XXV

50 28 8
                                    

Nuk iu besohej se kishte përfunduar. Çdo rrezik, çdo telash, kishte përfunduar. Tashmë do të ktheheshin të sigurt në shtëpi. Kishte përfunduar. Ose ashtu mendonin ata.

-A është mirë Eliseo? -pyeti teksa ngurroi të afrohej ta shihte.

-Eja, Kenzi, -i bëri me dorë dhe ajo u ul. Ktheu sytë nga ai. I shihte fytyrën e dobët e të zverdhur. Donte shumë të ishte mirë. Ishte ai të cilit po i ndodhnin më shumë gjëra, dhe ai që i meritonte më pak.

-Ai është më mirë, -i tha. -Dhe do të bëhet më mirë. Tashmë çdo gjë është mirë. Faleminderit, Kenzi.

-Për çfarë po më falenderoni? -i tha konfuze. -Më falni që po tregohem e trashë, po ndonjëherë nuk iu kuptoj, -ai qeshi lehtë dhe kështu bëri edhe ajo, edhe pse nuk ishte e sigurt pse.

-Nga të gjithë ne këtu, ti je personi më afër Eliseos, -ajo u skuq nga turpi dhe u mundua të shmangej.

-Jo, jo-e ndërpreu. -Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ne të gjithë jemi shokë së bashku. Unë siç mund të sillem me Eliseon, ashtu sillem me Arian, ashtu sillem me Alvinin...

-Më dëgjo, Kenzi. Ti je ajo që e bëri Eliseon të më kuptonte. Nuk e di se si, por e bëre. Ti ishe e para që më kuptoi nga të gjithë. E para që më pranoi. Ndihem shumë mirë për këtë. Ndaj po të falenderoj.

-Nuk e di se si e bëra, -filloi të kruante kokën konfuze. -Unë thjesht i thashë atij çfarë mendoja. Kjo është ajo që bëj gjithmonë, në fakt.

-Ti je një njeri i mirë, Kenzi. Të gjithë jeni, -tha me një zë mirënjohës. -Jeni fëmijë të mirë. Kjo është cilësia kryesore që dikush duhet të ketë. Të gjithë të tjerat vijnë pas kësaj, dhe mund të rregullohen me kohën. Por ju të gjithë keni një zemër të mirë. Dhe është pikërisht kjo zemër që keni, ajo që do t'ju drejtojë gjithmonë drejt rrugës së drejtë dhe do t'ju ndihmojë të kapërceni vështirësi edhe më të mëdha se këto. Jo të gjithë janë të tillë, madje ata që janë, janë shumë të rrallë. Duhet të ndiheni me fat.

-Edhe ju jeni një njeri shumë i mirë, zoti Stark. Dukeni, -nuk ia tha që t'i kthente komplimentin, por sepse në të vërtetë kështu mendonte. Dhe e dinte që edhe Eliseo kështu mendonte. -Eliseo dhe Glei do të jenë shumë të lumtur me ju, -shtoi. -Thjesht, e di. Siç e dija që mund t'ju besonim juve.

-Shpresoj, Kenzi. Shpresoj të kem kohë mjaftueshëm për të rregulluar të gjitha gabimet e mia.

-Nuk dua të bëj si e zgjuar, por mami im thotë diçka. Nëse njeriu do ta dinte se po vepronte gabim, nuk do të gabonte kurrë. Ju nuk kishit nga ta dinit, zoti Stark. Nuk është faji juaj.

Ai tundi kokën mirënjohës. Ishte i lumtur që i kishte njohur. Ndihej sikur gjithmonë kishte qenë pjesë e tyre.

Në dhomë u dëgjua krisja e derës e cila me nxitim u shkelmua. Kthyen kokën pas të trembur.

-Shpejt! Të dalim menjëherë nga këtu! Predha! Predha mund të prekë anijen e të na fundosë të gjithëve!

Pikërisht në momentin ku më në fund mendon se asnjë e papritur tjetër nuk do të ndodhë, jeta sërish të surprizon. Sërish kupton që asgjë nuk zgjat përgjithmonë, as lumturia. Sërish kupton që në këtë luftë për mbijetesë, duhet të jesh i fortë, për të fituar. Dhe sërish kupton se nuk ka asnjë moment çlodhjeje për trupin dhe mendjen tënde, e aq më pak për shpirtin tënd.
Momenti që pasoi ishte vetëm panik, tension dhe rrëmujë.

