XXI

59 29 2
                                    

Edhe pse dukej se viktimat e tij po përfitonin nga ai kaos i krijuar, ai nuk ishte i shqetësuar; përkundrazi, ndihej sikur çdo gjë ishte në vijë dhe më mirë se asnjëherë më parë.

-Ah, Glei, Glei, -psherëtiu. -Kisha ndërmend të të ndaja nga të tjerët, që të mos kishin asnjë mundësi shpëtimi, po ti më nxorre probleme edhe këtu.

-Nëse doni, zotëri, mund ta provojmë sërish të hapim derën, ose të paktën të kuptojmë pse s'mund të hapet, -nuk duhet të krijonte as më të voglin dyshim. Dhe për ta bërë këtë, duhet të ishte sa më pranë Blasterit dhe në ndihmë të tij. Duhet të luante një lojë mbi zjarr; nëse rrëzohej, do të digjej përgjithmonë.

-Jo, Xheremi, jo, s'kemi pse humbasim kohën me të tilla gjëra. Do të nisim predhën tani. Mezi po pres të shoh suksesin e saj, -u afrua dhe i pëshpëriti "bum" e më pas filloi të qeshte me të madhe. Xheremi shtoi të qeshurën e tij, edhe pse në mendje bluante shumë shqetësime. Deri tani Blasteri duhet të ishte përkeqësuar aq shumë, sa t'i kishte humbur ndjenjat. Mirëpo asgjë nuk po shkonte sipas planit dhe kjo ishte duke e ngrënë nga brenda. Nuk i besonte spontanitetit. Dhe këtë çështje nuk mund ta linte në dorë të spontanitetit.

-Dëshironi pak verë për të festuar, zotëri? -e dinte që do të ngjallte dyshime, por ishte e vetmja zgjidhje.

-A është gati predha? -pyeti punonjësit e tjerë, duke injoruar fjalët e Xheremit. Ata pohuan me kokë dhe ai qeshi i lumtur. -Me Glein do të merremi më vonë, -tha. -Nga anija kemi lajme?

-Asnjë lajm, zotëri. Anija me shumë mundësi do të jetë zhdukur tashmë.

-Njëzet e pesë, një mijë e shtatëdhjetë e gjashtë, -tha duke theksuar këtë të fundit, si të ishte korrja e fitores më të madhe. Xheremi u gëlltit dhe nuk donte ta pranonte. Nuk mund të ishin zhdukur përgjithmonë. E ndiente dhe e dinte se do ta shihte sërish Simon Starkun.

-Fitore, apo jo, Xheremi? A nuk ishte plan fantastik? -i tha, kur e vuri re që ai nuk po reagonte.

-Patjetër që po, zotëri, -nuk dinte ç'të bënte. Nuk e dinte nëse duhej t'i thoshte sërish për alkool. Kishte frikë se mos e prishte të gjithën në momentin e fundit.

-Tani, le të mos humbasim kohë. Eja, Xheremi, do të dëshmojmë bashkë hedhjen e predhës. E mira e kësaj mrekullie, është se sapo të vendoset gati për hedhje, asgjë nuk mund ta kthejë pas, edhe sikur të shkatërrojë numërimin mbrapsht. Do ta shtyp butonin me këto duar, -tregoi duart e dëmtuara e gjithë shenja. Qëkur panë ato duar, duhet ta kuptonin se ai nuk ishte thjesht një profesor gjeografie. -Dhe, nuk dua asnjë pranë meje, përveç teje. Ti mjafton, -kjo gjë do t'i lehtësonte atij shumë punë, dhe e çonte më shumë drejt planit të tij.

-Si të dëshironi ju, zotëri. Besoj se më falni pak, sa të shkoj në tualet, -ai qeshi dhe pohoi me kokë.

-Tani e gjete edhe ti! -tha me shaka.

-Ju e dini që kjo punë s'pret zotëri, -tha si në ajër dhe nxitoi për te zyra e kontrollit. Normalisht, kishte aty më shumë kohë dhe e njihte atë vend shumë më mirë se Blasteri. Hapi kompjuterin e Blasterit dhe shpërndau një mesazh për gjithë punonjësit:

"Të gjithë mblidhuni në dhomën shtatë në katin e dytë. Është çështje urgjente!"

Dhoma shtatë ishte dhoma më e fortifikuar dhe më e pamundur për t'u arratisur. Duhet t'i hiqte qafe përkohësisht, ndaj, të rrinin të mbyllur atje, do të ishte një ide e mirë.

-Erdha, zotëri. Të më falni, -pasi kishte siguruar edhe eleminimin e të gjithëve, tashmë i mbetej vetëm të ndalonte nisjen e predhës. Mirëpo kishte një parandjenjë se diçka nuk shkonte.

Kishte të drejtë. Shqeu sytë kur pa përdhe Blasterin e shtrirë, dhe një numërues kohe të kuq që bënte zhurmë vazhdimisht dhe numëronte mbrapsht me shpejtësi të madhe. Iu duk sikur i kishin marrë kohën, mundësinë për të shpëtuar, gjithçka. Tashmë predha do të nisej kur ajo kuti e zhurmshme të arrinte në zero. Dhe ai nuk mund ta ndalonte. Nuk mund të bënte asgjë. Kishte më pak se tre minuta kohë, dhe çdo sekondë po zvogëlohej me shpejtësi marramendëse. Ishin pikërisht ato shifra që zvogëloheshin, çka e bënte atë të qëndronte i palëvizur e i shokuar.

