Dy

337 32 64
                                    

-Dy vite mbyllur në këtë vend  me të njëjtën dreq monotonie dhe papritur dikush vdes e ti thua që asgjë nuk ka ndryshuar? 

-Po pikërisht! Përveç faktit që dikë e bren ndërgjegja për atë vrasje, qielli është i njëjtë, era arrin të depërtojë në xhamin  e dritares sime, e çarçafët e larë akoma mbajnë erën e të vjellave të mbrëmjes. Perdet vazhdojne te humbin ngjyrën e kuqe me çdo rrezatim dielli që u depërton midis dhe bota vazhdon të mbushet me flliqësira liri-oligarkike.

-Ç'dreqin po llomotit moj vajzë? 

Një palë sy të zinj kundronin siluetën e Loradonës, e cila iu frynte ballukeve të verdha për të lexuar revistën që kishte përballë, një revistë e vjetër me një foto të Harvey Weinstein si kopertinë. Sytë e saj lëviznin ndër rreshtat e pakët të revistës duke shmangur zemërimin e oficerit të policisë që gjykohet nga buza e ngritur në shenjë pakënaqësie e shefes.

-Pra, dy vite me Zotin Lala, besoj se kanë vlejtur aq sa të na tregojnë se pse dreqin një plak pa probleme mendore ndodhej në një azil të tillë. 

Heq syzet e errëta per ti lënë mënjanë tryezës dhe me një buzëqeshje të ëmbël mundohet ti largojë flokët Loradonës, për të gjetur përgjigje në sytë e saj që veç tregonin dhimbje.

-E mban mend herën e parë kur jeni takuar me Zotin Lala?

Sytë e saj goditën fytyrën e kryeoficeres dhe ngjyrat e mendimeve ndërronin iriset e jeshilta.

-Loradona Ruda është vendosur në azil të mërkurën e 27 dhjetorit dy vite më parë…

-Nuk po kërkojmë përgjigje nga ju, punonjëset e kanë dhënë deklaratën  Znj. Xhorxhia.

-Loradona nuk flet.

Nxitoi ti kundërpërgjigjej duke shtrënguar nofullat, e fshehur duart e djersitura nga axhitosja.

-Foli njëherë, do e bëjmë të flasë sërish. Kjo çështje është mjaft me rëndësi e më është ngarkuar mua për një arsye.

Dallohej fodullëku dhe krekosja që në timbrin e shtrembëruar të zërit.

-Pra Loradona, si e rikujtoni ditën e parë këtu?

Mbante mend çdo ndodhi të asaj mërkure. Mbante mend si kishte fërkuar dhëmbët me furçe, si ishte larë me përtesë, mbante mend muzikën e fundit që kishte dëgjuar në atë shtëpi, përqafimin e fundit dhe puthjen e parë të lamtumirës.

***

27 dhjetor  2017

Flladet e ftohta i depërtonin në xhaketën e kadifenjtë. Duart i mbante lidhur në trup e buzët të ndjeshme nga era, i fërkonte me njëra tjetrën.

Në trastë mbante dy blloqe ylberi, tri libra të trashë shkolle dhe një shishe uji pa bulza freskie.

Shtrëngonte fort nofullat që të mos i rridhnin lotët teksa dëgjonte të ëmën të qante me ngashërim në pragun e derës. Qëndronte e heshtur duke ecur pranë tij duke gëlltitur lëmshin e fajit që nuk ishte i saj.

-Do të kthehesh sërish Lor. Kur të bëhesh më mirë të gjithë do të jemi duke të pritur.

Qielli humbi ngjyrën menjëherë, e retë ranë rëndshëm mbi guriçkat e rrugicës.

Ndjeu dy duar mbi sup që e shtrëngonin. Ndjeu aromën e të motrës që kishte vrapuar për ti dhënë një tjetër përqafim.
Iu ngatërruan lotët nëpër këmbë dhe tërhoqi trupin zvarrë për tu larguar pa thënë asgjë.

-Më dëgjove Lor? Do të të presim.