-Barkat e shpëtimit janë gati, duhet të nxitojmë! -nuk dëgjohej qartë se kush i thoshte fjalët, por dinin që duhet t'i dëgjonin. Dhe kështu, nxitonin. Nxitonin për të kursyer sekondat që do të vendosnin për fatin e tyre. Nxitonin për mbijetesë. Nxitonin për të mbetur të gjallë. Nxitonin, vetëm nxitonin. Sepse në atë luftë do të humbiste më i ngadalti. Kush do të ishte më i ngadalti? Ata, apo koha?

-Eliseo nuk është përmendur, por e kam unë në dorë. Kaloni nëpër barka ndërkohë që unë rris shpejtësinë e anijes në maksimum që të largohemi sa më shumë të jetë e mundur! -thërriste në mënyrë që t'i koordinonte të gjithë. -Matea, nxirri të gjitha barkat e shpëtimit, kjo do të lehtësojë anijen dhe do të ecim më shpejt, përveçse do të kemi rezerva.

Ajo tundi kokën dhe bëri si i tha.

-Po kjo nga na doli tani?! -thërriste Kenzi ndërkohë që mundohej të ndihmonte tek-tuk, por e kishte kapur ankthi dhe s'mund të bënte asgjë.

-Ky është lajm i mirë! Do të thotë se Glei është gjallë, dhe me siguri ajo e ka nisur predhën në këtë drejtim. Kaloni nëpër barka! Shpejt! Shpejt! -që në momentin që barkat filluan të preknin një nga një ujin, ata me nxitim hynë në to. Nuk donin të humbisnin kohë. Sepse nëse humbisnin kohë, humbisnin gjithçka.

Ndryshe nga të tjerët, ai e kishte të vështirë. Nëse të tjerët ishin duke ecur në rrugë të sheshtë, ai ishte duke ecur mbi gjemba. Dhe sa më shumë të ecte, aq më tepër thumbohej, aq më tepër ngadalësohej, aq më pranë humbjes shkonte.

-Duro, Eliseo! Duro! -i thoshte ato fjalë, por jo për të. I thoshte dhe ia thoshte vetes. Sepse në ato momente po ndihej më i dobët se Eliseo. I thoshte vetes të duronte, sepse vetë ai ishte gati të dorëzohej, e jo Eliseo.

-Duro, Eliseo! -përsëriste. Ndërkohë klithmat që i thoshin të zbriste nga anija menjëherë i buçisnin në kokë më keq se zhurma e mëparshme. Por kuptoi se duhej një sakrificë. Kjo luftë, edhe nëse fitohej, do të kishte të humbur. Por ishte në dorën e tij se cili do të ishte i humburi.

Në të njëjtin moment që lëshoi në barkë trupin pa ndjenja të të birit, ndjeu që trupin e tij t'ia rrëmbente rryma e fuqishme e sapo krijuar nga predha, të cilën vetëm graviteti dhe asnjë energji tjetër nuk e drejtonte, por kaq ishte mjaftueshëm për të ndarë në dy pjesë anijen që për pak do t'i mbijetonte trekëndëshit të famshëm të Bermudës. E la veten të lirë, për të pranuar më në fund fatin e tij. Luani ishte tepër plak për t'i rezistuar goditjeve, dhe forca fizike do e linte së shpejti.

Vallë aq i duhej jetës për të përfunduar? Vallë ashtu përfundonin të gjithë? Pavarësisht se çfarë bënin gjatë gjithë jetës së tyre? Ai ishte fundi për të gjithë? Në momente të tilla mendon se jeta e tillë është. Të gjithë në fund i pret i njëjti fat. Të gjitha jetët një ditë përfundojnë. Vetëm se nuk përfundojnë njësoj. Por përfundojnë. Mirëpo, kur sheh se një jetë përfundon pa i përmbushur qëllimet e tua, kupton se një jetë nuk është asnjëherë mjaftueshëm. Nuk është asnjëherë mjaftueshëm për t'i bërë të gjitha çfarë ke në mendje. Nuk është asnjëherë mjaftueshëm për të qenë i lumtur. Dhe nuk është asnjëherë përgjithmonë.

Mbylli sytë; nuk donte ta dëshmonte fundin e tij. Vetëm ta ndiente. Ndoshta po zhytej thellë, shumë thellë, dhe me shpejtësi të madhe. Fryma po i merrej si të ishte dikush duke e mbytur, por me duar vërtet të mëdha. Donte që të tretej e të bëhej pjesë e oqeanit. Nuk donte të ishte një mbetje.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now