◇XXI◇

103 35 24
                                    

Nuk arritën ta dallojnë mirë se kush ishte ai person. Dera e madhe e dhomës ndodhej shumë larg prej tyre, por arritën ta dallojnë se dikush i pa. Qëndroi për një çast para asaj dere pa lëvizur, pastaj vrapoi dhe doli jashtë. Maori dhe Dovahkini vrapuan pas atij personi që ta zbulonin se kush ishte.

-Dikush na pa! - thirri Maori ndërkohë që vraponte.

-Është i gjithi faji yt! Të thashë të dilnim më parë nga ajo dhomë, por nuk doje! Tani do të na skualifikojnë! - ia ktheu Dovahkini po me të njëjtin ton.

Ishin ende duke e ndjekur, por ishte shumë larg. Aq larg sa nuk arritën ta dallonin nëse ishte mashkull apo femër, por do të vazhdonin të vraponin derisa ta zbulonin. Kushdo që të ishte, nuk ishte Xhonatani, sepse nuk do të vraponte kurrë në atë mënyrë. Kur iu afruan pak, panë diçka që i ra nga dora. Nuk kishte kohë që të kthehej dhe ta merrte, kështu që vazhdoi rrugën.

Maori ndaloi për ta parë se ç'ishte, por iu larguan shumë. Tashmë ai person nuk dukej, ishte larguar mjaftueshëm sa t'i humbiste nga sytë Maorit dhe Dovahkinit.

-Çfarë bëre? Na humbi! - filloi t'i fliste Dovahkini, por ajo ishte ende e përkulur në tokë, duke vështruar diçka. -Çfarë është ajo? - tha ai dhe u ul për ta parë.

Ishte një bllok shënimesh i vogël, i cili përdorej për të këputur fletë të vogla ngjyrë të verdhë, për të shënuar diçka të momentit.

-Është Madelin! - tha Maori dhe u ngrit në këmbë. -Duhet të mësojmë nëse e ka kuptuar se kush ishim. Po shpresoj për jo.

-Kjo është e tmerrshme! Ajo do t'i tregojë menjëherë Xhonatanit, dhe edhe nëse nuk na ka njohur, do të zbulohet së shpejti, - tha Dovahkini dhe filloi të ecte nëpër koridor, sa andej-këndej.

-Por ai nuk tha që ajo dhomë ishte e ndaluar apo jo? Ajo që duhet të ketë frikë është Madelin, jo ne. Ajo vrapoi si frikacake nga ne të dy. Do të thotë se ajo na zbuloi diçka, por edhe ne e bëmë. Përndryshe nuk do të largohej nga ne në atë mënyrë. Ndoshta po mundohet t'i tregojë Xhonatanit për ne, para se ne ta bëjmë, që të na skualifikojnë. Diçka luhet këtu! - filloi të mendonte thellë. Ndoshta nuk ishin ata viktimat e asaj ngjarjeje.

-Ke të drejtë! Nëse nuk do të ndihej fajtore për diçka, pse do të vraponte nga ne? A nuk supozohej të largoheshim ne dhe ajo të na ndiqte? - Dovahkini hyri në temë.

-Kjo më çudit! Nuk besoj të tregojë nëse ia bëjmë të qartë se e kuptuam se kush ishte. Ajo mendon se ne dimë diçka të madhe Dov, thjesht ne nuk po e vëmë re këtë. Nëse ajo e di se ne e njohëm, nuk do të guxojë kurrë të tregojë që ne hymë në atë dhomë. Sepse do të mendojë se ne zbuluam diçka që nuk do të ishte aspak mirë për të, nëse Xhonatani dhe të tjerët e marrin vesh. Kemi një peshk të madh në dorë Dovahkin! - shumë fjalë po i vinin në mendje, por ende nuk po e kuptonte se çfarë ishte e gjitha kjo që po ndodhte. Çfarë mendonte Madelin se kishin zbuluar ata? Dhe për më tepër, kush ishte i zbuluari në atë mes?

Mendime të ndryshme kishin në mendje. Ama diçka e dinin. Që për sa kohë ajo e mbante të fshehtë që pa Dovahkinin dhe Maorin të dilnin prej asaj dhome, ata të dy duhet të zbulonin më shumë.

-Si fillim duhet të sigurohemi që ajo ishte Madelin! E njoha prej shënimeve që mban gjithmonë me vete në atë lloj flete. Por duhet të jemi të sigurt, nëse duam të bëjmë diçka me siguri, - duhet të vepronin sa më parë dhe Maori po mendonte çfarë të bënin për këtë.

