◇I◇

218 42 101
                                    

Zilja ra. Ishte sërish vonë. Sërish e vonuar për të nisur një ditë të re. Sërish vonë për t'u përballur me ditën. I pëlqente nata, sepse e urrente kur jashtë kishte dritë. I urrente zhurmat e makinave dhe të njerëzve që bënin thashetheme lart e poshtë. Dëshironte që të mbaronte një ditë, por nuk dëshironte të fillonte tjetra. Nuk ndiente kurrë, dhe ja pse të gjithë e quanin robot. Kishte një mendje të komplikuar që askush nuk e vinte re, pasi ajo sillej e qeshte si të ishte vajza më e lumtur në botë.

I fshiu mendimet e kota, gjë që e bënte gjithmonë, dhe i la vendin ditës që të fillonte, me të mirat dhe të metat e saj. Fiku alarmin, i cili kishte rënë disa herë deri atëherë, dhe u ngrit me përtesë nga krevati. U vesh shpejt dhe hyri në kuzhinë për të ngrënë diçka të vogël para se të nisej për në shkollë.

-Po ti ulu njëherë të hash mëngjes! - iu ankua sërish e ëma.

-Bëhem vonë! Gjithsesi, s'më hahej shumë! - tha Maori me gojën plot, doli nga kuzhina dhe rrëmbeu çantën. E hodhi në kurriz dhe u nis me vrap për të kapur autobusin e shkollës. Ishte mësuar në këtë mënyrë, pasi nuk ngrihej kurrë në kohë dhe do t'i duhej kohë për ta përmirësuar këtë. Në fakt, nuk ishte shumë e sigurt nëse do të rregullohej ndonjëherë. Megjithatë, arriti në kohë në shkollë.

-Sot dua t'ju prezantoj me një klub të krijuar brenda shkollës. Ne menduam të bashkonim nxënësit që na duken më të aftë, për të qenë pjesë e konkursit. Klubin e krijuam ne, por mund të futen edhe nxënës të tjerë për të krijuar grupe të tjera. Qëllimi i këtij klubi është që të punojë fort edhe jashtë konkursit, të përgatitet para se të jetë pjesë e tij, - filloi të shpjegojë një pedagog.

Maori po shpresonte që të ishte e zgjedhur, pasi të gjithë e njihnin shumë mirë ambicien e saj të madhe mbi teknologjinë. Ishte e shkëlqyer, por ndoshta nuk i kishte treguar siç duhet ato aftësi.

-Janë zgjedhur disa nxënës nga klasa të ndryshme. Nga klasa juaj është vetëm një person.

Kaq i nevojitej. Tashmë e dinte që ishte ajo.

-Maori Oak! - u dëgjua emri i saj.

Gati sa nuk fluturoi nga gëzimi. Nëse do të ishte e mundur do të shkonte e ta përqafonte. Mundësitë për atë sa vjen e po rriteshin në shkollën ku ishte e regjistruar. Ata kërkonin shumë, kërkonin elementë me aftësi të veçanta. Dhe më e mira ishte se Maori ishte e tillë në atë fushë.

Buzëqeshja nuk iu shua gjatë orëve të mësimit. Ishte e shpërqëndruar, sepse kishte një mundësi të madhe dhe nuk mendonte asgjë tjetër përveç atij rasti. Ishte e lumtur që prindërit e saj nuk mund të kundërshtonin, sepse ajo ishte e zgjedhur nga vetë shkolla. Mezi po priste që idetë e saj të ishin të paraqitura në një paisje të vetme, e cila sipas saj, do të ishte shumë funksionale.

-Sot në orën 16:00 duhet që nxënësit e klubit të formuar të paraqiten tek biblioteka e re e qytetit, e cila nuk është ende në funksion, kështu që do të jetë vendi ku do të punoni. Do të pajisjet me të gjitha nevojat që mund të keni. Mund të qëndroni atje deri në orën 20:00, ose mund të largoheni më parë, është zgjedhja juaj, por sa më fort të punoni, aq më shumë do të nxirrni në përfundim. Duhet të dini se pajisja juaj nuk do t'ju ndihmojë vetëm ju në këtë rrugëtim, por të gjithë! Kështu që punoni sa më fort! Suksese të gjithë nxënësve pjesëmarrës! - u dëgjua lajmërimi në çdo klasë.

