Nëntëmbëdhjetë

95 16 34
                                    

Drita e fortë e ekranit të madh, përplasej ashpër në fytyrën e zbehtë të Lorit, e cila refuzonte të hiqte sytë nga filmi.
Ndihej kaq e humbur në botën e jashtme dhe ishte aq e uritur saqë përthithte çdo ndjesi që i falej. Gjatë gjithë kohës mbante dorën të shtrënguar me atë të Xho dhe kokën e kishte mbështetur lehtë në shpatullën e tij. Ndërkohë Xho mbante një buzëqeshje të thyer dhe vështronte vjedhurazi njeriun që kurrë nuk kishte rreshtur së dashuruari.

"Më kishte munguar kinemaja këto dy vite."

"Hoqe dorë nga shumë gjëra Lor. E nuk e di as në ja ka vlejtur..."

Edhe Lori nuk e dinte këtë. As nuk qe munduar ndonjëherë t'ia shtronte vetes këtë pyetje.  Thjesht kishte ngulur këmbë mbi vendimet e marra, duke anashkaluar të vërtetat që asnjëherë nuk ishin fshehur.
E Lori heshti. Mblodhi duart rreth gjoksit dhe përhumbi sytë në dritat e forta.
Sërish e heshtur gjeti strehë në strofullën e vizatimeve, ku pikturoi nja dy portrete që i kishin porositur online. Xho qëndronte pranë duke llomotitur për gjëra të zakonshme të cilat ndonëse ishin, nuk shtroheshin vulgare në veshin e Lorit.

-Jam regjistruar në një kurs programimi. -rrëfeu në një moment me një gjysëm buzëqeshje në fytyrë.

-Oh, një programuese... këtë nuk ma kishte marrë mendja.

-Më duhet t'ia nis nga diku Xho, IT ka qënë gjithnjë një pikë e dobët e imja dhe mendova të sfidoj veten.

Pak dinte Xho për premtimin për rikthim që Lori i kishte bërë vetes. As nuk do e mendonte që në të, bënte pjesë edhe qëndrimi  në krahët e tij, apo një plan hakmarrje që kurrë nuk do vihej në zbatim. E aq më pak dinte Lori për Xhonë me buzëqeshje të ndryshkur.

-Më duhet të përgjigjem, është Nirvana.
-u çlirua nga rrethimi i krahëve të Xho dhe i kërkoi leje me vetulla të ngritura në formë harku. Nirvana i kishte thënë gjithmonë që nëse donte mund ta telefononte ama asnjëherë nuk kish marrë iniciativën e para. Sipas saj nuk ishte një sjellje profesionale edhe pse Lori atë e shihte si një mike.

-Duhet të më takosh menjëherë Loradona! Të pres në zyrën time.

Zëri alarmant e frikësoi dhe nuk dinte më ç'të mendonte. Mblodhi sendet e i shuki shkujdesshëm në çantë dhe i kërkoi Xhonit ta mbyllte dyqanin pasi klientët të kishin marrë pikturat.

-Çfarë ka ndodhur Lor?

-Do të të tregoj në mbrëmje i dashur.

Kur mbërriti në godinën ku kishte zyrën Nirvana, e gjeti këtë të fundit me një fytyrë të verdhë duke tundur këmbën mbi asfaltin e pluhrosur. Kishte dy ide të trishta në mendje se ç'mund të kishte ndodhur, e që të dyja i ngjallnin frikë.

-Nirvana, ç'ka ndodhur? - i tërhoqi vëmendjen dhe në momentin që sytë e tyre u takuan, Nirvana e mbërtheu prej krahu në panik. E mori thuajse zvarrë deri në lokalin përballë dhe pa pritur shumë iu afrua pseudo-ëmbël pranë veshit.

-Prokuroria ka marrë vesh kush e ka vrarë Marion. Sot u bë gërdeci në azil.

-Si është Gloria? - pyeti pa e zgjatur më tej.

-Në komisariat për momentin... Nëse di diçka, tani është momenti ta thuash Lor! Mund të të rrezikohet edhe kjo pak liri.

-Kur unë pata mbërritur në bodrum Mario kishte ndërruar jetë dhe pranë tij ishin tri persona përfshirë edhe Glorian. Unë nuk e di kush e ka vrarë saktësisht Marion.

-Por ti në deklaratën tënde ke thënë që gjatë krimit ke qënë e kyçur në dhomë, e kjo është një gënjeshtër që mund të të hapë shumë punë.

Shtrëngatë Resh |✔|Where stories live. Discover now