◇X◇

132 37 27
                                    

-Por ata nuk e kanë USB-në time. Ndoshta nuk kanë qenë aq të vëmendshëm sa të mbajnë mend çdo detaj. Pastaj, unë nuk tregova asgjë për brendësinë e projektit tim. Thjesht informacione që me shumë siguri, ata i dinin edhe më parë. Dua të them, përderisa janë udhëheqës të një kompanie të tillë, duhet ta dinë se si ndërtohet një robot. Nuk besoj të kemi ndonjë pengesë nga kjo anë, - shpjegoi Maori.

-Shpresoj! - tha zonja Rozali.

Në gjithë atë rrëmujë që ishte shkaktuar, Maori mund të ishte e vetmja që kishte përfituar. Fati qëndronte ende në anën e saj, duke mos u dorëzuar për ta çuar padronen e tij deri në pikën e ëndërruar. Avantazhi më i madh i Maorit ishte se prindërit e saj nuk dinin ende asgjë. Nëse do t'iu kishte treguar më parë, ndoshta do të kishte hequr dorë kohë më parë nga ëndrrat e saj. Ndoshta duhet të ndalonte së quajturi ëndërr punën e saj, pasi kishte filluar të bëhej realitet.

-Unë po largohem! Do të të informoj sa më shpejt të mundem. Jam krenare për ty Maori, mos e harro kurrë këtë! - tha ajo dhe i dhuroi një përqafim të shkurtër.

-Ndërsa unë jam me fat që kam mbështetjen tuaj! - ia ktheu Maori.

Para se të shkonte sërish në shtëpinë e saj dhe të mbyllej në atë dhomë, preferoi të qëndronte edhe pak në rrugët e atij parku. Drita e ditës kishte filluar të venitej, dhe një fllad i lehtë e ndiqte nga pas. Edhe pak ditë kishin ngelur nga përfundimi i vitit të parë të universitetit; më pas do të ishte e lirë. Ndoshta do të vazhdonte vetëm me konkursin, ndoshta do të detyrohej të gjente një punë tjetër, por i pëlqente të mendonte se do të ishte e lirë për të bërë atë që dëshironte.

Dovakhini doli nga makina dhe u afrua pa e thyer heshtjen. Po ecnin të dy pa folur, derisa një pyetje nga ana e Maorit, ngjalli ajrin midis tyre.

-Akoma këtu? Pse nuk u largove? - iu drejtua ajo, ende duke ecur me hapa të ngadaltë dhe të rëndë, me kokën ulur.

-Nuk kisha zgjidhje më të mirë përveçse të qëndroja. Isha kureshtar të mësoja se çfarë folët bashkë, pasi të pashë se sa u gëzove për një moment, - tha Dovakhini, duke mbajtur po të njëjtin pozicion.

-Do të bëhem pjesë e një konkursi tjetër. Shpresoj që t'ia dal mbanë këtë herë, - tha Maori dhe ndali hapat.

-Më bëhet qejfi! Jam i sigurt që do t'ia dalësh! Ishe kaq afër edhe në konkursin e kaluar dhe nëse nuk do të ishte për atë USB, do të ishe pranuar me shumë siguri.

-Le të shpresojmë që s'do të ketë një grup të apasionuar pas USB-ve të vjedhura, - buzëqeshi lehtë dhe nxorri një zë të shkurtër qesharak, si të donte të nënkuptonte se ajo që tha ishte e pakuptimtë.

-Edhe nëse do të ketë, le të shpresojmë më tej se nuk do të ketë një vajzë të etur për hakmarrje USB-ësh, - tha ai dhe filloi të qeshte duke parë Maorin.

Dalloi qartë faqet e saj tashmë të skuqura. Nuk i ndodhte shpesh, ama nuk e kishte të lehtë ta anashkalonte kur vinte ai moment.

-Por nuk ishte faji im! - ia ktheu ajo ende me kokën e ulur, duke parë çdo hap që hidhte dhe çdo centimetër që kalonte.

-Nuk e thashë këtë! - e kundërshtoi ai.

Vazhduan të ecin në heshtje për një kohë të gjatë. Ndoshta të dy kishin nevojë për këtë. Njerëzit që kanë nevojë për të folur me dikë dhe të shprehin se çfarë ndjejnë, janë të shumtë. Por ka edhe nga ata që nuk preferojnë tjetër gjë përveç heshtjes; siç ishin ata të dy. Dielli kishte hyrë plotësisht duke i lënë vendin hënës që të shndrrisë. Qielli ishte ende i përflakur nga rrezet e mbetura të këtij të fundit. Një peisazh i tillë krijohej shpesh në atë park, duke i lënë mundësinë njerëzve të kalojnë një kohë në qetësi të plotë.

