♡25♡

299 52 30
                                    

Një ditë më parë, në dhomën e qëndrimit

-E mbaj mend shumë mirë se si më tha atë ditë. "Mbaje këtë biçak derisa të gjesh një person të veçantë. Do ta ndiesh vetë se kujt duhet t'ia japësh. Por kur t'ia japësh, thuaji të njëjtën gjë. Vetëm dëgjo, mos u nxito. Sigurohu mirë që ai të jetë personi i duhur."

-Të isha unë nuk do ia kisha dhënë njeriu, -i tha Anahera.

-Por kështu do të thyeje një amanet, apo jo? -i kishte mendimet e ngatërruara.

-Atëherë shpresoj ta gjesh atë njeri të veçantë, dhe shpresoj vërtet që ta meritojë, -ai qeshi dhe tundi lehtë kokën.

-Do ta gjej, -i tha, -por jo këtu. Do ta gjej atje jashtë, -ktheu sytë nga dera. Më pas e futi biçakun në xhep, u ngrit dhe shkoi në vendin e tij. Anahera vuri re Kaidenin që u afrua te ai, por ishte shumë e lodhur kështu që pa e kuptuar i mbylli sytë dhe e zuri gjumi.

-Sa e pafajshme duket nga jashtë, apo jo? -Ezekieli mbylli sytë i bezdisur.

-Mos fillo sërish Kaiden. Të lutem!

-Të mos filloj sërish? Ti as që e di çfarë do të them, -Kaideni dukej njëkohësisht i zhgënjyer dhe i lumtur.

-Me shumë siguri, do të thuash fjalë të këqija për Herën, -tha Ezekieli me bindje.

-Po nëse të them që Hera jote është i vetmi shkak që ne u dënuam aq rëndë atë ditë? -Ezekieli shtangu. Duhet ta kishte dëgjuar gabim. Ose Kaideni duhet të ishte duke u tallur.

-Çfarë do të thuash me këtë? Kai, çfarë po mundohesh të bësh tani?

-Po mundohem të të hap sytë, Ezekiel Smirnov! Sepse je verbuar! E ndoqa Rein kur shkoi të fliste me dështakun. Aty mësova se ishte ideja e saj që ne të dënoheshim, kështu do të pranonim të bëheshim pjesë e planit të saj të arratisjes. Ne i injoruam të dy ata në fillim, të kujtohet? Kështu që ajo përfitoi nga ty. Ishte ajo që të vodhi biçakun. Ishte ajo që la letrën në drejtori dhe fajësoi Nedëllin. Që kur tha që ishte në drejtori para nesh e dija që diçka nuk shkonte. Megjithatë, nuk e mendoja që do të arrinte deri këtu. Bëri të mundur që ne të dënoheshim, dhe kur e pa që ne përsëri nuk donim të bashkëpunonim me të, u shtir si viktimë, plagosi veten dhe derdhi ca lotë për të përfituar nga mirësia jote. Të thashë që në fillim Smirnov! Por nuk më dëgjove. Zgjodhe të besosh dikë që as nuk e njihje. Ajo është psikopate! Lëndoi edhe veten për të zbatuar planin që kishte. Dhe tani, çuditërisht ka nevojë për fjalët e tua kur ndihet keq dhe sillet si t'i interesojë shumë për ty. Unë nuk u surprizova, por me siguri ti po. Të thashë që në fillim që të mos e besosh atë, por shiko; ti shkon dhe i tregon asaj për familjen tënde, madje planifikon t'ia japësh asaj gjënë më të shtrenjtë që ke, -ai ngriti sytë. -Mos më thuaj që nuk kishe ndërmend t'ia jepje asaj, sepse të njoh mirë. Je naiv, Ezekiel. Për herë të parë në jetë, e urrej të kem të drejtë. Por unë kisha të drejtë që në fillim, dhe ti e kishe gabim.

Ai fërkoi fytyrën me duar dhe mori frymë thellë. Hodhi një vështrim nga Anahera, por ndryshe nga herët e tjera, ky vështrim ishte i mbushur me inat dhe zhgënjim. Nuk mund ta gënjente veten dhe të thoshte që e priste një gjë të tillë. Sepse nuk e priste. Shtrëngonte dhëmbët nga inati, por nuk dinte ç'të thoshte. Kishte bërë shumë për të, ndërsa ajo gjatë gjithë kohës nuk kishte bërë asgjë tjetër veçse e kishte mashtruar për interesat e saj.

