Njëzetedy

236 19 55
                                    


Javët kishin filluar t'i zvarriteshin nën hundë, e fshehurazi i falnin ngashërim e shtrëngim gjoksi për zgjedhjet ndonëse të lodhshme e të trishta tanimë jo të gabuara.

Që prej gjyqit të Robertit nuk e kish hasur më Xho, e ky i fundit nuk kishte mundur dot të harronte zhurmën e hapave të largimit. Tani në heshtje Xhoni sillej ftohtë, sikur të pasqyronte krejtësisht Lorin padashur, vetëm sepse zemra e tij nuk kishte më copëza për tu thyer. Kishin kaluar javë pa u parë e pa folur me njëri-tjetrin. Lumturinë e dënimit të Robertit e zbehte trishtimi që i falte malli për Xhonë.

-Mos ke ndërmend të na rrëzosh sërish biçikletën? -ia njihte kaçurrelat e vogla ngjitur pas rrashte dhe tashmë ishte mësuar me zërin e tij të qetë.

-Jam kaq e mefshtë!- pëshpëriti në faj, për të gjitha herët që kishte rrëzuar Seldin prej biçiklete, duke e përplasur pas derës së makinës, prej nxitimit të të marrit.

-Si thua, pimë ndonjë kafe në pushimin e drekës që të të fal?

Seldi që prej ditës së parë i kishte buzëqeshur aq ëmbël e Lori do betohej se e njihte buzëqeshjen e tij, por sado ta vriste mendjen, postura e tij nuk i shfaqej në asnjë imazh të së kaluarës. E që prej ditës së parë ia kish përplasur biçikletën dhe e kishte rrëzuar atë përtokë e më pas kishte hasur në buzëqeshjen e ëmbël të tij.

Lori u largua pas dyerve të kompanisë për të cilën tanimë punonte pa i kthyer buzëqeshjen, duke nxituar pa qënë vonë për asgjë dhe si të ulej në karrigen e parehatshme, i mbyste sytë në mur, duke menduar për Xhonë. Trishtohej ndonjëherë aq shumë që nuk mundën dot ti thonin lamtumirë njëri-tjetrit, sa edhe qante pa e vënë re veten.

Tani që kishte filluar të rimëkëmbte jetën e saj ngadalë dhe barra  e rëndë po rrëshkiste prej supeve, i mirrej fryma prej frikës. Ishte mësuar ta mbyste veten në faje e të vuante ndonjëherë më shumë seç duhej e tani edhe atë pakëz qetësi nuk dinte ta shfrytëzonte.

-Xhoni po largohet. Nëse nisesh tani, mund të mbërrish në aeroport në kohë për ta ndalur.

Një mesazh nga e motra e zgjoi nga kllapia dhe ia nxehu tërë kraharorin. Duart e ngathëta rrëzuan vazon e vogël me kaktusin mbi tryezë disa herë teksa rrotullonte telefonin me gishtërinj.

-Ai më në fund po shkon të ndjekë ëndërrat e tij. Pse duhet unë ta ndaloj...edhe njëherë?

Nxitoi ti përgjigjej me një fytyrë të ngrirë e sytë gati në lotë.

-Nisu e mefshtë!

Po i betohej vetes që nuk do shkonte për ta ndaluar, që nuk do ndiqte zemrën dhe se nuk duhej më ti vendoste korniza dashurisë që akoma rridhte në vena.

-Dreq! - mallkoi teksa e gjeti veten në trafik duke i rënë timonit. Mallkoi gjatë gjithë rrugës derisa mbërriti në aeroport. E kërkoi me sy e hutuar për një kohë të gjatë. Në turma e humbte toruan e fytyrat  i dukeshin njësoj.

Kur sytë i hasën prindërit e Xhonit të përqafuar i ngriu zemra prej mendimit se mos kishte mbërritur shumë vonë. Iu drodhën gjunjët dhe iu duk sikur humbi në një gropë ku nuk dëgjohej më asgjë veçse e qeshura e dikurshme e Xhonit kur i përkëdhelte ëmbël flokët nën perëndime të pafajshme.

