◇XIII◇

113 36 33
                                    

Qëndronte para asaj ndërtese dhe e vështronte me admirim. Ishte aq e madhe sa ajo nuk mund ta shihte plotësisht që nga vendi ku ndodhej. Mezi po e priste atë ditë, kur kjo ndërtesë të shihej nga pikëpamja e saj, si vendi i saj i punës. Dhe po shpresonte që ajo ditë të vinte sa më shpejt. As kulla Eiffel dhe statuja e lirisë nuk do t'i dukeshin aq madhështore në atë çast.

Ishte duke pritur për dikë që t'i tregonte se nga duhet të shkonte për t'u regjistruar në konkurs. Po vonohej shumë, ndaj vendosi të hyjë brenda, por Dovahkini nuk dukej gjëkundi. Në fillim e anashkaloi dhe mendoi se do të vinte së shpejti, por më vonë filloi ta merrte seriozisht këtë pjesë.

-Po sikur të mos vijë? - frika filloi t'i përhapej në të gjithë trupin.

Pa e kuptuar kishte bllokuar derën kryesore, duke ndenjur në mes të saj pa lëvizur. Ishte ende e përhumbur, kur një punonjës i foli për ta sjellë në vete.

-Më falni, mund të largoheni, sepse jeni para hyrjes?

Maori ngriti kokën dhe pa një grua hollake, rreth të 30-ave, e cila po e vështronte e habitur.

-Oh, më falni! Nuk e kisha vënë re. Unë po pres një...një shok, - as vetë nuk e dinte se çfarë po thoshte.

-Këtu? - ajo u çudit nga përgjigj'ja e saj.

-Nuk u shpreha mirë. Atëherë, unë jam Maori Oak dhe do të marr pjesë në konkursin që zhvillon kompania juaj, por bashkëpunëtori im nuk ka ardhur ende, dhe vendosa ta pres, - i shpjegoi ajo.

-Por audicionet janë mbyllur.

-Unë... Jam një përjashtim i vogël.

-Oh, ju jeni ajo vajza për të cilën na tregoi zonja Rozali? Më vjen shumë keq, ejani këtej ju lutem!

-Ju... Ju më njihni? - Maori filloi të konfuzohej më shumë se më parë.

-Unë jam Madelin, asistentja personale e Xhonatan Rojs, drejtuesit të kësaj kompanie. Unë isha aty kur zonja Rozali tregoi për ty. Jo vetëm unë, por pothuajse gjithë stafi i kësaj kompanie. Pothuajse të gjithë të njohin këtu tashmë, si konkurrente dua të them. Zonja Rozali vjen shpesh në kompani. Edhe pse nuk punon këtu, është një bashkëpunëtore e mirë në krijimtarinë tonë. Dhe kur filloi të fliste për ty, të gjithëve iu bëre përshtypje, - tha ajo duke ecur nëpër një nga korridoret e gjata të asaj ndërtese. Maori e ndiqte duke e dëgjuar me vëmendje. I pëlqente kur të tjerët ia dinin vlerën dhe për më tepër, e adhuronte kur ata flisnin për të, mirë apo keq.

-Epo mesa duket jam e mirëpritur mjaftueshëm këtu - tha ajo dhe bëri një buzëqeshje gjysmë të shtirur.

-Nuk e di sa të vërteta janë ato që tha zonja Rozali, por shpresoj që të jetë ashtu. Je vërtet me fat, sepse asnjë konkurrent nuk mirëpritet në këtë mënyrë këtu, sidomos kur ende nuk ka kaluar në fazën e audicioneve, - ajo mbante një qëndrim serioz. Takat e saj të larta ngjyrë të zeza bënin një zhurmë që jehonte në të gjithë korridorin, dhe dosjet që mbante në dorë, flokët e zinj të kapur topuz në pjesën e qafës, e bënte të dukej edhe më serioze dhe e zymtë.

-Por unë jam një përjashtim i vogël, apo jo?
Maorit i pëlqente kur e lavdëronin dhe kur flisnin mirë për të, por jo kur e krahasonin me të tjerët. Nuk i pëlqente kur bëheshin përjashtime të tilla si të pranohet dikush pa e kaluar fazën e audicioneve, gjë që ajo nuk po e bënte. Donte që gjithçka të ishte sipas rregullave që të ndihej e sigurt këtë herë. I vetmi përjashtim që ajo kishte në favor, ishte dita kur ajo do të regjistrohej.

-Po, - i ndërpreu mendimet zëri i saj i prerë, -por nuk bëhen shpesh të tilla përjashtime në këtë vend. Ndaj duhet të ndihesh e veçantë.

