♡29♡

312 52 25
                                    

Një tingull i vogël u dëgjua, dhe menjëherë pas tij, një pjesë e dyshemesë u ngrit disa centimetra në sipërfaqe. Me ngadalë Kaideni e largoi atë copë drejtkëndore, për të parë se çfarë fshihej pas saj.

-Shkallë! -kishte shkallë. Panë njëherë njëri-tjetrin dhe pa thënë asgjë vendosën të zbrisnin atje poshtë. Pas zbulimit të së vërtetës që fshihte Clarkenwelli, tashmë prisnin gjithçka nga ai vend.

Mezi arritën të orientoheshin, duke qenë se shkallët ndiqnin një spirale, dhe vendi ishte shumë i errët për të parë qartë. Që në fillim, ndien erën e pluhurit që me siguri kishte pushtuar pjesën e poshtme.

-Të thashë që ka një kalim sekret këtu! -pëshpëriti Anahera me zë të ulët.

-Nuk më intereson çfarë the ti, -iu përgjigj Kaideni me të njëjtin ton zëri.

-Nuk e kuptoj pse po flisni me zë të ulët, -tha Semi sërish me zë të ulët.

-Shh, -ua bëri me shenjë Ezekieli, -po të ketë njerëz këtu?

-Vetëm të vdekur mund të ketë këtu, -tha Kaideni dhe Semi u drodh.

-Po të ketë fantazma? -të tre të tjerët deshën të qeshnin por e mbajtën të qeshurën që të mos bënin zhurmë.

-S'ka faj, -tha Ezekieli, -edhe unë kur isha dhjetë vjeç, besoja në fantazma.

-Jam katërmbëdhjetë! -protestoi ai.

Ndien që këmbët u prekën fundin. Kishin zbritur të gjitha shkallët. Vendi ishte shumë i errët, megjithatë, nuk e kuptonin se nga hynte një burim drite që i bënte ata të shihnin se ku ecnin. Dukej si një dhomë e nëndheshme, ose si një shpellë. Nuk arrinin ta besonin se nën një ndërtesë të madhe si ajo, ndodhej një vend i tillë.

-A mendon se shërben për diçka? -pyeti Semi duke eksploruar me sy gjithçka që mund të shihte.

-Ndoshta, -u përgjigj Anahera. Syri i zuri diçka në formë drejtkëndore, që i përngjante një rafti, kështu që vendosi të afrohej më shumë për të zbuluar se çfarë ishte.

Kishte të drejtë. Ndodhej para një rafti shumë të madh, në të cilin ndodheshin qindra dosje të vëna në rradhë. Hapi një sirtar të vogël dhe pa aty një listë të pluhurosur. E mori në dorë që ta shihte më qartë, dhe pa se ishte lista me emrat e të gjithë nxënësve dhe prindërve të asaj shkolle.

-Sem, Ezekiel, Kaiden, ejani këtu, -u tha pa i hequr sytë nga lista. Shumë shpejt edhe ata erdhën dhe panë raftin e mbushur me dosje para së cilit ndodheshin.

Anahera zgjati dorën dhe tërhoqi njërën nga dosjet që kishte afër.

-Duhet të di çfarë janë, -tha. E hapi dhe sytë i panë një letër që ngjasonte si një deklaratë, ose dokument. I dukej shumë i njohur. Nisi ta lexonte me zë të lartë.

-Dokument regjistrimi në shkollën e riedukimit Clarkenwell, -hodhën sytë nga njëri-tjetri. Ishin dokumentet e firmosura ditën e regjistrimit nga prindërit.

-Lexo më poshtë! -i tha Kaideni.

-Rregullat e regjistrimit dhe qëndrimit në shkollën Clarkenwell. Prindi i nxënësit të regjistruar, pranon me përgjegjësi të plotë që nuk do të ketë asnjë lloj kontakti me nxënësin gjatë qëndrimit këtu. Prindi pranon me përgjegjësi të plotë se i ka lexuar dhe konfirmuar të gjitha rregullat e shkollës. Prindi pranon me përgjegjësi të plotë të heqë dorë nga kujdestaria e nxënësit, duke ia kaluar kështu atë shkollës, -të tre u tmerruan.

Sërish nuk e prisnin një gjë të tillë. Sërish u përballën me diçka të paparashikueshme dhe të papritur. Ishin të shtangur. Të shokuar. Dokumenti i firmosur nga prindërit e tyre sapo i kishte lënë ata në dorë të shkollës. Kjo shpjegonte gjithçka. Ja përse veprimet e tyre të paligjshme nuk ishin zbuluar kurrë nga autoritetet shtetërore. Sepse ata kishin ndjekur një rrugë të ligjshme me gjithçka tjetër. Ja përse prindërit nuk i merrnin më kurrë fëmijët, pas regjistrimit të tyre në Clarkenwell. Sepse shkolla kishte kujdestarinë e tyre. Edhe sa të fshehta fshiheshin pas atij vendi? Çfarë kishte më tepër për të zbuluar?

-Kjo është e pabesueshme! -tha Ezekieli ende i shtangur. -Duhet të ketë ndonjë gabim. Është e pamundur! Duhet të ketë me patjetër ndonjë gabim. Diçka nuk shkon.

-Asgjë nuk shkon, Ezekiel Smirnov. Në këtë vend asgjë nuk shkon.

