VI

69 31 16
                                    

-Klubi i gjeografisë? Që kur ekziston diçka e tillë? -pushimi i madh i kishte mbledhur sërish të pestë, ku patën mundësinë të bisedonin.

-Qëkur profesor Blasteri u punësua në shkollën tonë. Më saktë, që ditën e parë të shkollës. Nuk i patë afishet e ngjitura nëpër muret e shkollës? Qëndruan atje gjithë javën. Janë nxënës që do e bëjnë shkollën me korrespondencë këtë muaj, dhe nga ana tjetër do trajnohen për një projekt në lidhje me çështjet mjedisore.

-Dhe që kur ti interesohesh për aktivitetet që ndodhin në shkollë? -tha e çuditur se si Aria dinte mbi klubin e gjeografisë.

-Qëkur këtë vit njoha Angelosin, te klasa e gjeografisë. Nuk ia keni idenë sa i pashëm është. Ai është në klubin e gjeografisë këtë vit. -të gjithë filluan të qeshnin.

-Ti Aria s'ke për të ndryshuar ndonjë herë, -shtoi Alvini.

-Ti thjesht je xheloz që nuk ke sy si të tijët.

-Profesor Blasteri... prisni një moment, -të gjithë pushuan së foluri për të dëgjuar Matean, -gjithçka më duket shumë e dyshimtë. Nuk e di pse, por nuk ndihem sikur Glei është vërtet në klubin e gjeografisë. Përveç kësaj,- hezitoi një moment. Mori frymë thellë në pasiguri nëse duhej të fliste apo jo, -profesor Blasteri duket shumë i çuditshëm.

Të tjerët e panë me habi, sikur ajo të ishte duke folur përçart.

-Nuk ka asgjë të çuditshme rreth tij. Mua më duket tip interesant, -tha Kenzi. -Nuk të jep fare detyra, vetëm bën gjëra zbavitëse.

-Jam dakord me Kenzin. Vetëm në lëndën e tij nuk kam qenë e stresuar këtë vit.

-Je e sigurt që nuk është për shkak të atij Angelosit?

-Eliseo!

-Djema, ju lutem! E di që në fillim mendoja se po e ekzagjeronim, por nuk mund ta lëmë me kaq. Dhe përveç kësaj, -uli tonin e zërit në mënyrë shqetësuese, -ende nuk ju kam treguar për telefonatën që mora, -asnjë nuk foli për të dëgjuar, vetëm rrudhën vetullat kuriozë.

-Ishte një numër privat, zëri ishte i edituar në mënyrë që të mos njihej. Më telefonuan para Eliseos, para se të mësonim për humbjen e Gleit. Nisi të thoshte diçka të çuditshme, nuk e kuptova mirë se çfarë.

-Çfarë konkretisht? Po të shante?

-Jo Kenz, jo. "Pavarësisht se sa të paaftë janë sytë tanë për të parë, gjithçka ndodhet aty", këtë tha. Përmendi edhe disa shifra. Prit, i kam të shënuara, -nxorri celularin dhe pa nëpër shënime, njëmijë e shtatëdhjetë e pesë, njëzet e pesë.

-Ndoshta ishte ndonjë qendër telefonike që donte të bënte oferta dhe ka lënë aty numrin e telefonit, pastaj, ç'lidhje ka profesor Blasteri me gjithë këtë? -ajo e dinte se diçka kishte lidhje me të.

-Epo, profesor Blasteri është ai që ka krijuar klubin e gjeografisë, me nxënës që eksplorojnë vende të ndryshme? Tingëllon e çuditshme, dhe asnjëherë nuk është bërë në shkollën tonë. Për më tepër, Glei asnjëherë nuk është interesuar për gjëra të tilla.

-Ndoshta ka dashur të largohet nga të gjithë. Ajo e bën shpesh këtë, -shtoi Eliseo. -Zakonisht shkon në vende ku s'ka asnjë njeri. Në vende të zymta dhe frikshëm të qeta. Dua të them, mund të tingëllojë e çuditshme, por tingëllon shumë si diçka që do ta bënte Glei, -dëgjuan zilen e mësimit që ra. Pushimi kishte përfunduar.

-Tani kemi bërthamë, kështu që do të jemi bashkë, -tha Alvini. -Do të flasim sërish më gjerë për këtë.