-Por si? - Dovahkini po mendohej se cila do të ishte mënyra më e mirë për ta zbuluar.

Iu kthyen punës duke i lënë vendin kohës t'i përgjigjej të gjitha pyetjeve të tyre. Kishin humbur mjaftueshëm kohë nga ajo e punës, ndaj duhet të vazhdonin sa më parë.

Një pjesë të trupit të tij e kishin të ndërtuar, dy krahët dhe një këmbë të robotit ishin gati. Kishin për të bërë shumë më shumë. Duhet të përfundonin gjymtyrët e mbetura. Pasi të krijonin trurin duhet ta programonin, dhe pasi të programonin trurin, duhet ta vinin në punë. Dhe nëse ideja e tyre dilte fituese, duhet të bënin kopje të atij roboti.

Punuan për një kohë të gjatë, derisa Xhonatani hyn në dhomën ku ata ndodheshin. Që nga ajo ditë e tutje, e vetmja gjë që do t'iu kujtohej kur të shihnin Xhonatanin të vinte drejt tyre, ishte momenti kur hynë në dhomën e ndaluar, edhe pse ende nuk e dinin nëse ishte e tillë apo jo.

Ai u afrua në vendin e punës dhe pa gjithçka që ata ishin duke punuar. Por nuk tha asgjë, deri kur një zhurmë e vogël u dëgjua nga dhoma e ndaluar.

-Çfarë ka aty? - iu drejtua ai Maorit, por ajo ngriti supet, që të tregonte se nuk dinte gjë. Por ajo e dinte.

U afrua për të hapur derën e vogël, por një zë e ndaloi.

-Zotëri, keni një mbledhje në këto momente. Ata po presin! - në dhomë hyri Madelin, me disa dosje në dorë. Xhonatani u largua nga dhoma e vogël dhe u drejtua drejt daljes. Pasi të dy u larguan, Maori shfryu e qetësuar.

-Por pse do ta bënte ajo këtë? - hapi sërish të njëjtën temë.

-Nuk e di Dovahkin! Por nuk kemi kohë të mendojmë për atë sërish. Na harxhoi mjaftueshëm kohë, - bëri një pauzë të shkurtër. -Ndoshta shpëtoi veten.

-Nga çfarë? Domethënë, e di çfarë e bëri atë zhurmë, dukej si...

-Jo! Nuk e dëgjova aq mirë! Duhet të vazhdojmë me projektin Dovahkin, - ishte e fokusuar. Ndoshta sepse nuk kishin kohë, ose ndoshta sepse nuk dëshironte të fliste më për atë temë.

Dovahkini nuk vazhdoi ta pyeste, sepse ajo kishte të drejtë. Kishin shumë për të bërë. Dhe kishin vetëm disa orë kohë të mbetura. Duhet të bënin mjaftueshëm për të kaluar edhe këtë raund.

~22:38~

Ishin ende duke punuar. Ishin të rraskapitur. Sytë iu ishin skuqur dhe nëse do të qëndronin edhe një moment të vetëm në këmbë do të rrëzoheshin në tokë, dhe nuk do të kishin fuqi për t'u ngritur.

-Maori, them ta lëmë me kaq për sot. Besoj se është mjaftueshëm për këtë herë, - Dovahkini shtoi dorën e fundit.

Orët e fundit kishin vendosur të punonin me rradhë, nga lodhja e madhe që ndienin. Ndërkohë që njëri punonte, tjetri qëndronte ulur për t'u qetësuar pak. Këtë herë Dovahkini nuk e vuri re se atë e kishte zënë gjumi. U afrua për ta parë, dhe mendoi të largoheshin atë ditë.

E mori në krahë, dhe eci nëpër koridorin e gjatë të asaj kompanie, derisa arriti tek dalja. E futi në makinë dhe të dy u larguan.

I ra disa herë ziles së shtëpisë së Maorit. Por ishte vonë, dhe prindërit e saj ishin duke fjetur, kështu që nuk e dëgjonin derën që binte.

Kontrolloi në çantën e Maorit dhe gjeti disa çelësa, që po shpresonte të ishin të shtëpisë së saj. Dhe kishte të drejtë.

Hapi derën ngadalë, duke u munduar të mos bënte zhurmë. E dinte se ishte një mënyrë e gabuar, por nuk kishte zgjidhje tjetër. Shtriu Maorin në një nga divanet që ndodheshin në dhomën më të afërt që gjeti dhe e mbuloi me një mbulesë që gjeti. Mbylli derën sërish pa bërë zhurmë dhe u largua.

Një ditë e madhe i priste nesër.

MaoriWhere stories live. Discover now