♡18♡

316 58 58
                                    

Në tavolinën në qoshe të mensës ku zakonisht uleshin katër, tashmë ishin vetëm tre. Kësaj rradhe, më të tensionuar se më parë.

-Po nëse ai tregon? -dikush duhet ta thyente heshtjen e krijuar, dhe ai ishte Ezekieli.

-Tregon çfarë? Mos ke lajthitur? Semi është i fundit person që do të tregonte, -ndonjëherë donte të përgjigjej me "po, do të tregojë, sepse për fajin tuaj ai nuk është më me ne", por nuk donte të niste asnjë debat të panevojshëm.

-Por si mund të jemi të sigurt ne?

-Sepse ai u largua me dëshirën e tij të plotë, -kësaj rradhe ishte Kaideni ai që iu përgjigj. -Dhe secili nga ne do të kishte bërë të njëjtën gjë, -asnjë nga ata nuk do të kishte bërë të njëjtën gjë. Kaideni thjesht gjeti një mënyrë si të nxirrte veten të palagur nga rrëmuja e madhe që kishte shkaktuar.

-Le të supozojmë kështu, -ironizoi Anahera fjalët e tij. -Hiqeni nga mendja tashmë atë. Ai bëri zgjedhjen e tij, kështu që është rradha jonë të bëjmë tonën. Kaiden, duhet të na japësh informacionin e marrë gjatë dënimit, kështu do të vendosim si do të veprojmë.

Ai psherëtiu i bezdisur nga fjalët e saj.

-Mesa duket ata kanë krenari shumë të madhe për të pranuar që ka nxënës që janë arratisur nga këtu, -ktheu kokën nga Ezekieli dhe ai qeshi. -Megjithatë mendoj se këtu ka një kalim sekret.

-Një kalim sekret?

-Po. Ata thanë se nuk mund të arratisesh nga dhoma e izolimit sepse nuk ka një kalim sekret. Po kjo menjëherë do të thotë se mund të arratisesh nga një vend tjetër, i cili ka një kalim të fshehtë. Por përsëri, është shumë e vështirë. Vetëm nëse...

-Vetëm nëse çfarë?

-Vetëm nëse kemi bashkëpunëtor të brendshëm, -Anahera buzëqeshi.

-E di se ç'duhet të bëj. Nuk do të presim më për t'u dënuar. Dënimi i fundit që do të marrim do të jetë imi, dhe do ta marr tani.

-Çfarë ke ndërmend të bësh? -pyeti Ezekieli konfuz.

-Vetëm prit dhe shiko, -ajo u ngrit nga tavolina ku ishte ulur dhe iu afrua banakut.

-Sa e çmendur është! -pëshpëriti Ezekieli duke qeshur.

-A mund t'iu ndihmoj me gatimin? Ose me shpërndarjen e ushqimit? Ndihem e nderuar të jap shërbimin tim në komunitet, -u foli kuzhiniereve. Njëra nga ato e pa vrazhdë, ishte e njëjta kuzhiniere së cilës Anahera i kishte kërkuar një pecetë disa ditë më parë, ndërsa të tjerat filluan të qeshnin. Ajo hyri më në brendësi të kuzhinës së vogël.

-Duhet ta keni të vështirë të duroni gjithë këta djem çdo ditë, apo jo? Duhet të jetë punë e lodhshme.

-Besoj je në dijeni se ke vetëm 30 minuta për të ngrënë, -njëra nga kuzhinieret i tha duke parë orën, -18 të kanë mbetur.

-Duhen bërë sakrifica ndonjëherë, -tha dhe qeshi. Sado të mundoheshin të ishin të rrepta, ato i ngjasonin asaj me hallat e saj, me shumë siguri fytyra e saj e shtirur engjëllore do t'i bënte punë.

Ishin gjithsej pesë kuzhiniere, katër prej tyre filluan të qeshnin, vetëm kuzhinierja me shikim të egër rrinte serioze.

Nisi të bënte ecejake andej-këndej duke u siguruar që do t'i bezdiste mjaftueshëm ato. Shumë shpejt bëri sikur u pengua duke derdhur kështu të gjithë tenxheren me ushqimin e punonjësve.

-Çfarë bëre kështu!!! -mbylli veshët me gishta si të injoronte qortimet e tyre.

-Pa dashje, -tha me zë të ulët.

-Nuk e di ç'ka në plan të bëjë kjo vajzë, por shpresoj të nxjerrë në dritë diçka, -tha Ezekieli duke u munduar të mbante të qeshurën. Duhet ta pranonte; me ardhjen e Anaherës në atë shkollë, jo çdo gjë ishte aq e mërzitshme sa më parë.

Dëgjuan rënien e këmbanës që lajmëroi përfundimin e orarit të drekës.

-Duhet të largohemi ne? -Ezekieli hodhi sytë nga Anahera për ndonjë shenjë të saj. Ajo ua bëri me shenjë të largoheshin.

