♡3♡

524 64 179
                                    

-Vetëm pakëz, -tha dhe buzëqeshi. Kishte shpenzuar një kohë të konsiderueshme pa hyrë në telashe. Tashmë duhej të merrte patjetër një dozë telashi, nuk jetonte dot pa to.

Iu afrua dy adoleshentëve misteriozë. Në një farë mënyre, me sa dukej e njihnin njëri-tjetrin, sepse qëndronin të dy në cep të dhomës, duke biseduar një Zot e di se çfarë. Semi sërish e ndoqi pas, ishte e vetmja që nuk e kishte përbuzur dhe ai këtë e vlerësonte shumë, ndaj pavarësisht se sa e çmendur mund të ishte ideja e saj, ai e ndiente për detyrë ta ndihmonte.

-Zakonisht një anëtar i ri mirëpritet, -kështu e nisi ajo bisedën. Të dy e kishin parë atë kur hyri, por askush nuk i kishte folur.

-Nxënëse e re që mendon se është interesante të bëjë si e rrezikshme andej-këndej? Klishe, -foli rusi.

-Zhduku, -u dëgjua nga njeriu i akullt.

Buzëqeshja në fytyrën e saj u zgjerua. Kishte gjetur më në fund llojin e saj.

-Pra, ç'e mirë ju solli këtu? -ishte për të lënë përshtypje qetësia me të cilën ajo fliste. Ata mund të mundoheshin gjithë ditën ta bezdisnin dhe nuk do ia dilnin mbanë.

-Jo zënka me shkulje flokësh, me siguri, -grimcat e para të ironisë u hodhën nga Kaiden. Dukej që do të kalonin mirë.

-Nuk po zgjatem. Erdha këtu por nuk kam ndërmend të rri. Di që vetëm ju mund të më ndihmoni të arratisem, -Semi u kollit si për të fituar vëmendje, -edhe ky, -tha dhe bëri me shenjë. -Jam e sigurt se as ju nuk doni të rrini këtu.

-Ky qenka plan perfekt, -tha Kaiden.

-Vërtet?

Të dy, pas disa sekondash qetësie, shpërthyen në të qeshura. Edhe njeriu i akullt që nuk qeshte kurrë.

-Nuk do ta kisha menduar kurrë se një ditë të zakonshme vjeshte, një fëmijë hutaq dhe një... vajzë, do të na kërkonin t'i ndihmonim të arratiseshin, -vazhdoi ai. -Jeta këtu po bëhet interesante.

-Por ju nuk do e bëni për ne. Ju do arratiseni edhe vetë, -ajo nuk dorëzohej. Ezekieli u ngrit nga tavolina ku qëndronte gjysmë i ulur, u afrua dhe tha:

-Vjen këtu pa dëshirën tënde, me siguri shkolla e mëparshme nuk të duronte dot, dhe prindërit u detyruan të të sillnin këtu. Mendja jote kryeneçe nuk mund ta durojë këtë gjë, kështu që bën plane në kokën e saj se si të dalë nga këtu. Të kuptoj, të gjithë kanë qenë kështu më parë. Të gjithë këta që shikon këtu. Por siç e shikon, janë këtu. Sa vjeç je ti? Dymbëdhjetë?

E dinte që puberteti nuk kishte funksionuar me të si me vajzat e tjera, por dymbëdhjetë? S'ia kishte thënë askush këtë më parë.

-Pesëmbëdhjetë, por po e marr si kompliment, -nuk kishte ndërmend të zgjatej. -Duhet të më informoni në fillim me ambientin, rojet, oraret, ku janë të vendosura kamerat...

-Prit, prit, -e ndërpreu Kaiden. -Më duket se nuk ta bëmë të qartë. Nuk kemi ndërmend të merremi me punët e tua fëmijërore. Tani me mirësjelljen më të madhe, zhduku nga sytë e mi.

-Po ju vjen një mundësi për t'u larguar nga këtu!! Dhe ju nuk e pranoni? -nuk mendonte që do të ishte kaq e vështirë.

-Mundësi? Më shumë do ta quaja humbje kohe, -tha rusi.

-Është e kotë Anahera, të thashë. Eja të ikim, -i tha Semi.

-E urrej djaloshin hutaq, po kësaj rradhe u tregua i zgjuar. Bën mirë ta dëgjosh, -i tha Ezekieli. Por ajo ishte ajo. Nuk do ta linte me aq.

-Do të jemi pikërisht në të njëjtin vend kur të flasim sërish, dhe do të jeni ju ata që do të më kërkoni t'ju ndihmoj, -kishte aq shumë besim te vetja. Dukej sikur besimi ishte e vetmja gjë që e bënte të mos shqetësohej për asgjë. Ata sërish shpërthyen në të qeshura. Ndërkohë ajo thjesht u ktheu kurrizin dhe u largua. Semi e ndoqi nga pas.