Hynë në klasë. Lëndën e ekonomisë ua jepte mësuesja kujdestare. Hijerëndë, ose të paktën duke u munduar të shtirej si e tillë, dhe duke përplasur fort këpucët me takë të lartë në pllakat e vjetra të shkollës në mënyrë që të tërhiqte vëmendje, hyri edhe ajo në klasë.

-Ka vetëm dy javë që shkolla ka filluar dhe unë shoh nxënës që anashkalojnë mësimin, mundohen të mashtrojnë nëpër testime dhe madje i kthejnë fjalën mësuesve. Është e vërtetë kjo gjë? -klasa nuk e prishi qetësinë në të cilën kishte rënë.

-Glei Stark. -asnjë nuk u përgjigj, ndërkohë që Matea dhe Kenzi, në të njëjtën bangë, shihnin njëra-tjetrën me habi. Mësuesja duhet të ishte në dijeni të ikjes së Gleit.

-Nuk kishte dyshime. Nuk ka ardhur sot Glei Stark, apo jo?

-Është në klubin e gjeografisë, -foli Eliseo.

-Eliseo, mos u mundo ta mbrosh. E di shumë mirë cilët janë nxënësit që do të jenë pjesë e klubit të gjeografisë. Dhe nga klasa juaj nuk është asnjë. Sigurisht, kush do të guxonte pas aksidentit të tmerrshëm që pësuan nxënësit që ndërruan jetë një vit më parë, -tha me gjysëm zëri dhe u munduar të mos e bënte të dukshëm zërin që po i dridhej. Ishte e vërtetë. Askush nuk do të guxonte të shkonte në një ekskursion, klub apo çfarëdo lloj gjëje tjetër pas asaj që pësuan nxënësit me të cilët ndanin të njëjtën klasë.

-Çfarë po thotë kjo e çmendura? E ka zënë gjë skleroza? -Matea i vuri gishtin në buzë që ta ndalonte së foluri.

-Më lër të dëgjoj Kenz, -i tha.

-Glei Stark, në testin e kimisë kopjon, e më pas lë gjithë orët e mbetura të mësimit. Më pas nuk e shohim fare prezencën e saj në shkollë. Ka edhe guximin të gënjejë, duke menduar se do na i hedhë ne, mësuesve. Po ju nuk e mendoni që edhe ne kemi qenë si ju, por ju nuk keni qenë si ne. Ju nuk e dini që edhe ne i kemi bërë këto gjëra para jush, dhe nuk mund të na i hidhni. Ne e dimë çdo gjë para se ta bëni, -filloi me leksionet e mërzitshme të thëna aq herë saqë të gjithë i kishin mësuar përmendsh. Ndoshta ajo ishte vërtet me sklerozë.

Trokitja e derës e ndërpreu. Nuk mundën të shihnin qartë kush qëndronte pas derës, por dikush e kërkonte.

-Kthehem shpejt, -kaq tha dhe përsëri duke përplasur këpucët me takë doli nga klasa.

-Jua thashë që Glei nuk është regjistruar me të vërtetë në atë klub, -në punë sekondash të katërt të tjerët ndodheshin në bangën e Mateas. -Gjithashtu, ua thashë që profesor Blasteri është i dyshimtë. As që kam bërë ndonjë herë mësim me të, por e dija që diçka nuk shkonte me këtë mënyrë të të lënit të orëve të mësimit për një klub gjeografie.

-Nuk janë të gjithë të apasionuar pas shkollës si ti, Matea. Disa nga ne mezi i shtyjnë ditët e shkollës dhe kur ka pushime shpresojnë të shtyhen sa më shumë ditë, -tha Aria ndërkohë që përpiqej të hiqte diçka që i kishte mbetur në qerpik. -Edhe unë do të hyja në atë klub, por unë mezi kalova vjet në gjeografi. Nëse e mbani mend Aragonën, ajo ishte e tmerrshme. Në testime të eleminonte pikë me qëllim.

-Nuk është këtu puna Aria, -bisedën e tyre e ndërpreu ardhja e mësueses në klasë. Me nxitim ata u shpërndanë nëpër vendet e tyre.

-Epo, keqkuptimet ndodhin, -filloi ajo të fliste sërish. -Glei Stark nuk do të vijë për disa kohë në shkollën tonë, sepse është e regjistruar në klubin e gjeografisë, -tha sikur të mos kishte thënë asgjë nga ato pak më parë. Dukej sikur përbrenda ziente nga inati.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now