe ju të buzëqeshni fitimtar për atë ç'ka do të ndodhë, -nëse kishin një të përbashkët të dy, përveç buzëqeshjes egoiste, ishte fakti se të dy e shihnin veten fitimtar dhe as që e mendonin humbjen si mundësi. Por a mund të ketë dy fitues kur ata luftojnë kundër tjetrit?

-Edhe unë jam duke e pritur me padurim. Ka raste vërtet të rralla ku më pëlqen biseda që bëj me nxënësit. Por gjithsesi. Nuk më pëlqen të zgjatem, -përfundoi ai. -Të kam thënë që më pëlqen t'i lidh dënimet me gabimet? Më duket nuk ia kam thënë askujt. Je e para, konsideroje privilegj. Mendoj që kështu fëmijët mësojnë nga gabimi. Për shembull, ti u mundove të vjedhësh ushqim, dhe ti do të dënohesh këtë darkë, mëngjesin dhe drekën e ardhshme pa ushqim. Si të duket?

*****

-Lidh dënimet me gabimet... Lidh dënimet me gabimet... -nisi të përsërisë fjalët e tij në mënyrë të vazhdueshme.

Menjëherë shkëputi mendimet e saj nga ajo ditë dhe vrapoi për te Kaideni.

-E gjeta! -thirri dhe disa të tjerë kthyen kokën nga ajo bashkë me Kaidenin dhe Ezekielin, ndërkohë që Semi qëndronte mbrapa saj. Ngjante si e çmendur.

-Çfarë gjete? -toni i zërit të tij ishte shumë herë më i ulët se i zërit të saj. Ajo u afrua dhe u ul në cep të krevatit të tij.

-Ti the se doje të merrje një dënim ku të të jepej mundësia të flisje me rojet apo jo? -tashmë e kishte ulur edhe ajo zërin.

-Kjo nuk është ndonjë gjetje e madhe, -tha Ezekieli duke qeshur.

-Pusho Ezekiel! -ruajti seriozitetin e saj dhe vazhdoi, -Kur isha në drejtori ditën kur më dënuan mua dhe Semin, pra po të njëjtën ditë që ju dënuan edhe ju, drejtori më tha diçka: 'më pëlqen t'i lidh dënimet me gabimet '. Pra ti do të bësh një rrëmujë të tillë që të përfshijë njërin nga rojet. Kështu, do të jemi të sigurt që edhe dënimi që do të marrësh do të jetë i tillë.

-Kjo është një ide e mirë, -pohoi Ezekieli. Me siguri Kaideni mendoi të njëjtën gjë, por nuk i pëlqente ta shprehte hapur rënien dakort me të.

-Prit, -shtoi Ezekieli, -ti ke qenë në drejtori para nesh??

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now