V

82 31 16
                                    

Përballë kishin stacionin e policisë, një ide idiote, por e vetmja zgjidhje që kishin, sipas tyre. Matea ende mendonte se ata po e ekzagjeronin.

-Nuk më besohet që halla jote e quajti lajm të mirë humbjen e Gleit. Dua të them, deri ku mund të arrijë shpirtligësia e një njeriu?

-Ato e urrejnë njëra-tjetrën Kenzi, Glei do të kishte organizuar një festë nëse halla do të humbiste, -Kenzi i hodhi një vështrim të çuditshëm dhe më pas ktheu kokën nga Matea.

-Vërtet po mundohet të mbrojë hallën ky? -tha më pas duke bërë me shenjë nga Eliseo.

-Jo, po mundohem të të shpjegoj se halla që quan lajm të mirë humbjen e Gleit nuk është ndonjë çudi.

-A mund të fokusohemi te ajo që kemi ardhur të bëjmë? -Aria ndërpreu bisedën e tyre. -Kam shumë punë të rëndësishme për të bërë pas kësaj.

Ishin të sigurt se puna e rëndësishme e Arias nuk ishte asgjë tjetër veçse lyerja e thonjve apo ndryshimi i modelit të flokëve të saj, por ajo kishte të drejtë për diçka. Ata duhet të bënin atë për të cilën kishin ardhur.

-Jam e sigurt që Glei është mirë, ne vetëm sa po e ekzagjerojmë situatën dhe po humbasim kohë kot. Glei do të qeshte me ne, ashtu siç do të bëjnë edhe policët kur t'iu themi se jemi shqetësuar për shoqen tonë që nuk është shfaqur vetëm për tre orë.

-Nuk humbasim gjë po ta provojmë, -këmbënguli Eliseo.

-Pra, ju po thoni se jeni të shqetësuar për shoqen tuaj që nuk është shfaqur vetëm për tre orë? -të ndodhur në zyrën e policit përgjegjës për rastet e humbura, të pestë pohuan me kokë. Si përgjigje, morën të qeshurat tallëse të policëve, dhe të konfuzuar, pritën me shpresë se ata do t'i ndihmonin.

-Dëgjoni këtu, fëmijë. E kuptojmë që dikur bëtë një veprim heroik, dhe kjo është për t'u duartrokitur. Ju u duartrokitët. Tani, kjo nuk do të thotë se çdo gjë e vogël që ndodh rreth jush, ka të bëjë me ndonjë mister të pazgjidhshëm për të shpëtuar planetin apo kushedi se çfarë mendja juaj mund të krijojë. Shkurt, të largohesh për tre orë nuk të bën një rast të humbur, duhen të paktën njëzet e katër orë pa marrë asnjë lajmërim nga i ashtuquajturi i humbur. Deri atëherë, bëni ndonjë detyrë shtëpie ose ndonjë aktivitet tjetër. Kalofshi mirë! -në minutën tjetër, të pestë ndodheshin jashtë.

-Nuk humbëm gjë që e provuam, -Eliseo ngriti supet konfuz. Ndoshta Matea kishte të drejtë.

-Vetëm kohën time të çmuar, -u ankua Aria. -Them të shpërndahemi tani. Siç ju thashë, kam punë për të bërë.

Ajo u nis para duke i lënë katër të tjerët të menduar, se si ndoshta asgjë nuk ishte e komplikuar, dhe se ndoshta Glei thjesht kërkonte pak kohë vetëm. Fundja, gjatë asaj kohe të gjithë ishin duke kërkuar pak kohë vetëm, dhe asnjë nuk po e fitonte dot. Ndoshta të zhdukej për disa orë ishte e vetmja mënyrë.

-Glei nuk e bën shpesh këtë, për të mos thënë që nuk e bën kurrë, -tha Eliseo i shqetësuar. Më shumë se i shqetësuar se ku mund të ishte në ato momente motra e tij, ishte duke ndier mbi supe peshën e fajit për gjithçka që kishte ndodhur ose mund të ndodhte në vazhdim.

-Glei do të jetë mirë, -Kenzi u mundua t'i jepte zemër, por më tepër e gjeti veten të vënë në siklet kur pa se si pa vetëdije dora e saj kishte prekur supin e tij. Eliseo bbuzëqeshi lehtë Pa ditur ç'të bënte, edhe ajo buzëqeshi. -Ju e dini ku e kam fjalën, apo jo? Dua të them, nëse është dikush nga ne të cilin s'mund ta gjejë gjë, ajo është Glei. Ajo është thjesht... E jashtëzakonshme, -tre të tjerët filluan të qeshnin.

