XIII

65 30 4
                                    

Kur hapën sytë, ndodheshin në tjetër vend. Të rrënuar, sikur duhet të nisnin gjithçka nga fillimi. Si një grup i dështuar dhe i pavlerë. Duhet të ishin në anije. Me siguri duhet të ishin në anije. Në anijen që vetë hynë me këmbët e tyre. Në anijen që vetë ndërtuan, në anijen në të cilën vetë u siguruan që të mos shkatërrohej nga asgjë. I kishin bërë vetë gropën vetes, dhe po vetë kishin hyrë brenda. Duhet të nisnin nga fillimi, por nuk e dinin nëse kishin fuqi të mjaftueshme për ta bërë.

-Ku është Glei? -i dhimbte koka dhe i merreshin mendtë, përreth mjedisi ishte i zymtë, por megjithatë arrinte ta dallonte qartë se motra e tij mungonte. Vërejti të tjerët; edhe ata njësoj të hutuar nga e gjitha, mezi po mblidhnin veten. Pa një dorë pranë tij, që i ofronte të ngrihej. Ngriti kokën lart, injoroi ndihmën dhe u ngrit menjëherë. Ishte shumë i lodhur për t'u marrë edhe me të, i kishte ardhur në kohën e gabuar.

-Të duket qesharake kjo që po bën? -i tha me zemërim, edhe pse ende nuk e kishte kuptuar mirë se çfarë kishte ndodhur. Ai nuk iu përgjigj. Asnjëherë nuk përgjigjej menjëherë, priste që të dëgjonte gjithçka që do t'i thoshin. Eliseo u acarua nga ky reagim që më tepër erdhi si një injorim. -Unë nuk të njoh, zotëri, -shtoi më pas. -Nuk e di kush jeni. Nuk e di se çfarë qëllimesh keni. Apo përse na mblodhët këtu. Nuk di asgjë. Ajo që di është që motra ime nuk është këtu me mua tani, dhe më duhet ta gjej. Ta shpëtoj nga çfarëdo strofke që ta keni futur, -e shikonte drejt e në sy, dhe kështu bënte dhe ai. Edhe pse nuk thoshte asgjë. Donte vetëm të dëgjonte. Çfarë të thoshte fundja? Kishte të drejtë.

-Nuk ke asgjë për të thënë? Asnjë shpjegim? Asgjë? -gati nuk i besohej, përballë tij ai qëndronte i qetë dhe sikur të mos shqetësohej për asgjë.

-Unë nuk di asgjë, Eliseo, dhe as ti nuk di asgjë. Si mund të komunikojnë dy njerëz që nuk dinë asgjë? Ma thuaj ti, -i hodhi një vështrim si të donte të kërkonte një përgjigje, por ai nuk foli. -Pikërisht, nuk munden, -tha më pas.

-Morëm fund, morëm fund, morëm fund! Nuk do të mund të bëjmë dot asgjë. Ata kanë Glein, ne jemi të mbyllur në këtë anije, së shpejti do të zhdukemi në pafundësitë e trekëndëshit, dhe gjithçka do të marrë fund, -e shkatërruar nga e gjitha, Matea sillej vërdallë dhe mundohej të qetësohej, por ishte e kotë.

-Matea, e di që gjithmonë ke qenë pesimiste, por ky është momenti në të cilin duhet të bëhemi të fortë, sepse kjo është e vetmja gjë që mund të na shpëtojë, -i tha Alvini dhe i dha një përqafim. Ajo nuk e refuzoi.

-E ja u bëmë të fortë, Alvin, e pastaj? Çfarë ndodh pastaj? Po nëse Glei ka vdekur tani? Nuk ka asnjë zgjidhje, Alv. E dija që s'duhet t'i besonim askujt, e dija.

-Matea, qetësohu tani, gjithçka është mirë. Nuk është hera e parë që përballemi me diçka të tillë. Ne nuk jemi adoleshentë të zakonshëm. Domethënë, të zakonshëm jemi, po u kemi mbijetuar edhe më parë një grupi të çmendur shkencëtarësh. Ne do t'ia dalim edhe kësaj rradhe, njësoj si herën e parë, do ta shohësh, -Kenzi u përpoq ta qetësonte, por vetëm sa e përkeqësoi situatën.

Matea u kthye drejt saj furishëm, e lodhur tashmë prej fjalëve të kota dhe shpresave të bazuara në askund:

-Këtë herë është ndryshe Kenz! Shumë më ndryshe nga ti ç'e mendon. Nëse herën e kaluar jeta jonë nuk ishte në rrezik, këtë herë atyre nuk do u interesojë nëse marrin jetën e disa fëmijëve që fusin hundët në punët e tyre. Nëse atëherë ishim të humbur në një pyll shumë afër shtëpive tona, këtë herë jemi në një shtet tjetër, kilometra larg familjes! Dhe nëse atëherë udhëhiqeshim nga Glei, kësaj rradhe Glei nuk është me ne. Rreziku është shumë herë më i madh, dhe pa Glein, ne jemi ASGJË!

