II

150 36 88
                                    

-Nuk e kuptoj çfarë mëson që ditën e parë, përfundimisht ti njeri nuk bëhesh njeri!

-Nuk ka lidhje me shkollën Kenz, po punoj me një projekt personal, atë që e kisha nisur në verë, - sytë nuk i hiqte nga kompjuteri, ishte e përqendruar njëkohësisht edhe në punën që po bënte, edhe në bisedën me Kenzin. Me njërën dorë rrotullonte lapsin që për momentin nuk i duhej, por e bënte të dukej më inteligjente. Me dorën tjetër lëvizte mausin, dhe zhurma që bëhej kur ajo klikonte ishte pa ndonjë arsye acaruese për Kenzin.

-Ma', a mund t'ia ulësh pak zërin televizorit se nuk po përqendrohem dot. Ma'?- Matea hoqi sytë nga ekrani i kompjuterit për të kërkuar me sy të ëmën, por ajo nuk dukej gjëkundi.

-Mami yt të tha pak më parë se do të dilte për të takuar një mikeshë, por ti ishe shumë e përqendruar në këtë budallallëkun që po bën, -i tha Kenzi dhe Matea vetëm rrotulloi sytë.

-Budallallëk, por do ta shohësh që do të na hyjë në punë një ditë, dëshiron të ta shpjegoj çfarë është? Do të të pëlqejë shumë.

-Jo faleminderit,- u përgjigj Kenzi pa u menduar, kjo fjalia e fundit më sjell kujtime jo të kënaqshme.

-Jo të kënaqshme? Ç'do të thuash?

-Të njëjtën gjë më ke thënë edhe kur më ke shpjeguar esterilizimin a çfarëdo lloj emri të kishte ajo gjëja, dhe të them të drejtën, nuk ishte eksperiencë e bukur. Thuajse më zuri gjumi gjatë shpjegimit, plus që në fund nuk mora vesh asgjë.

-Kenz, është esterifikim! -Matea u shkul gazit. Gjithmonë qeshte me gabimet e saj. U mundua të përqendrohej në atë që po bënte, por harroi që zëri i televizorit ishte ende i lartë.

-Më prit këtu, do t'ia ul zërin asaj kutisë të zhurmshme dhe mund të vazhdojmë të qeta me projektin.

-Mund të vazhdosh, nuk kam ndërmend të rri më, u bëra vonë gjithsesi, -tha ajo duke mbledhur disa rroba që i kishte sjellë Mateas disa javë më parë dhe kishte harruar t'i merrte.

-Të lutem, -Matea ngriti zërin nga dhoma tjetër që të dëgjohej, -mos më thuaj që projekti im i pafajshëm të bëri të ikësh.

-Jo, jo, do të ikja gjithsesi. Vajti vonë. Atë bluzën blu me pika s'ta paskam dhënë ty unë? -nuk mori përgjigje nga Matea. Shkoi në dhomën tjetër për ta gjetur, dhe e pa të shtangur para televizorit.

-Atë bluzën...

-Shh, -e ndërpreu ajo dhe i ngriti televizorit zërin.

-"Mister i ri i pazbuluar rreth trekëndëshit të Bermudës. Në këtë hapësirë ujore të rrezikshme, në të cilën është e ndaluar me ligj të kalohet, përveç studimeve shkencore, janë vërejtur drita të çuditshme që nuk janë parë asnjëherë më parë. Sa do të zgjasë misteri i kësaj dukurie anomalike? A ka një arsye valide për të gjithë këtë? Shkencëtarët janë duke punuar."

-Sa e fiksuar je me këto gjëra Matea, mua më bëjnë me dhimbje koke, -tha ajo duke hequr dorë nga pyetja për bluzën.

-S'të duket e çuditshme? Thotë që nuk janë parë drita të tilla më parë. Vras mendjen si duken nga afër.