-Por, si e kanë firmosur prindërit këtë? Si e kanë lejuar këtë gjë?

-Mami im nuk e lexoi, -tha Anahera. -Në momentin që drejtori i la dokumentin në tavolinë, mori një telefonatë urgjente dhe iu desh të firmoste pa e lexuar. Më pas u largua.

-E njëjta gjë ndodhi me mua, -konfirmoi Kaideni. -Mamin e mori në telefon dikush dhe i tha se policia kishte ardhur në shtëpinë tonë. Ajo dhe babi u larguan me nxitim pas kësaj.

-Kur unë dhe babi erdhëm në këtë shkollë që të regjistrohesha, babin e telefonoi dikush në momentin që do të lexonte dokumentin me rregullat. Iu desh ta firmoste dhe u largua, -tha Ezekieli.

-E njëjta gjë ndodhi edhe me mua, -pohoi Semi.

-Rastësi? E pamundur! Me siguri sajojnë telefonata të rreme që t'i ndalojnë prindërit të lexojnë dokumentet. Kështu ata firmosin pa lexuar dhe shënojnë kështu dënimin tonë me qëndrim të përjetshëm këtu. Është e frikshme. Kanë gjithçka të planifikuar shumë mirë. Kemi përballë disa njerëz shumë të rrezikshëm. Disa njerëz që edhe ligjërisht njihen si të rregullt. Ata kanë gjithçka nën kontroll. Fati i 173 nxënësve është në duart e tyre, -më shumë Anahera po mundohej të qartësonte mendjen e saj në lidhje me situatën. Ku ndodheshin ata dhe ku ndodhej ajo, sa përparësi kishin ata dhe sa përparësi kishte ajo; kështu, do të mund të kuptonte se çfarë mund të bënte.

-Dhe ne jemi vetëm katër prej tyre, -tha Ezekieli. -Shumë të vegjël dhe të pafuqishëm përballë tyre. Thjesht mendojeni, kjo shkollë ka vite që mban brenda saj këtë të fshehtë, dhe askush nuk ka arritur ta zbulojë më parë. Ne nuk mund të bëjmë dot asgjë.

-Çfarë do të bëjmë tani? Jemi të pashpresë! Do të vdesim të gjithë! -herët a vonë, e priste atë reagim nga Semi. Të ishte për pesimizmin e tij, vërtet, do të vdisnin të gjithë.

-Qetësohuni, gjithçka që thatë deri tani është e vërtetë, -tha Kaideni. -Po, është e vërtetë që fuqia që kanë ata në duar nuk krahasohet me tonën, por siç Ezekieli tha, kjo shkollë ka vite që fsheh një krim të tillë dhe askush nuk ka mundur ta zbulojë më parë. Por ne e zbuluam. Tashmë dimë shumë më shumë seç mendojnë ata se dimë. Dimë gjithçka rreth tyre, dhe ky është një favor i madh që kemi.

-E urrej ta pranoj, por Kaideni ka të drejtë, -miratoi Anahera. -Kemi shumë në dorë, dhe askujt nuk i është dhënë kjo mundësi më parë. Duhet të dimë si ta përdorim, vetëm në këtë mënyrë mund t'i japim fund një herë e përgjithmonë Clarkenwellit.

-Por, çfarë do të bëjmë konkretisht? Ke ndonjë plan? -Anahera vështroi Semin dhe më pas ktheu kokën nga burimi i panjohur i dritës.

-Më jep një moment Sem, duhet të di në fillim se nga vjen drita që ndriçon këtë vend, -ajo ndoqi burimin e dritës dhe të tjerët ndoqën atë. Vunë re se si intensiteti i dritës sa vinte e bëhej më i fortë, derisa gjithçka u bë e qartë mjaftueshëm.

Ngritën kokën lart. Një e çarë në formë rrethi të rregullt ndriçonte gjithë kalimin e nëndheshëm. Ngjitur me ta, vunë re një kovë të vjetër.

-Pusi! -e dinin që në fillim që pusi i vjetër nuk funksiononte, por nuk mendonin që kryente një funksion të tillë të çuditshëm. Tashmë po surprizoheshin nga gjithçka, në çdo hap që bënin, zbulonin diçka të re.

-E pabesueshme! -tha sërish Ezekieli.

-Gjithçka në këtë vend duket të jetë e mundur dhe e besueshme Smirnov, -ia ktheu Kaideni.

-Po tani çfarë do të bëjmë? -pyetjet e Semit nuk kishin të mbaruar, por megjithatë ishin të domosdoshme.

-Do të kthehemi në izolim. Do të bëjmë një plan të ri, -tha Anahera. -Kësaj rradhe asgjë nuk do të jetë e nxituar. Gjithçka do të jetë e menduar mirë, dhe do të veprojmë ngadalë, duke marrë parasysh çdo lloj mënyre se si plani mund të dështojë, dhe do të krijojmë plane B dhe shkronja të tjera nëse do të jetë nevoja. Ishim katër nxënësit më të vullnetshëm për të dalë nga kjo shkollë, kishim një bashkëpunëtor të brendshëm dhe një plan arratie të plotë. Kësaj rradhe, jo vetëm katër, por 173 nxënës do të jenë pjesë të këtij plani, përveç bashkëpunëtorit të brendshëm, do të kemi edhe një bashkëpunëtor të jashtëm, dhe më e rëndësishmja, plani nuk do të ketë qëllim arratisjen.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now