-Nuk dua të të ndërpres nga mendimet, por dua të të rikujtoj që është pak si shumë vonë, - tha Dovakhini duke i lënë në dorë Maorit të fliste.

-E di? Ndonjëherë ndihem sikur po i kushtoj më shumë vëmendje të ardhmes sime sesa jetës që po jetoj në këto momente. Mendoj se duhet t'i kushtoj më shumë kohë të tashmes, për sa kohë që e jetoj atë, - tha Maori duke ndërruar temë.

-Dëgjo, - ia ktheu Dovakhini, -nuk kam qenë shumë i mirë në filozofi, por e di shumë mirë se nëse nuk planifikon të ardhmen në të tashmen, nuk ka vend tjetër për të ardhmen, pasi s'do të kesh kohë ta mendosh dhe do të marrësh një vendim të çastit, për të cilin ndoshta do të pendohesh. Nuk e di nëse ka kuptim për ty, por thjesht mendo. Nëse nuk mendon për të ardhmen, për çfarë të nevojitet e tashmja? Nuk më pëlqen të zgjatem me fjalët, kështu që beso që je në rrugën e duhur, nuk ka rëndësi se në ç'drejtim ndodhet ajo. Dhe ti e di shumë mirë drejtimin që po ndjek, kështu që s'ke përse të shqetësohesh dhe të mendosh kaq shumë.

-Mendoj se duhet të kthehem në shtëpi. Po bëhet vonë, - tha Maori, pasi injoroi edhe njëherë fjalët e Dovakhinit. Ajo thjesht preferonte të dëgjonte dhe mendimin e saj ta mbante të fshehur.

Dovakhini ngriti supet si të dëshironte të tregonte se ajo vajzë ishte vërtet e vështirë për t'u kuptuar dhe e ndoqi nga pas, për në daljen e parkut.

-Do të ecësh apo do të vish me mua në makinë? - iu drejtua duke e lënë të lirë të zgjidhte.

-Më mirë po iki vetë. Do të zgjidhja gjithmonë të ecja, pavarësisht kohës. Gjithsesi, faleminderit! - i tha ajo dhe u bë të largohej.

-Në rregull, zgjedhja jote. Do të shihemi sërish këtej rrotull. Shpresoj... - ia ktheu Dovakhini dhe hyri në makinë.

Maori i buzëqeshi dhe vazhdoi hapat e saj të ngadaltë drejt shtëpisë. Rrugët ishin të boshatisura dhe nuk dëgjohej tjetër zhurmë përveç asaj të erës të lehtë që përkëdhelte gjethet e njoma të porsaçelura të pemëve anës rrugës se asfaltuar.

Siç bënte gjithmonë, hapi ngadalë derën e shtëpisë që mos ndihej, por këtë herë ata ishin atje duke e pritur.

-Kemi orë që të presim. Ku ishe? U shqetësuam! Nuk na tregove se ku po shkoje as kur u largove! - i tha e ëma.

-Ma'! Nuk keni përse shqetësoheni për mua! Pastaj nuk jam më e vogël! - ia ktheu Maori, -Kam lajme të mira; shpresoj të jenë të tilla edhe për ju.

-Po të dëgjojmë! - i tha i ati.

-Në konkursin për të cilin ju tregova, nuk u pranova për shkak të diçkaje që nuk duhet të kishte ndodhur...

-Çfarë do të thuash me...

-Nuk ka rëndësi ajo! Lajmi i mirë është se pedagog'ja zonja Rozali, më mundësoi një vend në një konkurs po aq të rëndësishëm, në të cilin mund të pranohem. Dhe nëse e fitoj konkursin, do të jem pjesë e projektit të nominuar si projekti i vitit! A nuk është e mrekullueshme? - tha ajo ende duke mos i besuar fjalëve të saj.

-Po nëse nuk pranohesh as në këtë konkurs? - ia ktheu i ati.

-Përse duhet të mendojmë anën negative? - tha Maori gjithë shpresa.

-Sepse ka gjithmonë një anë të tillë, - tha ai, u ngrit nga karrig'ja ku ishte ulur, për të shkuar në dhomën e tij.

MaoriWhere stories live. Discover now