♡13♡

363 55 104
                                    

E njëjta gjë po përsëritej. Një i dënuar po shoqërohej nga rojet për të marrë atë që meritonte. Diçka e zakonshme, epo të paktën, kështu mendohej. Se katër veta në atë ndërtesë do të përfitonin shumë nga kjo 'e zakonshme'.

-S'më thatë nëse paguheni shumë këtu, -ai s'kishte hequr dorë nga fjalët e tij. Sepse përveçse e bëri këtë gjë si pjesë të planit, përfshihej edhe në kënaqësinë e tij vetjake. -Paguheni njësoj? Vras mendjen ku i gjeni paratë në fakt, kur shkolla nuk paguhet për qëndrimin tonë këtu.

-Ti nuk vë mend, -foli sërish ai roja inatçi.

-E keni vënë re që të gjitha gjërat që thoni i dimë? Unë ju kërkoj shpesh që në vend të këtyre, të na thoni gjëra që nuk i dimë. Për shembull, a paguheni njësoj ju? Fiksim më ngeli! -ishte e vërtetë që ai nuk fliste shumë, por të fliste me rojet ishte diçka komplet tjetër. Ishte pasion i tij. Do t'i mungonin kur të dilte nga aty.

Ata nuk i kthyen përgjigje, me shpresën se sa më shumë të mos i kushtonin vëmendje, aq më shpejt do të ndalonte së foluri ai. Ndaluan para pjesës së parë, ose siç njihej tashmë nga ata, maskimi. Nga aty Kaideni u shoqërua për te zyra e drejtorit nga dy roje të tjerë.

Rruga për te zyra e drejtorit kalonte nëpër një korridor të gjatë që askush nuk i kishte kushtuar rëndësi ndonjëherë. Por tashmë çdo detaj kishte rëndësi, ndaj ai kthente sytë herë pas here në kërkim të diçkaje, jo të përcaktuar se çfarë, por edhe gjëja më e vogël do t'i ndihmonte.

Pa pikturat e vjetra të varura në mur dhe nga dyert e hapura dalloheshin pak dhomat luksoze në të cilat supozohet të ishin duke qëndruar ata. Iu kujtua dita kur ai ishte regjistruar atje. Shumë kohë kishte kaluar, dhe shumë gjëra kishin ndryshuar.

*****

Dy vjet e katër muaj më parë

Qëndronte ulur në kolltukun e tij të preferuar, ende duke kundërshtuar për vendimin e regjistrimit të tij në një shkollë riedukimi. Por ishte e kotë. Tashmë vendimi ishte marrë.

I rritur në periferi të Londrës nga një familje e rreptë, si dhe duke qenë pjesëtari më i vogël i familjes, e kishte patur gjithmonë të vështirë t'i kundërshtonte prindërit. Edhe kur përpiqej ta bënte, gjithmonë ata do të fitonin në fund.

-Ngrihu që aty tani, -i foli rëndë i ati. Ishte një njeri hijerëndë që punonte si nxjerrës nafte në Detin e Zi dhe shumë rrallë kthehej në shtëpi. Padyshim ishte hidhërim i madh të mësonte për përjashtimin e të birit nga shkolla pas nëntë muajsh që nuk ishin takuar, ndaj dhe do të sillej ashpër me të.

-Eja Kai, është e kotë të kundërshtosh, -në ndryshim nga i ati, e ëma ishte më e qetë, më e ëmbël. E donte të birin dhe i donte të mirën, ndaj dhe i besoi fletëpalosjes që kishte në dorë për ta regjistruar në atë shkollë.

Ai u ngrit me një fytyrë të ngrysur. Fundja, a do të regjistrohej me dëshirën e tij të plotë dikush në një shkollë riedukimi?

Fitimet e familjes së tyre të madhe dilnin vetëm nga babai, dhe ishte shumë e vështirë për ta të paguanin shkollë tjetër për Kaidenin. Edhe nëse nuk donin ta pranonin, një mundësi tjetër që po shfrytëzonin ata ishte që nuk do të paguanin. Ndoshta një nga arsyet e regjistrimit të shumë fëmijëve atje.

-Jam e sigurt se nuk do të jetë aq keq, -fliste e ëma ndërkohë që makina ecte rrugës për atje. -Në fletëpalosje thotë që ka kushtet më të mira, dhe duke qenë se janë regjistruar shumë nxënës atje, duhet të jetë e vërtetë. Pastaj, ti do të rrish vetëm një vit atje.

