◇XVIII◇

97 34 9
                                    

Maori dhe Dovahkini panë njëri-tjetrin të konfuzuar. Nuk po i kuptonin fjalët e tij, ku dëshironte të dilte ai me ato fjalë, apo për çfarë po i lajmëronte ata të dy.

-Çfarë doni të thoni? Ku kemi gabuar? Ju e thatë vetë, se ishte faji juaj për vonesën e sotme! - Maori s'mund të heshtte.

-Jo! Më keni keqkuptuar! Doja të thoja se grupet e tjera kanë një avantazh më shumë se ju. Ata janë pranuar kohë më parë në këtë konkurs, gjë që iu ka lejuar të punojnë me shumë për projektin e tyre. Me një fjalë, janë të përgatitur, - tha Xhonatan.

-Kush e përmendi që ne nuk jemi të përgatitur? -Dovahkini hyri në rol.

-Askush! - tha ai. Dukej qartë që në fillim se nuk i pëlqente aspak Dovahkini. Ndoshta sepse kishte një bashkëpunëtore shumë të mirë, dhe vetë atë e shihte si të paaftë.

Të gjithë nxituan për të zënë vendet e tyre. Dikush të niste nga puna, e dikush të vazhdonte. Ndërsa Maori thjesht u afrua në një tavolinë të thjeshtë. Nxorri skicimet nga çanta dhe po priste. Ishin të vetmit që nuk po bënin asgjë tjetër, veçse po vështronin çdo lëvizje të konkurrentëve të tyre. Dukeshin të gjithë shumë të alarmuar. Sikur diçka do të ndodhte nga çasti në çast, ose sikur ishte dita e fundit, ora e fundit dhe minuta e fundit e kohës së tyre për të punuar.

Bëri një buzëqeshje; tipike e saja dhe ktheu kokën të shihte Xhonatanin. Ai po shkonte tavolinë më tavolinë, për të parë punët e të gjithëve. Kur u afrua tek Maori dhe Dovahkini, ngriti vetullat në shenjë çudie. Ndoshta ishte i habitur që ata s'po bënin asnjë lëvizje.

-Mbaruat? - morën një pyetje nga ana e tij.

-Kemi ardhur me punë të mbaruar! - tha Dovahkini dhe i hodhi një vështrim qortues.

-Më lejoni t'i shoh atëherë.

Maori i zgjati dy skicimet e robotëve. Pastaj tërhoqi skicimin e parë, dhe e fshehu.

-Pse e more? - tha ai dhe zgjati kokën për ta parë se çfarë ishte.

-Nuk është pjesë e projektit. Është e imja, - Maori u kthye më në të majtë, nxitoi të merrte çantën dhe e futi aty skicimin e robotit të saj.

-Në rregull! Kjo është e gjitha? - dukej sikur kërkonte më shumë.

-Po! - i tha shkurt Dovahkini. Kishte filluar të mos i pëlqente ai person. Mbase nga mosha që kishte.

-Mendojmë se është mjaftueshëm për këtë raund, si të thuash. Madje mund të jetë mjaftueshëm edhe për një tjetër. Po, është thjesht një fletë. Por hidhini një sy skicimit të detajuar të robotit. Nuk është e lehtë, apo jo? - Maori nuk do të ndalonte kurrë së përdoruri atë metodë, sepse pothuajse gjithmonë funksiononte.

-E saktë! - kjo ishte përgjigjja e tij para se të largohej.

Maori i buzëqeshi Dovahkinit për t'i lënë të qartë se shpëtuan nga kjo ditë. Ajo ishte vërtet e përgatitur. Nëse nuk do të ishte për skicën dhe fjalët e saj, të dy do të ishin duke punuar dhe pasi të mbaronin, do të ishin të rraskapitur.

-Mjafton! - tha ai dhe të gjithë ndaluan se punuari. Mund të shihje në çdo sy frikë, ankth, lodhje, por jo tek sytë e atyre të dyve. E dinin që ia dolën, dhe kishin të drejtë.

-Vetëm 8 prej jush do të vazhdojnë. Punët e tjera do të lihen përgjysmë dhe nuk lejohet që të vazhdohen jashtë kësaj kompanie. Asnjë.

Këto fjalë e frikësuan paksa Maorin. Po sikur të mos e fitonte konkursin? Ëndrra e saj nuk do të bëhej kurrë realitet. Nuk do të mund të bëhej kurrë pjesë e robotikës. Do ta kishte të ndaluar. Një arsye më shumë për ta fituar atë konkurs.