-Ti kishe të drejtë, -vendosi më në fund të fliste. -Nuk më besohet. Gjatë gjithë kësaj kohe, kam qenë një budalla që mendonte se ajo kishte diçka të veçantë. Nuk dua ta lë me kaq, Kaiden. Nuk dua ta lë me kaq. Dua të hakmerrem. Dua ta lëndoj.

-Mos u shqetëso tashmë, e mira e të gjithë kësaj është që ne tashmë e dimë të vërtetën. Unë e di çfarë duhet të bëjmë, -tha ai me bindje dhe Ezekieli nuk foli për ta dëgjuar.

-Ti je shumë gjaknxehtë Ezekiel. Nuk mendon, vetëm vepron, ndaj kam frikë se do të bësh ndonjë veprim të gabuar, si për shembull, të gënjehesh sërish nga fjalët e saj dhe ta falësh.

-Asnjëherë! -tha me zë të lartë për ta bërë të qartë sa shumë e kishte irrituar.

-Megjithatë, -vazhdoi ai, -ne do të vazhdojmë si të mos dimë asgjë.

-Si të mos dimë asgjë? Kaiden, mos je çmendur gjë? Do ta lëmë t'ia hedhë paq? Pa e paguar atë që na bëri?

-Të lutem Ezekiel Smirnov, ti e di që mua më pëlqen të flas me ngadalë, të mos nxitohem. Nuk kisha mbaruar së foluri. Po, do të sillemi si të mos ketë ndodhur asgjë, do të jemi po ata tre bashkëpunëtorë që duan të arratisen, asgjë e re.

-Por nuk mund të sillem sikur nuk di asgjë, ta marrtë e mira! -tashmë ishte nxehur sepse nuk e kuptonte çfarë kishte në mendje Kaideni. -Çfarë po mendon dreqin?

-Duhet ta bësh Smirnov! Nuk duhet të prishet plani i arratisë. Jemi kaq afër, sot në darkë do të bëjmë shkëputjen elektrike, dhe nesër do të jemi të lirë. Por pa bashkëpunimin me të, nuk do të arrijmë dot deri aty. Ajo donte që në fillim që ne të bashkëpunonim me të, dhe pikërisht atë do të bëjmë. Në këtë plan, të tre kemi pjesën tonë, dhe pa qenë të tre, nuk do të mund të dalim nga këtu. Kështu që ajo është e domosdoshme. Gjithçka do të shkojë sipas planit të saj, derisa të vijë momenti që ajo duhet të paguajë.

-Çfarë do të thuash?

-Në momentin kur të dalim, nuk do e marrim atë me vete. Do e lëmë aty. Dhe pikërisht ky, do të jetë dënimi më se i merituar.

Do ta linin aty. Do t'i shkatërronin gjithçka brenda disa sekondave. Do ta bënin të rikthehej sërish në fillim. Sërish aty ku ishte. Por kësaj rradhe do të ishte vetëm. Pa Semin dhe pa ata të dy. Kësaj rradhe nuk do t'ia dilte dot.

Nuk e dinte as vetë nëse donte të ndodhte kështu. Një moment më parë donte të hakmerrej në mënyrën më të keqe të mundshme kundrejt saj, por tani nuk e dinte nëse donte që ajo të mbetej aty, dhe ata të dilnin jashtë. A e meritonte ajo të ndëshkohej aq keq? Në të njëjtën kohë, a e meritonte ai të mashtrohej në atë mënyrë? Nuk e dinte çfarë ndiente, kishte një përzierje emocionesh; inat, zhgënjim, etje për hakmarrje, por nga ana tjetër, ende ndiente keqardhje. Herë -herë mendonte se jo gjithçka që ndodhi ishte një lojë e saj, por menjëherë kujtohej se sa shumë i kishte besuar gënjeshtrave të saj, dhe ndihej idiot që ende i vinte keq.

-Mos u mendo shumë, kjo është më e mira, -Kaideni vendosi të flasë duke thyer heshtjen dhe duke ulur tensionin midis tyre. -Vetëm kështu të gjithë do të marrin atë që meritojnë, dhe më në fund kjo çështje do të marrë rrugë të drejtë. Çdo padrejtësi paguhet me një padrejtësi. Kjo është jeta Ezekiel.

-Do bëjmë atë që duhet, -iu përgjigj ai. Do ta kishte të vështirë, por jo të pamundur.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now