-Po, duhet të largohemi. Do të presësh për lejen e saj për çdo gjë tani? -ia ktheu Kaideni.

-Thjesht po mundohesha të isha bashkëpunues, -tha ai dhe e ndoqi nga pas.

Anahera ishte ende aty, duke pritur për dënimin e saj. Ishte momenti ku duhet të nxirrte në pah anën e saj të pafajshme. Tashmë plani ishte duke u zbatuar.

-Ti do të rrish këtu, zonjushë! Mos ke ndërmend t'ia hedhësh paq me këtë që bëre? -i foli njëra nga kuzhinieret. -Do të pastrosh të gjithë rrëmujën që bëre, e vetme, tani!

Ajo uli kokën dhe shpejt një lot u rrokullis nëpër faqet e saj. Nëse do të ishte një nga nxënëset servile të preferuara në shkollën e saj të mëparshme, me siguri do të bënte pjesë në ndonjë recital apo konkurs aktrimi ku do të fitonte ndonjë çmim dhe të gjithë mësuesit dhe nxënësit do ta adhuronin. E ëma do të ishte krenare për të dhe drejtori gjithashtu. Do të ishte një vajzë dhe një nxënëse shembullore në vend që të ndodhej në një shkollë të rrezikshme të cilën askush nuk e dinte për çfarë shërbente me një plan të çmendur arratie. Por kjo ishte jeta.

-A keni fëmijë ose mbesa? -donte t'i prekte në pikën e tyre të dobët, por asnjëra nga ato nuk iu përgjigj. -Me siguri që keni, -vazhdoi. -Dhe jam e sigurt që nuk do t'i regjistronit kurrë në këtë vend. Jam e sigurt se nuk do të donit t'i shihnit fëmijët tuaj duke ngrënë një ushqim të neveritshëm me hundën e mbyllur, që të shmangin shijen e keqe. A do t'i regjistronit ju fëmijët tuaj në një shkollë ku as arsim nuk ka?

-Prit, -e ndërpreu njëra nga kuzhinieret, -çdo të thuash me "as arsim nuk ka"? Nuk studioni ju këtu?

Anahera u çudit. Mendonte se ato e dinin çfarë ndodhte brenda asaj shkolle, por mesa duket ato dinin shumë më pak se vetë nxënësit.

-Jo, -iu përgjigj. -Gjithë ditën rrimë të mbyllur atje, -tregoi me gisht ndërtesën ku qëndronin, -dhe kështu kalon çdo ditë e jona.

-Po nëse nuk bëni mësim, atëherë përse çdo ditë vijnë...

-Nuk ka ç'na duhet ne Helen, -e ndërpreu fjalën e saj një kuzhiniere tjetër. -Nuk është puna jonë.

Anahera nisi të dyshonte. Kush vinte çdo ditë në atë vend dhe ata nuk e kishin vënë re? Dhe përse vinin? Diçka po ndodhte atje, por të gjithë dinin shumë pak për ta zbuluar.

-Kur u regjistrova këtu, u regjistrova sepse mami im mendoi se duhet të arsimohesha. Vetëm imagjinoni se si ajo nuk ia ka idenë çfarë ndodh këtu me mua. Dhe as prindërit e tjerë nuk ia kanë idenë çfarë ndodh me fëmijët e tyre. Nuk kemi asnjë kontakt me familjet tona. Nuk e dimë nëse janë gjallë apo kanë vdekur. Dhe ata nuk e dinë nëse ne jemi gjallë apo vdekur. Nuk do të na kishin regjistruar kurrë këtu nëse do ta dinin çfarë shkolle ishte. Disa nga nxënësit kanë vite që qëndrojnë këtu. Vetëm mendoni sa i ka marrë malli.

-Duhet të largohemi, -tha njëra nga kuzhinieret duke mos i lënë më mundësi asaj të fliste. Të tjerat nisën të bënin gati gjërat e tyre, ndërsa njëra shkoi të lajmëronte rojen për të shoqëruar Anaherën brenda.

-Eja Helen, -i folën asaj kur panë se po hezitonte për të dalë.

-Shkoni para, do të vij sapo të gjej diçka, -u tha ajo dhe ato u larguan.

-Tubat e kanalizimeve janë të mëdhenj mjaftueshëm për të nxënë njerëz të masës tënde. Por kujdes, ka kamera kudo! I vetmi orar në të cilin nuk ka asnjë roje përreth është orari i drekës, sepse edhe nxënësit ndodhen të gjithë këtu. Duhet të bëni të mundur që të mos ketë energji elektrike në momentin që do të kaloni. Tubat do t'iu nxjerrin në liqen. Edhe diçka, nga unë s'ke dëgjuar asgjë. Paç fat engjëll! -u largua pa i lënë Anaherës mundësinë të fliste.

-Bëhuni gati, zonja dhe zotërinj! -tha nën zë.

Anahera: E fshehta e ClarkenwellitWhere stories live. Discover now