Pasi mbaroi mësim, po kthehej e lumtur në shtëpi, duke mos e ditur se çfarë e priste.

Makina nuk ndodhej jashtë shtëpisë. Ndoshta e kishin marrë punonjësit e kompanisë. Babai i saj punonte shofer në një supermarket. Kur ai nuk ishte në punë, makina e vogël zhdukej shpesh nga oborri i gjelbëruar në shtëpinë e saj. Hyri brenda shtëpisë e entuziazmuar për të dhënë lajmin e mirë. Të paktën për atë ishte i tillë. Kur hyri brenda, prindërit ishin të dy të ulur në karriget afër derës së daljes. Dukej qartë se diçka nuk shkonte.

-Çfarë ka ndodhur? - tha Maori duke e parë qartë situatën. U afrua dhe u ul pranë tyre.

-Nuk e di se si do ta presësh, ama... - filloi të fliste mamaja e saj, por i ati e ndërpreu.

-Unë kam humbur punën bijë! - tha ai ndër dhëmbë.

-Si? - filloi t'i mbahej goja Maorit.

-Epo ja, supermarketi u mbyll dhe do të zhvendoseshin diku tjetër. Por ishte shumë larg për ne. Dhe unë nuk mund të shkoja me ta. Kështu që për momentin, nuk kemi asnjë burim të ardhurash. Ti e di...unë nuk e kam mbaruar shkollën, dhe nuk mund të punësohem lehtësisht. Me kohët që kanë ardhur, as pastrues nuk punon dot pa shkollë. Do ta kem të vështirë të gjej një punë të re me të ardhura të mjaftueshme për ne. Ti e di...shëndeti i motrës tënde të vogël sa vjen e përkeqësohet. Ka muaj që qëndron në spital, dhe ne...ne nuk mund t'i përballojmë shpenzimet...të gjitha. Dhe ti e di që ajo nuk mund të kurohet në vend tjetër. Dhe për sa kohë që nuk kemi të ardhura mjaftueshëm, do të të lutesha si prind ta lije shkollën e të filloje të punoje për një kohë...sadopak të shkurtër. E di që është e vështirë për ty, por shpenzimet e shkollës tënde janë shumë të mëdha...edhe... - shpjegoi ai.

Nuk kishte më fjalë për të thënë. I tha të gjitha. Nuk mund të shtonte më shumë. Ishte gjithçka e qartë. Nuk kishte zgjidhje tjetër.

-Mos u shqetësoni! Do të bëj më të mirën. Do të punoj! Ju premtoj! Nesër do të shkoj në shkollë që të çregjistrohem, që të mos paguajmë më shumë. Do të gjej një punë të zakonshme... - tha ajo me gjysmë zëri dhe vendosi dorën tek shpatulla e të atit.

Mendonte se mentaliteti i prindërve të saj do të ishte pengesa kryesore. Por mesa dukej, fati e kishte vendosur që ajo të mos ndiqte ëndrrat e saj në një mënyrë a në një tjetër. Duhet ta përballonte. Tek e fundit prindërit e saj nuk kishin zgjidhje tjetër. Pastaj mendonte edhe për të motrën. Nëse ajo po jetonte një jetë të keqe dhe ankohej, çfarë mund të bënte një vajzë 9 vjeçare në një spital ku të gjithë njerëzit ishin të akullt? Gjithë ajo buzëqeshja gjatë gjithë ditës, i shkoi dëm. Por të paktën e ndjeu se si ishte të ishe një nga të zgjedhurat në një shkollë gjigande si ajo. Të paktën bëri më të mirën për të arritur deri aty, edhe pse nuk do t'i nevojitej më në jetë. Tashmë do të ishte thjesht një vajzë normale, si gjithë të tjerat. Një punë të thjeshtë dhe një jetë normale. Ku shkuan ëndrrat magjike në mendjen e saj?

E tillë është jeta. Ecën në rrugën e ëndrrave për kohë të gjatë. Derisa humb. Humb në rrugët e shumta me të cilat duhet të përballohesh, por nuk ke një busull për t'u orientuar. Kështu që të mbetet të vazhdosh i humbur, si dikush tjetër...

-Pse nuk ekziston dikush që të mund të të ngrejë humorin kur ti thjesht nuk mundesh më? - qëndroi në një pauzë mendimesh. -Prit..!

MaoriWhere stories live. Discover now