E vulosi atë premtim me një puthje në ballë e lotë që u bënë njësh për tu përpirë nga toka.
Qëndruan ashtu të përqafuar deri kur Loradonën e shkëputën për ta tërhequr brenda godinës.

-Mos më prit më Xho! Nuk të kam dashur kurrë. Ik jeto jetën tënde.

Qielli i tejdukshëm filloi të gjakoste e toka e ashpër gërryese nën këmbë të dridhej.

-Lor, të lutem më thuaj që nuk është e vërtetë! Po ëndërrat tona Lor?
...Lor përgjigju dreqi e marrtë!

Përgjigjia e vetme e përgjërimeve të tij ishte kërcitja e  hapave të Loradonës që nuk foli më për dy vite.

***

-Ku ishe naten e 27 nëntorit Loradona Ruda?

Sytë e kryeoficeres udhëtuan nëpër flokët e verdhë të të urtës, për tu përplasur më tej në murin plot të gërvishtura e mbuluar në myk. Vazhdonin të udhëtonin në disa fletë të ngjitura përmbi. Disa prej tyre ishin të shtrënguara në korniza që shkëlqenin prej dritës së atyre dy tufave rrezesh dielli.

-Në dhomën time. Dyert mbyllen gjithnjë me çelës pas orës 10.

Për një moment i hoqi sytë nga figura e një pikture të një gruaje të zhveshur mledhur kruspull mbi një mal-lëmsh të zi, për t'ia hedhur sytë pyetës infermieres që vazhdonte të shtrëngonte duart e djersitura.

-I mbyllim dyert sepse para disa muajsh Donaldi u ngrit somnabul duke i rënë violinës nëpër dhomat e pacientëve. Atë natë u ngrit i tër azili në këmbë duke ulëritur për alienët që po i pushtonin.

-Natën e vdekjes së Albertit a ishin të kyçura të gjitha dyert?

Shkëputi sytë nga infermierja dhe i ngjeshi përsëri mbi pikturat e varura në mur. Në një qoshe përtej, letrat e pikturuara ishin aq të shumta sa ishin ngjitur përmbi njëra-tjetrën. Hodhi hapa të vegjël këmbëngulës drej asaj qosheje duke lënë pas përgjigjen e infermieres.

Rrëmoi mbi letrat e bardha derisa sytë i zunë një tjetër pikturë të një femre të zhveshur. Ishte punim në laps por buzëqeshjen e kishte të ngjyer në të kuqe.

-A ka shfaqur Loradona Ruda ndonjëherë shenja dhune?

Pyet tanimë njëri nga oficerët me fytyrënne vrazhdë kur shikon që shefja e tyre është përhumbur mbi artin e disa copëzave letrash.

-Loradona është njeriu më i butë këtu. Për dy vite ka qënë totalisht e heshtur, por nën terapi gjithmonë. Vetëm para një muaji ja kemi dëgjuar zërin. Ishte atëherë kur na kërkoi të mos i dorëzonim më letra.

Loradona u ngrit ngadalë prej karriges, me një frymë të rënduar u hodh mbi kolltukun që ndodhej në sallonin e madh dhe zhyti shikimin në kujtimet që i derdheshin pa dashur.

***
Lor,

Këtë javë ndodhem në Barcelonë. Masteri po shkon shkëlqyeshëm. Kam njohur një grup miqsh të rinj që flasin veç për libra. Janë aq peshkopë por të qeshur e të dashur saqë koha mes tyre mbin krahë.
U kam folur për ty e dashur. Mezi presin  të të takojnë...po ashtu edhe unë.

Më ka marrë malli Lor! Të dua!

-Merita, të lutem digje këtë letër! Nuk dua të më sjellësh më asnjë fletë, dhuratë apo kartolinë e fotografi nga personat që kam jashtë, të lutem!

Zëri i ishte trashur ndërsa lotët që udhëtonin të lirë mbi faqe, nxehnin mornicat prej fjalëve të Xhonit.

***

Shtrëngatë Resh |✔|On viuen les histories. Descobreix ara