Dymbëdhjetë

120 18 31
                                    

"Nesër do dal që këtu. Familja ime mendon që jam shëruar dhe se të qëndruarit në një atmosferë familjare do të më bëjë të ndihem më mirë."

Pranë Loradonës ishte mbledhur i gjithë azili. Qëndronin të ulur pranë ngrohëses së korentit, duke mposhtur të ftohtin e ashpër të  ditëve të para të janarit. Nga muri ishin hequr tablotë me gruan e zhveshur dhe tanimë ai qëndronte i lakuriqtë, veshur me disa karta shëndetësore të vjetëruara.

"A do të ndihesh më mirë në të vërtetë kur të jesh atje në botën reale?"

Merita mori dorën e Lorit dhe e vendosi ngadalë në prehrin e saj. E përkëdheli ëmbël dhe me një trishtim në sy vështronte Glorian duke shpresuar që një ditë gjithçka e tmerrshme që i kishte ndodhur të zbehej tërësisht.

"Do ju gënjeja nëse do thoja po. Atje jashtë më pret zhurma që jam munduar të mos e dëgjoj. Më pret një jetë që nuk e di më kujt i përket. Dhe kam shumë frikë."

Loradona nuk i kishte treguar askujt se ishte përdhunuar, por mënyra si ata e shihnin tregonte që të gjithë e dinin. Veçanërisht sytë e Glorias. Dukeshin sikur kërkonin shpëtim tek Lori. Shpëtim në shkretëtirë aty ku edhe dielli përvëlon më tepër.

"Do të vish ndonjëherë për vizitë? Lori mund të vijë të na vizitojë apo jo Merita?"

"Nëse ka dëshirë sigurisht që po. Ne të gjithëve do të na bëhej qejfi."

Mbrëmja në sallon nuk kishte qënë ndonjëherë me e shëmtuar. Veshur me heshtje dhe frikëra. Dekoruar muret me myshk e çdo banor kërkonte të vriste zërat e nënvetëdijes së pakontrollueshme.
Çdokush kërrusej në karriget e ftohta duke parë televizor. Kitara e Kristit ishte shtrirë përgjumur përtokë dhe blloku i Elionit  qëndronte ngrysur mbi prehrin e tij. Asnjë pipëtimë përtej të qeshurave të ngurta të televizorit. Një heshtje që do e përndiqte Lorin edhe kur të shkelte në lumturi.

Nuk vuri gjumë në sy atë natë. Qëndronte jo-rehatshëm nën jorgan dhe vështronte vijat e të çarave të murit  të pavionit. Mendoi gjatë për Xho duke buzëqeshur nën sytë e mbushur me lotë dhe për një çast brofi në këmbë. Pasi rrëmbeu letrat prej kutisë së fshehur nën dyshek, filloi ti shpaloste me kujdes. Letrat ishin pakësuar, lulet mbi zarf nuk ishin të mbushura me të portokalltë, e shkrimi tek tuk ishte zbehur prej pikave të ujit. I shtrëngonte letrat në duar me frikën për të lexuar si Xho kërkon ta harrojë.

E dashur,

Shpresoj të jesh mirë dhe në çdo orë që kalon mbyllur atje të të ndihmojë të më kthehesh si Lori plot dritë e ngrohtësi. Kanë kaluar dy vite dhe në ato stinë kalimtare nuk ka qënë një ditë që nuk të kam menduar. Ndonjëherë më kaplon malli aq shumë sa ligështohem e nuk dal askund. Kërkoj për fotografitë tona. Fytyra jote më sjell gjithmonë kujtime të gëzueshme.
Masterin e mbaroj së shpejti dhe kam ndërmend që një ditë të arratisem e ti vi pranë teje, të paktën të të shoh.

***

Oh Lor,

Nuk munda dot të vi në Shqipëri këtë fundvit. Një shok i imi kishte ditëlindjen dhe bëri një festë goxha të madhe. Mu desh të qëndroja e ta ndihmoja me gjithçka.
Në shkurt mbarojmë mësimin dhe do më kesh atje.
Të lutem më kthe përgjigje. Kam nevojë të të dëgjoj pranë vetes disi.

Të dua!

***

Çkemi Lori,

Po të shkruaj një tjetër letër për të të treguar që ndihem tmerrësisht keq. Më mungon kaq shumë dhe diçka më thotë që këto letra nuk mbërrijnë në dorën tënde, sepse ndryshe diçka do ma shkruaje.
Nuk mundem dot më kështu Lor. Po mbytem çdo ditë e më shumë në një vorbull e ti nuk dënjon as të më përgjigjesh.
Shpresoj të jesh mirë!

Shihemi së shpejti!

***

Ai gjithmonë i thonte sa fort e donte në fund të çdo letre të cilat ja niste çdo javë, edhe atëherë kur nuk kishte më asgjë për ti thënë. Për të mjaftonte ti thonte që e donte e duke shprehur gjysëm- ndjenjat e tij mendonte se të krisurat me baltë do ndalonin së përndjekuri fantazmat e tyre.

I lëshoi letrat mbi rrobat e pambukta, shumica pizhame të bardha, të cilat i kishte palosur kujdesshëm në valixhe dhe u ul në dyshemenë e ftohtë. Priste që nesër Xho të ishte diku, aty ku e kishte lënë edhe pse një zë i ndryshkur i tregonte që Xho tashmë e ka harruar, dhe se nuk ia vlen të mbash peng njerëz për një të ardhme që më nuk e sheh.

"Si mutin do ja bëj?"

As nuk do të mundte dot të luante sërish lojën e heshtjes. E kishte përdor aq gjatë sa edhe zëri i ishte mykur. Pastaj heshtja nuk i kishte sjellë asgjë të mirë, asgjë nga qetësia që lakmoi. Përkundrazi e kishte nënshtruar ndaj gjërave që ndiente ta mbysnin si e kaluara vizituese apo urdhërave të Xhorxhias mëkatare e pilulave pa ngjyra.

Mbeti e mbështetur në parvazin e dritares duke vështruar përtej xhamit atë që kishte lënë pa rrëmbyer era. Gjente ngushëllime  në trungjet e kafta të zhveshura e duke shushuar zemrën e zuri gjumi.
Të nesërmen u zgjua nga trokitjet e rënda mbi derë dhe kur hapi sytë u përball me valën e të shkuarës që mendonte se kishte lënë pas. Gjithçka iu kthye pas dy vitesh, e shtrëngata e zhurmëshme përtej xhamit zëvendësohej me retë që i ishin ngulur në këmbë.











This is short, so vk
Also vk the story if you don't like it

Shtrëngatë Resh |✔|Where stories live. Discover now