I thirri mendjes dhe vrapoi për në dhomën ku ishte Glei. Trokiti si i çmendur dhe filloi të thërriste emrin e saj pa ndaluar.

Qëkur e dëgjoi, e mendoi se diçka do të kishte shkuar keq. Menjëherë nxitoi të hapte derën me çelësat që vetë Xheremi i kishte dhënë. I dridheshin duart dhe nuk arrinte të përqendrohej. Ndërkohë zëri i tij që vazhdonte ta thërriste e shqetësonte edhe më shumë.

U hap. Dera u hap. Sërish, panë më në fund fytyrat e njëri-tjetrit. U vërsulën në përqafim, sikur të kishin kohë pa u parë. Sikur t'i kishte marrë malli për një jetë të tërë. Çfarë po bënte ajo? Kishte përqafuar ndonjë herë në atë mënyrë ndonjë? Nuk i kujtohej, por nuk e dinte ç'po ndodhte me të. A ishte kjo Glei e vërtetë, në vend të asaj që vishet me të zeza dhe rri gjithmonë vetëm? Apo ishte ky vetëm një moment dobësie për të? Nuk e dinte, por dinte vetëm që i duhej ai përqafim. I duhej për t'i kujtuar se nuk ishte vetëm. Se asnjëherë nuk kishte qenë vetëm. Dhe se asnjëherë nuk do të mbetej vetëm.

-Çfarë ka ndodhur? Pse je alarmuar kështu?

-Glei, predha do të hidhet për rreth dy minuta, dhe nuk mund ta ndalojmë. Do të shkatërrohet gjithçka, -nuk e la të përfundonte mirë fjalën, por vrapoi të shihte me sytë e saj ç'kishte ndodhur.

-Ku janë Eliseo dhe të tjerët? -pyeti. I duhej ta dinte. Nuk mund të priste më gjatë. -Blasteri gënjeu, apo jo? Anija nuk është nisur.

-Anija është nisur, Glei. Nuk dua ta pranoj, por ata me shumë mundësi janë zhdukur tashmë. Por duhet të veprojmë shpejt nëse nuk duam të zhduken edhe qindra mijëra njerëz të tjerë.

-Çfarë do të bëjmë? -vendosi të mos i lejonte ndjenjat të përparonin, edhe pse shpirti po i copëtohej në thërrime.

-Epo, -ktheu kokën nga kutia që vazhdonte të bënte të njëjtin tingull, -mund të mos e ndalojmë dot, por mund t'i ndryshojmë drejtim. Glei, duhet ta kthejmë predhën në drejtim të trekëndëshit. Kështu, ajo do të zhduket dhe s'do të bëjë asnjë dëm.

-Ti je i çmendur! -i thirri. -Po sikur Eliseo të jetë atje me të tjerët dhe të jenë ende gjallë? Do t'i vrasim me duart tona? Unë e di që janë gjallë, nuk bëhet kjo gjë, -tha me vendosmëri.

-Nëse janë ende gjallë dhe ne nuk e ndryshojmë drejtimin e predhës në kohë, do të vdesin pra! -i tensionuar, e ngriti zërin edhe më shumë. -Vetëm se nuk do të vdesin vetëm ata. Nuk po mendon drejt, Glei, -në fjalinë e fundit zbuti zërin, si të ishte penduar për tonin e mëparshëm. Ndërkohë, shumë pak sekonda kishin mbetur nga shkatërrimi.

-Më udhëhiq! -vendosi. Ai kishte të drejtë. Fatin e miqve të saj, nuk do ta vendoste ndryshimi i drejtimit të asaj predhe. Ai ishte vendosur tashmë. Por mund të ndryshonte fatin e mijëra njerëzve të pafajshëm. Kishin më pak se pesëdhjetë sekonda, dhe ato po fluturonin si kurrë më parë.

-Do të shkosh te qendra e komandës dhe do të shtypësh butonin me shigjetën në të djathtë, derisa të them unë të ndalosh. Unë do të merrem me ndryshimin e shpejtësisë, -ajo tundi kokën dhe menjëherë vrapoi për të bërë atë që Xheremi i tha. Shtypi butonin në të djathtë dhe vuri re makinën mbajtëse të predhës të ndryshonte drejtim. Sekondat kalonin.

-Xheremi! -i thirri për t'i lënë të nënkuptuar se duhet të ndalonte. -Edhe dhjetë sekonda!

-Akoma jo, Glei! -ishte e shqetësuar, por e detyruar të bënte siç i thoshte ai.

-Xheremi!! -klithi sërish. Kishin më pak se shtatë sekonda.

-Akoma jo, të thashë!

Ndërkohë edhe sekondat ishin drejt fundit. Katër, tre, dy...

-Tani! -hoqi menjëherë duart nga komanda dhe mbylli sytë. Predha u nis.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now