-Kërkoj ndjesë thellësisht për fjalorin jo shumë të zhvilluar, por unë mendoj që po e vrasim mendjen kot. Nuk e di ç'po bëjmë këtu? Stacioni i policisë? Seriozisht? Edhe projekti pa kuptim i Mateas ishte më interesant.

-Vërtet?

-Jo, Mate, po tallesha. Nuk ka gjë më të pakuptimtë se ai projekti, edhe pse s'e di çfarë është. Gjithsesi, nuk e kuptoj këtë shqetësimin tuaj.

-Thjesht kam një parandjenjë të keqe, -tha Eliseo.

-Prit! Mos është ajo gjëja e dy binjakëve që e ndiejnë çfarë i ndodh njëri-tjetrit? Eliseo, po nëse përqendrohesh pak më shumë? Ndoshta ndien diçka që të thotë ku ndodhet ajo, -serioziteti në fytyrën e Kenzit i bëri ata të shpërthenin në të qeshura.

-Një gjë e tillë nuk ekziston Kenzi. Dua të them, ndoshta ata ndiejnë diçka, por jo deri në atë pikë sa të gjejnë vendndodhjen e njëri-tjetrit.

-Ja, foli Zoti Zgjuarsia. Unë vetëm po përpiqem të ndihmoj, në rregull? Çfarë po bën ti? -iu kthye ajo me inat.

-Shikoni djema, më falni që ju alarmova. Me siguri Glei është mirë, ajo kujdeset për veten dhe nuk e lejon t'i ndodhë gjë. E mira është të largohemi tani dhe të presim një lajm të mirë. Vetëm se, nëse marrim vesh diçka, do të njoftojmë njëri-tjetrin, në rregull? -nuk ishte i sigurt nëse do e linte me aq, por nuk kishte asgjë në dorë për momentin. Zgjidhja e vetme ishte të priste, e nëse ajo nuk shfaqej për dyzet e tetë orë, të bënte sërish denoncim, duke shpresuar që kësaj here të merrej në konsideratë.

-Mua do më vrasë mami që kam gjithë ditën jashtë. Me siguri do më pyesë se çfarë lloji e dua vdekjen, kështu që po nisem dhe do të mendohem rrugës, -tha Kenzi me seriozitetin më të madh dhe të tjerët filluan të qeshnin.

-Të të shoqëroj deri në shtëpi? -Matea pohoi me kokë, dhe pasi u përshëndetën me Eliseon, ajo dhe Alvin u larguan.

-Shpresoj që Glei të gjendet së shpejti, -tha si për të thyer qetësinë që kishte pllakosur rrugëve të asaj rrugice të shkretuar. Mbasditeve, banorët e asaj lagjeje preferonin më tepër të merrnin ndonjë sy gjumë, sesa të dilnin nga ngrohtësia e shtëpive të tyre të vogla.

-Edhe unë kështu shpresoj. Nuk e kuptoj frikën që e ka zënë Eliseon. Jam i sigurt që ajo është mirë.

-Nuk është kjo ajo që më shqetëson, Alvin, -ajo ndaloi dhe mori frymë thellë. -Para se të më telefononte Eliseo, mora një telefonatë shumë të çuditshme.

-Ç'do të thuash? -në atë moment telefoni i saj u dëgjua përsëri. Iu desh të ndërpriste bisedën që të shihte se kush po telefononte.

-Glei!! -me të shpejtë hapi telefonin kur pa emrin e saj në kontaktin që po e telefononte.

-I rashë numrit të Eliseos, më del i fikur. Njoftoje pak që u nisa në trajnimin e gjeografisë me klubin e natyrës. Nuk kisha kohë t'i thosha më parë, pasi sot u njoftuam dhe nesër do të fillojë. Jam me leje nga shkolla, kështu që s'do të jem për disa ditë aty. Kalofshi mirë.

-Glei, prit! -nxitoi të thoshte. -Ku bëhet trajnimi?

-Nuk ka një vend fiks. Do të vizitojmë vende të ndryshme. Më duhet të shkoj tani, -telefonata përfundoi.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now