Ndaj duhet të ndihesh e veçantë.

Këto fjalë i buçisnin në kokë. E veçantë. Ajo ishte që atëherë e tillë. Që në momentin që u fol për të në atë kompani. Dhe ajo do të vazhdonte të ishte e tillë. E veçantë.

Ndaluan para një dere të mbyllur nga grila të bardha. Nuk ishin të mbyllura aq mirë, gjë që të mundësonte të shihje qartë se çfarë ndodhte brenda. Dhoma dukej e madhe. Një tavolinë e hollë dhe e gjatë në ngjyrë të zezë, e ndante dhomën në dy pjesë, rreth të cilave kishte njerëz me kostume të mbërthyera mirë. Në fillim të tavolinës ndodhej një burrë me një xhaketë të zezë, kollare të bardhë pikaloshe dhe këpucë me majë të lustruar mirë.

-Ai është Xhonatan Rojs; drejtuesi i kompanisë, drejtori ynë dhe i yti për sa kohë që ndodhesh brenda këtyre mureve. Për momentin është në një mbledhje me ata që do të na ndihmojnë për projektin e vitit, - ende kishte atë fytyrën e ngrirë. Në pamje të parë nuk dukej e tillë. Ishte më e shkurtër se Maori dhe dukej të kishte fytyrë engjëllore. Ndoshta thjesht po bënte punën e saj.

-Projekti i vitit? - u interesua Maori. - Kam dëgjuar për të.

-Më mirë të mos dish më shumë. Puna jote këtu është të marrësh pjesë në konkurs, dhe nëse fiton, mund të dish më shumë rreth asaj që sapo pyete.

Biseda midis tyre po i dukej e mërzitshme, kështu që vendosi të ndërrojë temë.

-Po bashkëpunëtori im? A nuk duhet ta shoqëroje edhe atë për këtu? - ende nuk e dinte nëse Dovahkini do të vinte. Ndaj kishte frikë.

-Të tjerë do të kujdesen për të. Por pse nuk erdhi me ty? - e pyeti ajo. Ishte gjëja e parë për të cilën u interesua.

-Nuk e di.. Domethënë, më tha se do të vonohej pak dhe unë u nisa për këtu, - ndonjëherë fjalët që thoshte nuk merrnin një kuptim.

Asistentja ngriti vetullat si të donte të tregonte se ishte thjesht duke bërë sikur i besoi fjalëve të Maorit. Ishte gjithmonë me sytë nga dera e sallës së mbledhjes, pa i hequr për asnjë sekondë.

-Ndoshta duhet të telefonoj zonjën Rozali! - tha Maori me gjysmë zëri.

Ajo nuk reagoi. Ende i kishte sytë e ngulur në atë dhomë, derisa u hap dhe prej atysh dolën të gjithë pjesëtarët e mbledhjes, përveç Xhonatanit. Ai eci drejt derës dhe qëndoi aty për një çast. Vështroi njëherë Maorin dhe më pas ktheu shikimin drejt asistentes së tij, si ta pyeste së kush ishte ajo vajzë.

-Maori Oak, konkurrente e konkursit vjetor. S'ka marrë ende pjesë në audicione, kështu që ishte informuar të paraqitej në kompani sot në orën 10:00, - i shpjegoi ajo.

-Maori! - ngriti ai zërin dhe një buzëqeshje i përshkoi fytyrën. Zgjati duart drejt derës në mënyrë respekti, që ajo të hynte brenda.

Salla ishte më e madhe nga ç'dukej nga jashtë. Ishte e ndriçuar nga dritarja e madhe në perëndim, e cila përshkonte pothuajse gjithë faqen e murit. Prej atysh mund të shihje qartë gjithë qytetin dhe në periferi të tij, qytezën e vogël ku jetonte Maori.

-Zonja Rozali më ka folur shumë për ju. Të njoh mirë, sepse i besoj fjalëve të saj. Të them të drejtën më erdhi keq kur mora vesh se dëshiroje të merrje pjesë në konkursin e ICT. Jo për faktin se nuk u pranove, por sepse more ambicien të bëheshe pjesë e tyre, - përderisa ishin kompani kundërshtare, nuk do të kishte asgjë të mirë për të thënë për ta.

-Mund të filloj me prezantimin e punës sime ju lutem? - iu drejtua Maori, duke anashkaluar thashethemet e kota për kompaninë kundërshtare.

-Sigurisht, sigurisht! Por besoj se i dini rregullat, të cilat tregojnë se nuk mund të merrni pjesë në konkurs e vetme, - iu përgjigj ai.

MaoriWhere stories live. Discover now