Asnjë nuk foli më pas. Ishin të lodhur. Të rraskapitur për të qenë më të saktë. Dukej sikur në atë moment, pikërisht aty, do të dorëzoheshin.

-Por kësaj rradhe më keni mua, -tha në gjysëm zëri Starku. Tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, por të gjithë hezitonin t'i përgjigjeshin, apo t'i thoshin diçka. Hezitonin të pranonin ndihmën e tij, apo t'i besonin.

-E kush je ti? -iu kthye Eliseo. -Pse duhet të të besojmë ne ty?

-Nuk po them të më besoni, aspak. Mos më keqkuptoni. Tek e fundit, as unë nuk ju njoh dhe nuk e di nëse mund t'ju besoj. Unë vetëm diçka do të propozoj. Dua që të dëgjoni versionin tim të historisë, ashtu siç e dëgjuat nga profesori juaj.

-Dhe unë që mendoja se ishte profesor i mirë. Prapë më kishte ngelur në gjeografi, -tha Aria dhe të gjithë filluan të qeshnin me fjalët e saj.

-Nuk je e vetmja, unë thashë më në fund na erdhi një profesor i saktë, por tani që e mendoj sërish, Matea kishte të drejtë që në fillim, -shtoi Kenzi.

-Shpresoj të mos kem tamam të drejtë, -tha Matea, -mos harroni se u shpreha që mund të jetë vrasës serial.

-Ku i dihet, ne mund të jemi fillimi i karrierës së tij si i tillë, -tha më pas Alvini.

-Lëviz nga vendi, Alvin. Ti nuk di seç thua, -i thirri Aria dhe lëvizi pak. Të tjerët filluan të qeshnin.

-Epo, them se nuk na jepet zgjidhje tjetër. Çfarë keni për të thënë? -Matea iu drejtua Starkut. Ai e pa në shenjë mirënjohjeje dhe filloi të fliste.

-Në ato çfarë ju tha profesori, ka shumë të vërteta. Kemi qenë kolegë dikur, e unë mendoja se ishim ende. Ky ishte projekti ynë më i ri, ku do të punonim për një anije eksperimentale, për të parë nëse do të ishte e fortë mjaftueshëm për të kaluar trekëndëshin e Bermudës, duke qenë se një nga teoritë që ekzistojnë rreth këtij fenomeni, është pikërisht ideja e një rryme të fuqishme oqeanike. Por në anije nuk supozohej të kishte asnjë njeri, ne thjesht do të prisnim në Bermudë nëse anija do të arrinte sipas të dhënave automatike pas gjashtë ditësh. Nëse nuk do të arrinte, do të thoshte se eksperimenti kishte dështuar.

-Po telefonatat me numër të panjohur që i bëtë Mateas dhe profesorit? Po rrëmbimi i Gleit?

-Nuk jam në dijeni të asnjë telefonate. Me siguri e ka bërë Blasteri për të më fajësuar mua. Pse do t'ju doja unë këtu? Unë u vura në dijeni se kisha dy fëmijë njëmbëdhjetë muaj më parë. Blasteri më ndihmoi. Tha se motra e tij i kishte në kujdestari.

-Zonja Xhuls!! -thirrën të gjithë njëzëri.

-E keni pyetur ndonjë herë veten si mund të ketë qenë mbiemri i saj i vajzërisë? Me siguri që jo? Tek e fundit, kujt do t'i interesonte të dinte rreth mësuesit kujdestar kaq shumë? Pra siç po thosha, Blasteri më tha se kishte planifikuar gjithçka, që nga urrejtja që mësuesja juaj do të kishte për ju, e në veçanti për Glein, e deri në momentin kur unë do ta merrja me vete atë. Plani më pas ishte që Glei të lajmëronte edhe Eliseon. Fola me motrën time, është për të ardhur keq se si pranoi menjëherë të më jepte kujdestarinë e vajzës, në këmbim të një shpërblimi.

-Sa çudi, -ironizoi Kenzi.

-Megjithatë, mesa duket, as unë nuk di shumë gjëra. Blasteri është shumë më parë se ne, dhe nuk e di ç'ka ndërmend të bëjë me Glein. Ndërsa ai me siguri di çdo hap që ne do të hedhim. Ai e dinte që në fillim se ju do të vinit këtu. E kishte të gjithën të planifikuar.

-Sa janë shanset që ne të dalim gjallë prej këtu? -pyeti Aria.

-Të vogla, shumë të vogla, për të mos thënë zero. Vetëm nëse...

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now