-Grupi 2, 3, 5, 6, 9, 10, 14 dhe 15! - u dëgjua zëri i tij në të gjithë sallën. -Do të vazhdojnë të zhvillojnë punën e tyre si pjesë të konkursit.

Ata që u zgjodhën filluan të bërtisnin nga gëzimi, ndërsa të skualifikuarit ishin paksa të vetëdijshëm që do të ndodhte ashtu.

-Po ne cili grup jemi? - tha Maori.

Dovahkini filloi të qeshte, iu afrua dhe i tha me zë të ulët:

-15!

-15? - jehoi zëri i saj në të gjithë dhomën. Përqafoi Dovahkinin po aq e lumtur sa më parë. E dinte se do t'ia dilte, por ta dëgjoje se ishte e vërtetë të jepte një siguri brenda vetes. -E dija!

-Të skualifikuarit të largohen, ndërsa të tjerët të më ndjekin. Do t'ju tregoj vendet e punës, aty ku do të vazhdoni të zhilloni projektin tuaj për dy ditë. Pas dy ditësh do të ndodhë e njëjta gjë. Por këtë herë do të keni një grup kundër jush.

Të gjithë vrapuan drejt tij të lumtur. Maori ishte ende duke përqafuar Dovahkinin. Po e ndiente ende atë gëzimin që fitoi kur dëgjoi numrin e grupit të saj.

-Nëse nuk e dëgjuat... - Madelin u afrua drejt tyre.

-E dëgjuam! - e ndërpreu Maori. -Po ti, a nuk duhet të ishe duke bërë punën tënde tani?

-Puna ime është...

-Është të shkosh aty ku shkon pronari yt! Kështu që...-drejtoi gishtin nga turma e madhe e konkurrentëve, në fillim të të cilëve ndodhej Xhonatani.

Ajo u largua. E urrente kur dikush që nuk ishte në një nivel më të lartë se ajo në atë kompani, e trajtonin në atë mënyrë. Por tek e fundit, ajo nuk e njihte Maorin dhe planet e saj për të ardhmen. Por as Maori nuk e njihte atë.

Kapi dorën e tij dhe të dy u drejtuan për tek konkurrentët e tjerë. Po ecin në qetësi, ndërkohë që në të gjithë dhomën dëgjoheshin zëra të ndryshëm, të zhurmshëm dhe të qetë.

-I shikon ata? - drejtoi gishtin nga konkurrentët e tjerë.

-Po?- Maori u bë paksa konfuze.

-Si mund të jenë ata njerëz më të aftë se ty? - tha ai dhe i buzëqeshi.

Maorit i pëlqeu ky gjest. Filloi të qeshte edhe pse e dinte se nuk ishte komike. Por në ato momente nuk po dinte si të reagonte.

-Si mund të jenë ata më të aftë se ne? - tha ajo dhe mbështeti kokën e saj në supin e tij. Ashtu vazhduan të ecin derisa i arritën turmës. Ishte rradha e tyre të merrnin vesh se ku do të qëndronin çdo ditë për të punuar.

-Maori, më ndiq! - tha Xhonatan duke u drejtuar në një tjetër dhomë.

-Doje të thoje grupi 15? - vërtet e dinte që Maori kishte rolin kryesor në atë projekt, por ai nuk mund të vepronte sikur Dovahkini nuk ishte pjesë e atij konkursi, pasi nëse nuk do të ishte për të, Maori nuk do të mund të rregjistrohej.

Xhonatan nuk i ktheu përgjigje. Vazhdoi rrugën përpara duke pritur për Maorin që ta ndiqte, por ajo ndaloi për një çast, bëri një pauzë të shkurtër derisa Dovahkini të afrohej prapë, dhe i kapi dorën sërish. Ai buzëqeshi dhe vazhdoi ta vështronte me admirim.

-Ky është vendi ku do të punosh. Ku do të punoni! - tha ai dhe vështroi Dovahkinin me një shikim të ashpër.

Dhoma ishte gjigande. Nëse dhomat e tjera ishin të mëdha, ajo dhomë ishte gjigande. Të mëdha ishin makineritë që kishte brenda asaj dhome.

-Këtu është qendra e gjithë kompanisë. Dhe ti je me fat që do të punosh në këtë vend, - tha Xhonatan.

-Për mendimin tim jemi me fat për idenë që kemi zgjedhur, pasi ajo na çoi drejt këtij vendi, - tha Davahkini. Maori i hodhi një vështrim të ëmbël, dhe të dy vazhduan për më në brendësi të dhomës.

MaoriWo Geschichten leben. Entdecke jetzt