-Vetëm një vit? Ma premton këtë? -ktheu sytë e tij ngjyrë çokollatë dhe i bashkoi me shikimin e saj. Ishte më i pashëm se pesëmbëdhjetë vjeçarët e tjerë që e rrethonin, më i gjatë dhe më i formuar për moshën e tij.

-Vetëm një vit, -përsëriti ajo dhe i zgjati një bllok të vogël. -Shiko ç'të kam përgatitur. Është një kalendar me 365 ditë. Çdo ditë që do të kalojë, ti do të shënosh me kryq këtu, dhe kur të jenë plotësuar të gjitha ditët, ne do të vijmë të të marrim.

Ai e mori bllokun e vogël dhe u afrua për një përqafim. Në familjen e tij të madhe, vetëm me të ëmën kishte një lidhje shumë të veçantë. I besonte asaj më shumë se kujtdo tjetër. Dhe nëse ajo mendonte se regjistrimi atje ishte për të mirën e tij, kështu duhet të ishte.

Makina ndaloi. Ashtu si pesëdhjetë e shtatë nxënës para tij, edhe ai u surprizua nga ndërtesa gjigande që u shfaq para syve të tij. Oborret madhështore, statuja misterioze, pusi i vjetër... Gjithçka i bëri shumë përshtypje. Rojet e drejtuan për tek zyra e drejtorit. Dhe nuk pati asnjë problem për regjistrimin e tij atje. Epo, deri në momentin e firmosjes së dokumenteve.

-Ju lutem lexojini me vëmendje dhe më pas mund të firmosni, -tha drejtori duke i zgjatur një pirg me letra asaj. I ati qëndronte në këmbë në pritje të përfundimit të atij procesi, si të donte të ikte që atje një orë e më parë. -Janë gjithçka çfarë përmenda më lart, por ju keni të drejtën t'i rilexoni.

Në atë moment dikush e telefonoi. Fytyra e saj e shqetësuar tregoi qartë që diçka nuk shkonte.

-Çfarë? Policia? Tani? Në shtëpinë tonë? -ajo firmosi me të shpejtë pa e përfunduar telefonatën, përqafoi Kaidenin dhe të dy u larguan nxitimthi nga aty. E ndërsa ai shtrëngonte fort bllokun në dorë.

Me entuziazëm hiqte çdo ditë që kalonte nga një kryq në atë bllok, duke pritur me padurim ditën kur do ta takonte sërish familjen. Deri pas një viti, kur ditët në bllok kishin përfunduar.

-Ndoshta do të vijnë mbasdite, -mendonte teksa priste rradhën në mensë për të marrë ushqimin. -Kjo do të jetë dreka e fundit që do të ha këtu, jam i sigurt për këtë. Ajo do të vijë! Ajo nuk më ka gënjyer kurrë. Se është mami im ajo! Mami im nuk gënjen!

Por as mbasdite dhe as në darkë nuk erdhi. As ditën tjetër nuk erdhi. As pas një viti. Dhe këtu Kaiden Dalton u kthye nga një njeri i dashur në një njeri pa ndjenja. Thonë se disa gjëra shkaktojnë ndryshime të mëdha në jetë. Të gjithë zhgënjehemi nga dikush apo diçka. Dhe në varësi të atij dikujt apo asaj diçkaje, dikush lëndohet më pak, e dikush më shumë. Kaideni bënte pjesë te e dyta.

*****

Ecte dhe në çdo hap që hidhte mallkonte veten që mendoi për ta. Po ata ku të ishin vallë tashmë. A ishin duke menduar edhe ata për të gjithashtu? Apo ishin të gjitha gënjeshtra që në fillim? Blloku, përqafimet.... A ishin gënjeshtra ato? A ishte në të vërtetë qëllimi i tyre të hiqnin qafe djalin e tyre të vogël problematik? Me shumë siguri e kishin harruar. A e kishin harruar? Gjithmonë e kishte ditur se bota ishte e ligë, por atë nuk e përfshinte asnjëherë kur e mendonte këtë. Sepse ajo ishte për të gjëja më e rëndësishme. Ai i besoi, dhe më pas u zhgënjye. Ndoshta bota ishte e ligë pa bërë asnjë përjashtim. Dhe prandaj kështu vendosi të ishte edhe ai.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now