Një

719 41 79
                                    

Një   top që përplaset jo ritmikisht duke krijuar zhurmën e cukitjes së ndonje sqepi shpendi mbi trung, kishte filluar të ndihej edhe në dhomën tjetër me të njëjtin format.
Zhurmë që prishte qetësinë e dikujt për ti dhënë pakëz pluhur të të njëjtit soj dikujt tjetër.

Vazhdonte të godiste murin me atë topin plot qime që gjatë natës e vendoste nën jastikun e qelbur plot të vjella ilacesh që sado t'ia ndërronin këllufin, vazhdonte të vinte era trup të balsamosur. Infermieret i gjente gjithmone duke u ankuar nën zë e të ziheshin me njëra tjetrën se kush do te pastronte dhomen, edhe pse kur sytë e tyre hasnin në të gjelbrit pyjor të Glorias, mundoheshin të ndryshonin çehre, duke vënë maska buzëqeshjesh të skaduara.

-Gloria ndalo!

Së bashku me tronditjet që bënte topi u dëgjua gërvishtja e  thonjve të përkëdhelnin ashpër murin me një   ulërimë unison me përgjerimin që i ndiqte çdo natë.

Me hapa të heshtur eci në majë të gishtave drejt murit ndarës. Duke mbeshtetur kokën në të i pëshpëriti një 'më fal' që pala tjeter s'do e ketë dëgjuar prej ulerimave që veç shtoheshin.

Një top kërcites, një mur ndarës, ulërimë e veç rutinë shpirti.

E vendosi topin nën jastik, futi gishtat me thonjtë e përlyer në të kuqe në gojë dhe priti derisa darka me ilaçet ti kapërcenin prej stomaku nëpër çarçafët gjysëm të larë.

E ktheu në anën tjetër dhe mbylli sytë për t'iu shmangur realitetit duke përfunduar në makthe që s'kishin vijëzime, shenja a fijëza për të treguar se ç'pjesë i përkon Glorias.

Nëpër korridore dëgjoheshin hapat e rëndë të infermiereve që tërhiqnin me vete shapkat që supozoheshin të ishin bardhoshe. Ecnin duke shmangur të bërtiturat e Elionit i cili grushtonte blloqet e ngjyera me boje e më pas ulerinte në inat derisa ta mbyste heshtja për të dëgjuar këngët e natës shoqëruese.
Çdo natë nën kërcitjen e derës së korridorit kryesor, me heshtjen valëzonte dora e Elionit që shkruante për të shushuar zërat e ligj në kokën e tij.

Përtej dhomës së tij gjendej vajza e urtë e azilit. Më e urta, me flokët e shkurtër të verdhë e sy goditur me gri. E urta e heshtur që ishte mësuar e trajnuar si të ishte një kavje. E urta me defekte të pamerituara që fshihej pas çmendurisë për të evituar përplasjet shpirtpranguese.

Ndonëse nuk vinte gjumë në sy, qëndronte pa zë në një cep të krevatit duke lëkundur trupin me duart e djersitura, para mbrapa.

Përballë dhomës se Loradonës  së heshtur ndodhej dera e kaftë e xhuxhit plak, që kishte humbur kujtesën prej sëmundjes se Alzaimerit. Pas humbjes të së shoqes, trishtimi kishte goditur sëmundjen duke e përkeqësuar gjendjen e tij. Nja dy herë kishte dalë nga shtëpia i vetëm e nuk kishte mundur dot të kthehej pas.
Kur ishte kujtuar për të birin, kishte kërkuar ndihmë prej disa njerëzve rastësore qe gjatë aty tri netëve ishin treguar tepër mizorë me të, ama veç si shenjë vetëmbrojtjeje.
Ditën që kishte arritur të kthehej në shtëpi kishte kërkuar ndihmë prej të birit që sapo ishte martuar.

Për të zgjidhja  më e përshtatshme  ishte mbyllja në azilin e çmendinës, siç e etiketonin banorët e qytezës.

Dy dyer përtej dëgjohej muzika e Bethoven- fur elise. E njëjta pjesë e simfonisë së pestë çdo natë, derisa djaloshin ta rrëmbente gjumi.

Dera midis qëndronte e kyçur që prej tri ditësh. Dhoma mbante të hapur veç dritaren e lidhur me hekura me pamjen nga një peme e gjatë. Tri ditë për azilin të krijonte monotoninë e re, duke lënë pas, në rutinë të së kaluarës një shpirt, vdekja e të cilit solli trazim veç njëditor.

Poshte shkallëve ndodhej salla e ngrënies, kuzhina me tavolinën e madhe dhe karriget e ngjitura me njëra-tjetrën. Kur kaloje mensën mund të shihje një divan e disa kolltukë  pranë një televizori që nuk ndizej kurrë, nje tjetër tavolinë me bojëra shumëngjyrësh e lapsa të pamprehur.

-Na mbyti puna këto tri ditë moj Meritë. Mezi po pres të mbarojë edhe kjo situatë e ti kthehemi normalitetit.

Merita shtrëngonte fort çarçafët nën krahë e ecte me hapa të heshtur, duke lëvizur kokën lart e poshtë për të treguar qe ishte dakord me fjalët e Xhorxhias.

-Se ç'të ka kapur këto ditë ty moj vajzë. Më parë s'të pushonte goja. S'ke faj. Vdekja e Marios  na shokoi të gjithëve.

Ecën krah njëra-tjetrës drejt daljes për të dërguar çarçafët në lavanderi duke dëgjuar murmuritjet e Xhorxhias që nuk humbi kohë të rreshtonte ankesat ndaj burrit dhe kërkesat e fëmijeve të saj.

-Kjo Gloria na e shpifi me ato çarçafët. Ngelëm çdo natë duke pastruar të vjellat.

-Gjynah e shkreta! E ke parë se si i kanë dalë kockat. Sa vjen e bëhet më e dobët.

-Se ka të gjatë nëse vazhdon të nxjerrë ushqimin në këtë mënyrë. E aq më mirë nëse vdes. Një vrasëse si ajo s'ka vend në këtë botë. E pacipa vazhdon akoma të marrë frymë sikur të mos kishte bërë gjë.

-Askush nuk është i pafajshëm Xhorxhia, madje as unë e as ti, kështu që boll gjykove  një aksident.

-Një aksident që vrau një nënë e foshnjën e saj të porsalindur do të thuash?

-Mjaft!

Sytë i fshehu nën vetullat e trasha , të vijëzuara përpjetë si shenjë zemërimi. Vendosi dorën mbi krahun e saj dhe e tërhoqi afër vetes duke i mërmëritur nën ze se sa ngjashmëri kishte me Glorian.

Kur e lëshoi nga kapja e brejtjes së ndërgjegjes hoqi sytë nga trupi i saj, tërhoqi nja dy kartëmonedha nga çanta duke i lënë mbi komo, dhe pasi shtrëngoi çantën nën krahë doli furishëm.

-Duke qëndruar me të çmendurit na u bë e tillë.

Pëshpëriti nën zë teksa i buzëqeshte punonjëses aq ëmbël e fallco njëkohësisht.

E njëjta sjellje çdo ditë, i njëjti ritëm, e njëjta monotoni veçse këtë herë me nje vdekje nëpër këmbe, një vdekje që po zvarritej në shumë trupa për ti futur në vallen e mëkatit.

Shtrëngatë Resh |✔|Where stories live. Discover now