Buzëqeshte, por nuk e mohonte dot, të dy ia sollën nervat në majë të hundës.

-Interesante, -tha me gjysmë zëri nevriku rus pasi ajo u largua.

-Ç'do të thuash me 'interesante'? -Kaiden harronte ndonjëherë se nuk ishin të gjithë si ai, jo çdo njeri urrente çdo njeri tjetër.

-Anahera. Domethënë, interesant guximi që ka. Më vjen keq për të, -vazhdoi ai.

-Mos të të vijë. E ndiej që e përballon dot qëndrimin këtu. Nuk është si djaloshi hutaq.

Ezekieli qeshi.

-Duket, -tha.

*****

Shënonte ora 1:30 kur dyert u hapën. Ishte orari i drekës.

-Tani do të shkojmë në mensë. Është në pjesën e tretë të shkollës. Është po aq e madhe sa vendi ku rrimë. Po ushqimi është i padurueshëm.

-Për çfarë shërbejnë të pesta pjesët e shkollës? -i vinte mirë që të paktën dikush po e ndihmonte të njihte më mirë vendin. Kjo gjë ishte një plus i madh në planin e arratisjes.

-Pjesa e parë është më shumë si maskim. Për të gënjyer prindërit tanë kur vijnë në fillim të na regjistrojnë, -fliste me fjalë të thjeshta, por të lezetshme. -Pjesa e dytë është ferri, aty ku ishim pak më parë. E urrej atë vend. Pjesa e tretë është mensa. Edhe këtë vend e urrej, po të paktën ka pak më shumë dritë dhe këta djemtë nuk merren me mua, se koha për të ngrënë është e limituar. Jam pak më i qetë këtu. Pjesa e katërt është vendi ku japin dënimet. Aty kam shkuar vetëm dy herë; njëherë që nuk e di ç'më tha mendja dhe mendova të arratisem, siç po bën ti tani, dhe njëherë tjetër kur u zunë dy djem dhe më pas u pajtuan dhe fajin për rrëmujën e krijuar ma hodhën mua. Herën e parë më lanë të fle në errësirë. Ishte ftohtë dhe më lanë pa bukë e ujë për dy ditë. Ishte makthi më i keq i jetës sime. Herën e dytë më futën në një fuçi me ujë të ftohtë për katër orë. Nisa të dridhem si i çmendur, -kjo e fundit e bëri atë të qeshte.

-Po pjesa e pestë? -pyeti.

-Te pjesa e pestë asnjë nuk ka hyrë. Nuk na kanë çuar. Po me siguri është vend për të mbajtur defterët e vjetër dhe dokumentet e shkollës. Ose magazinë për ushqimet. Dua të them, diku rrinë ato apo jo?

-Patjetër që po, -i tha, por mendjen e kishte gjetkë. Arritën në mensë, dhe po prisnin të hynin dy nga dy.

-Anahera, ti nuk e kishe seriozisht kur the se do të takohesh sërish me ata apo jo? Hoqe dorë apo jo? -duhet ta pranonte. Ndonjëherë Semi bëhej shumë i bezdisshëm. Ose gjithmonë.

-Normalisht, -ai psherëtiu në formë lehtësimi, -që jo, -përfundoi ajo.

-Po ç'do të bësh? Ata e kanë ndarë mendjen. Dhe unë e dija. Që në fillim. E dija që nuk donin. Dhe të thashë. Të thashë që është e pamundur -po ngrinte zërin sërish. -Tani ti e pe dhe vetë. Madje ata nisën të talleshin me ty. Ashtu janë ata. Nuk të ndihmojnë dot.

-Të ka thënë njeri që flet shumë? -nëse nuk i kishte thënë njeri, ajo me patjetër duhet t'ia thoshte. -Të thashë që nuk kam ndërmend të qëndroj këtu, dhe deri tani asnjëri nga ju nuk më njeh mirë. Por po të kërkoj diçka. Nëse i hyn kësaj pune me mua, nuk dua të të dëgjoj më për kthim pas. Ndaje mendjen, me apo pa mua?-dhe i zgjati dorën.

Semi i largoi sytë për të shmangur presionin e syve të saj. As vetë nuk donte të qëndronte aty. Urrente çdonjërin prej nxënësve sepse të gjithë ia kishin bërë jetën ferr. Ndërsa Anahera... Ishte e vetmja tek e cila ai gjeti miqësi. Jo ndonjë miqësi e fortë, por të paktën ajo nuk e trajtoi si plehrë. Dhe ai i ishte shumë mirënjohës.

-Me ty, -i tha dhe i shtrëngoi dorën.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now