VII

65 30 13
                                    

-Mirë se vjen në Porto Riko, Glei! -udhëtimi i gjatë dhe i lodhshëm ja kishte turbulluar pak mendjen, por megjithatë ishte e vetëdijshme për tokën ku kishte shkelur. Qëndronte para pamjes së një vendi të ri, duhet ta kishte parë më parë, por nuk e mbante mend kur. Ndoshta ishte thjesht pjellë e imagjinatës së saj, ndoshta e kishte parë gjatë një dokumentari rreth vendeve turistike. Nuk ishte e sigurt, por ishte e sigurt që i dukej i njohur.

Ndërtesat shumëngjyrëshe të vendosura sipas një rregulli të rastësishëm shumë afër njëra-tjetrës, sipas një arkitekture të paprekur nga ajo moderne, dhe të zbukuruara nga artet grafite të vizatuara nëpër mure, bashkuar kjo me bregdetet e magjishme, ishin ato që e bënin Porto Rikon të veçantë. Gjithmonë i kishte pëlqyer të jetonte në ishull, por në një ishull jo të populluar, ku nuk do t'i duhej të ndërvepronte me shumë njerëz dhe situata dhe më tepër do të mund të përqendrohej te vetja e saj. Tashmë po e vizitonte një të tillë. Ndoshta kjo eksperiencë do të ishte interesante.

Ecja nëpër rrugët e qeta të Porto Rikos nuk zgjati shumë, megjithatë ajo arriti të memorizonte disa gjëra që iu dukën interesante. I pëlqente ai vend. Për herë të parë pas shumë kohësh, i pëlqente diçka. Nuk e shpjegonte dot atë ndjesi. Dukej sikur kishte qenë dikur atje, ose sikur diçka e lidhte me atë vend.

-Njihu me vendin e punës, -hyri në një kasollë të vjetër, të mbytur nga pluhuri, në dukje sikur shekuj të tërë ta kishin kaluar e të kishin hedhur mbi të gjithë vrerin e pakujdesinë. Një vend i shkatërruar, me dërrasa të kalbura që mund t'i zinin poshtë nga momenti në moment, dhe aspak i ngjashëm me një vend pune, kur maksimumi i përdorimit të tij nuk i përafrohej as një tualeti.

-Mendoni se erdha këtu për tu tallur? -nuk hezitoi të ngrinte zërin.

-Ke një gjaknxehtësi që do të të fusë në telashe më vonë, e dashur Glei, -u përgjigj ai duke ruajtur qetësinë që e karakterizonte, dhe atë buzëqeshjen e çuditshme në fytyrë, si të mos kishte asnjë problem dhe sikur të dinte gjithçka para se të ndodhte. -Nuk është ky vendi i punës, por ai, -bëri me gisht nga ndërtesa shumë pranë tyre, e gjitha e veshur nga pasqyra të stërmëdha, që e bënin të mos e vije re që ajo ndodhej aty, nëse nuk përqendroheshe saç duhej. Godina ishte vërtet e madhe, madje Gleit i krijoi një përfytyrim të diçkaje më të vjetër në kohë, ndërtesës së fshehur në thellësitë e pyllit dikur të ndaluar, të ashtuquajtur nga gjashtë adoleshentët e ngecur atje si Pylli i Hënës. Megjithatë kishte ndryshime në strukturën e saj. Ishte më e thjeshtë, ose të paktën ashtu dukej bazuar në ndërtimin e jashtëm. Pavarësisht kësaj, dukej mjaft e kamufluar për të qenë në shërbim të një eksperimenti shkencor të krijimit të një anijeje.

-Qëkur ka nisur ky projekt? -pyeste teksa ecte nëpër korridorët e ngushtë por tejet të gjatë e duke hedhur sytë sa nga njëra anë në tjetrën, me hapa të mëdhenj dhe të shpejtë, sikur të mos donte të humbiste kohën me asgjë, e ta humbiste me çfarëdo në të njëjtën kohë.

-Nuk i ke parë lajmet? "Shkencëtarët që mundohen të krijojnë një anije të një formati i cili do të jetë i kalueshëm më në fund përmes trekëndëshit të Bermudës. Qeveria amerikane ka miratuar me kohë nisjen e projektit, është ndërkombëtar në fakt. Duhet të ketë rreth një muaj, dy? Eh, ju adoleshentët jeni të çuditshëm, të vështirë për t'u kuptuar, -fërkonte mjekrën boshe teksa fliste dhe sytë nuk i mbante drejtuar ndonjë vendi apo objekti konkret. -Dëshironi të dini gjithçka, njëkohësisht jeni shumë dembelë për të qenë në koherencë me informacionin.