-Do të preferoja më shumë ta vrisja mendjen për esterilizimin... -esterifikimin, - gjithsesi, esterif... çfarëdo të jetë, sesa të mendohesha pse dalin ca drita në një vend misterioz. Është misterioz Matea, çdo gjë mund të ndodhë atje. Nuk ka asgjë për t'u çuditur kaq, po ju jeni pak të lajthitur dhe s'keni çfarë të bëni me jetën tuaj.

-Me këtë mendje s'ke për të shkuar asgjëkundi. Nëse njerëzit do kishin mendjen tënde, do të ishim ende në paleolit.

-Më të lumtur do ishim, -tha, -nejse ika tani se seriozisht do më vrasin ata të shtëpisë.

Matea qeshi me mendimet e saj dhe e ndoqi që ta përcillte, por në atë moment i ra telefoni. Kenzi vazhdoi para duke nxituar, pa mundur që të priste.

-Pavarësisht se sa të paaftë janë sytë tanë për të parë, gjithçka ndodhet aty, -u dëgjua nga telefoni.

-Më falni? Kush jeni ju? -zëri ishte i dyshimtë, dhe fjalët po ashtu.

-Njëmijë e shtatëdhjetë e pesë, njëzet e pesë... -vazhdonte zëri i çuditshëm.

-Nuk po ju kuptoj. Më falni, kush jeni? Çfarë po thoni? -Matea nisi të frikësohej. Zëri ishte i edituar, me siguri  për të mos u njohur në rast se regjistrohej, ndaj ngjante sikur po fliste një robot. Ethe dhe djersë të ftohta përshkuan fytyrën dhe trupin e saj, kishte një parandjenjë të keqe. Ndoshta po e ekzagjeronte, ndoshta jo, por mendja e saj gjithmonë do të mendonte më të keqen e mundshme.

Vjen një moment në jetë ku fillon të dyshosh për çdo gjë që ndodh përreth. Vetë jeta është një uragan dyshimesh që nuk e lë mendjen e qenies njerëzore në paqe, gjithmonë do të jetë duke dyshuar për diçka. Duket sikur pikërisht në momentin e përsosur për të qetësuar mendjen dhe për ta larguar nga moria e mendimeve ndonjëherë edhe të pakuptimta, troket diçka e re, që të thërret ta ndjekësh, pa menduar për rrezikun që mund të vijë në vazhdim.

Telefonata përfundoi. E shokuar, Matea për disa sekonda nuk bëri asnjë lëvizje. Ishte tipi i njeriut që kurioziteti nuk do ta linte të qetë, tashmë ishte gati të bënte gjithçka për ta zgjidhur këtë mister të ri.

Pa mundur të mblidhte veten, telefoni ra përsëri. Kësaj rradhe ishte Eliseo. Ajo mori frymë thellë. Duhej të qetësohej që të mos ngjallte dyshime.

-Po Eliseo!

-Matea! Më në fund u përgjigje! -kjo i tingëlloi pak pa kuptim. Ishte hera e parë që ai telefononte dhe ajo nuk e kishte lënë të priste shumë.

-Më në fund u përgjigje? -përsëriti fjalët e tij me një ton pyetës.

-A ke folur me Glein? Nuk më përgjigjet në telefon, -vazhdoi ai duke injoruar çfarë po thoshte Matea.

-Më fal Eliseo, seriozisht? -Matea bëri një qeshje ironike. -Është e vërtetë që pak kohë më parë kemi qenë pjesë e një aventure dhe kemi shpëtuar nga disa shkencëtarë të çmendur, po kjo s'do të thotë se marrëdhënia ime me Glein ka ndryshuar.

-Pra nuk ke folur me Glein? -dukej qartë që diçka duhet të kishte ndodhur, pasi ai po fliste përçart dhe po bënte pyetje pa lidhje.

-Eliseo, po më shqetëson tani. Çfarë ka ndodhur?

-Glei nuk përgjigjet, nuk e di ku ndodhet dhe s'ka folur me askënd...

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now