-Xho, prit! Mos shko!

Nuk u shqetësua aspak për njerëzit që ndalën hapat dhe u kthyen për ta vështruar  me fytyrën gjykuese. Vazhdoi të thërrasë derisa sytë i puthën iriset e zinj të Xhonit. Gjithmonë i kishte adhuruar sytë e tij dhe mënyrën si ndriçonin kur ai ishte i lumtur. Po të mos kishte një buzëqeshje zemër-shpuese, kujtimi i shkëlqimit të syve do e trishtonte Lorin gjer në përjetësi.

-Lor, ti këtu! - u afrua pranë saj si të donte ta rrëmbente në përqafim, por ndali pranë këmbëve të saja dhe priti që Lori të thyente heshtjen bezdisëse.

-Silvia më tregoi që po largoheshe. Më në fund po shkon të përfundosh masterin. -uli sytë përdhe për një moment dhe vështroi pasqyrimin e tij të mjegullt mbi pllakat e pluhrosura.

-Po...tek e fundit këtu në Tiranë nuk më mban asgjë. -foli trishtueshëm teksa shihte si fjalët e tij ndryshonin çehren e Lorit.

-Epo, të priftë e mbara Xhon! Shpresoj me të vërtetë që gjithçka të të shkojë vaj.

-Të faleminderit Loradona!

Lori iu afrua ngadalë dhe i hodhi fillimisht lehtë duart mbi qafë. Kur sytë filluan ta tradhëtonin e të lotonin mbi lëkurën e tij, gishtërinjtë iu ngulën në mish dhe nën zë i pëshpëriti fjalët që nuk duhej t'ia kish thënë.

-Të dua Xho! Dreqin mendoj se do të të dua përgjithmonë. -e lëshoi trupin e tij menjëherë dhe u zbyth duke hedhur disa hapa pas.

-Edhe unë të dua Lor.

Po të mos e kishte kthyer kokën, Lori do mund ta shihte duke qarë. Përveç shkëlqimit, sytë e tij do tregonin dhimbje për një dashuri që nuk pati fund, sepse kurrë nuk u përjetua e tëra. I rrëshkiti hapat i heshtur përtej portalit pa e kthyer kokën për të parë se pas shpatullave kishte lënë një Lor më të fortë, thuajse të pathyeshme. Një Lor tejet krenare për të, dhe një dashuri flaka e të cilës nuk mund të shuhej kurrë. Nën lotë buzëqeshi si i marrë dhe u largua.

*

Rrugës për në kompani mori dy kupa të mëdhaja me kafe dhe u kujdes gjatë gjithë kohës që të mos i derdhte mbi sedilje. Trishtimi ishte venitur dhe zënë vend në një cep të zemrës dhe fytyra kishte filluar ti shkëlqente me vetëbesim.

-Kjo është për ty! - i zgjati njërën prej kupave me duart e vockla Seldit dhe i buzëqeshi lehtë.






Fund



Tani vëllezërit e mi ky ishte fundi i Lorit...një histori që kam fillu me e shkrujt që para një viti e ca muajsh, pak para se të hiqja dorë nga shkrimi i historive. Jam mundu të kënaq vetëm veten me zhvillimin e saj dhe e vetmja gja që më gzon te kjo histori asht ky kapitull.
Also ndihem keq që mu desh të postoja edhe pse kisha premtu të kundërtën por unë nuk di si ta mbys trishtimin ndryshe :)

Ju faleminderit që e lexuat dhe nuk e di në dua ti shkruaj një epilog Lorit dhe Xhosë (sepse këta të dy për mua janë përfaqësues të një dashurie të pastër që nuk ka fund sepse nuk mund të përjetohet lol...dhe dua që dashuria e tyre të mos-konsumohet).

Ps: po patët pyetje më thoni dhe më ndiqni në instagram (dementia.al) sa rrini kot 😂

Pis ✌ andddd puq 👅

Shtrëngatë Resh |✔|Where stories live. Discover now