-Lajmet janë të mërzitshme. Vetëm Matea mund t'i shohë, -ndaloi një moment kur përmendi emrin e saj; kujtoi Eliseon dhe gjithë të tjerët, por në sekondën tjetër shmangu gjithçka që qenia e saj u bë gati të ndiente. Tashmë nuk ishte më atje, dhe kjo ishte vetëm në dëshirën e saj të plotë.

Nga personi në krah nuk pati asnjë përgjigje. Sërish, dukej sikur ai e dinte çfarë ajo do të thoshte apo do të bënte. Vërtet donte të shkëputej nga gjithçka, por nuk mund t'i hynte diçkaje të tillë pa qenë e sigurt për pasojat. Dhe nëse ai mendonte se ajo ishte një adoleshente budallaqe, e që gënjehej lehtësisht, gabohej.

-Ti mund të kthehesh pranë miqve të tu kurdoherë, dhe ti e di këtë, apo jo? -ktheu kokën por sytë nuk i drejtoi nga ai. Nuk i pëlqenin lojërat e fjalëve që ai po bënte me të, e aq më pak fakti që po i përmendte Eliseon dhe të tjerët.

-E di që mundem, -nxitoi hapin për mos ndeshur tjetër diskutim, por as që e dinte çfarë ishte duke kërkuar. Diçka iu kujtua, u kthye sërish nga ai dhe e pyeti:
-Nga e njihni ju profesor Blasterin?

E priste nënqeshjen edhe pse bezdisej nga ajo gjë. Dukej sikur në disa tipare ngjante me të, por ndryshimi ishte se ajo donte përgjigje për çdo pyetje që kishte, ndërsa ai kishte çdo përgjigje dhe asnjë pyetje.

-Të të them që unë njoh shumë njerëz, gjë që ta kam thënë më parë, ti me siguri do të shfrysh nga inati ose do të fillosh të thërrasësh derisa kordat e tua të zërit të shformohen, -ajo ruajti qetësinë dhe priti për atë që ai do të thoshte, -por, -hezitoi qëllimisht një moment, -nuk kam ç'të them tjetër. Unë njoh shumë njerëz Glei.

-Seriozisht e ke tani? -ishte agresive, ndoshta më tepër seç duhej. Por gjithçka po e bezdiste dhe po i vinte në majë të hundës pa filluar ende mirë. -Pse po e bën gjithë këtë? -vijoi me pyetjen e rradhës.

-Nuk po e bëj unë, Glei, po e bën ti. Ah, po. Duhet të ta them. Nuk duhet të bësh shumë pyetje. Ndonjëherë përgjigjja është aty, e dukshme, pavarësisht se sytë tanë janë të paaftë të shohin, -bëri me gisht nga një thënie e shkruar me të mëdha në murin përballë tyre: "Pavarësisht se sa të paaftë janë sytë tanë për të parë, gjithçka ndodhet aty".

U largua me hapa të ngadaltë, dhe ajo nuk e ndoqi. Në vend të kësaj, ndaloi personin e parë që pa të kalonte në atë korridor, dhe pa humbur kohë i tha:

-Më trego gjithçka që di rreth këtij vendi, kësaj pune, këtij njeriu. Gjithçka! -personi përballë e pa konfuz, dhe mbajti një pauzë disa sekondëshe. Ndërkohë ajo ende qëndronte para tij me një shikim të prerë dhe serioz, si të ishte duke kërkuar një përgjigje nga kushdo.

-Në rradhë të parë, përshëndetje? -tha me ton pyetës. -Në rradhë të dytë, emri im është Xheremi. Xheremi Kuinton. Gëzohem që të njoh,- pa fytyrën e saj në shprehi vdekjeje,- edhe pse ti s'më dukesh dhe aq e gëzuar,-shtoi. Në rradhë të tretë, duhet të mësohesh me atë tipin. Edhe pse bën sjellje të tilla, është i këndshëm dhe me të gjithë ne kalon mirë.

-Nuk çuditem nëse në mënyrë sekrete familja juaj ju ka shitur te ai dhe ju do të punoni gjithnjë si skllevërit e tij, -mërmëriti ndër dhëmbë.

-Çfarë? Oh, jo, jo. Aspak, -mendimi i Gleit e bëri të qeshte. -Pastaj, nëse familjet tona na kanë shitur ne, e jotja të ka shitur ty, apo jo?

-Unë nuk kam familje, apo ndonjë gjë tjetër që mund të më shesë, kështu që mos u shqetëso për mua.

-Prit, -çehrja e tij ndryshoi në mënyrë gati të menjëhershme, -ti je Glei?

-Po? -kësaj rradhe përgjigjja e saj ishte ajo me ton pyetës dhe konfuz. Nuk e dinte që atje e njihnin, aq më tepër që do ta njihnin nga fakti që ajo s'kishte familje.

-Atëherë kam shumë për të të treguar. Shumë më shumë nga ç'më kërkove ti. Ka shumë më shumë që duhet të dish.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now